Kryetarët në objektet e komunave, çfarë ndodh tash?

Kryetari i ri i Zubit Potokut, Izmir Zeqiri, në objektin e komunës, 26 maj 2023.

Pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Mentor Vrajolli, njohës i fushës së sigurisë, thotë se autoritetet e Kosovës duhet ta kuptojnë që zgjedhjet e parakohshme në veri të vendit nuk u zhvilluan në kushte normale dhe kryetarët e rinj duhet të jenë modest në veprimet e tyre.

Megjithatë, ai shton se është gjithashtu detyrë e institucioneve të Kosovës “të sigurohen që strukturat e kundërligjshme të mos i okupojnë institucionet”.

Kjo deklaratë e Vrajollit vjen pasi Policia e Kosovës e konfirmoi se po ndihmonte kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të hynin në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Your browser doesn’t support HTML5

Policia përleshet me protestuesit në Zveçan

Vrajolli, udhëheqës i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), beson se kryetarët e rinj të komunave në veri nuk duhet të tregojnë “njëfarë pushteti që mund ta kenë edhe kryetarët e komunave të tjera”.

“Duhet të synohet që imazhi i tyre të krijohet si liderë që kanë për qëllim të vënë në funksion komunat dhe jo të performojnë si liderë të qytetarëve atje, për shkak se kjo mund të ngjallë edhe provokime, ndërkaq provokimet nuk janë të mirëpritura në këto rrethana”, thotë Vrajolli.

Sipas tij, kryetarët e rinj , detyrën e tyre duhet ta kufizojnë në kryerjen e disa funksioneve të domosdoshme, si ekzekutimi i buxheteve, implementimi i projekteve dhe kryerja e punëve ditore.

Disa serbë lokalë u grumbulluan pranë objekteve komunale, në tentim për ta parandaluar hyrjen e autoriteteve kosovare. Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e grumbulluar, ndërkaq është raportuar edhe për të shtëna në Zveçan dhe Zubin Potok.

Autoritetet e Kosovës i kanë fajësuar "strukturat kriminale dhe ilegale" të Serbisë për përshkallëzimin e situatës, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

SHIKONI EDHE: Bislimi: Qytetarët e pakënaqur nuk mund të bllokojnë shkuarjen në punë të kryetarëve

Vrajolli beson se situata në veri të Kosovës mund të destabilizohet vetëm “sipas instruksioneve të Beogradit”, por shton se një gjë e tillë varet edhe nga reagimi i komunitetit ndërkombëtar.

“Nëse presioni i komunitetit ndërkombëtar është i butë, mendoj që destabilizimi është jashtëzakonisht i mundshëm, pasi që siç është parë edhe në trazirat e vitit të kaluar, Serbia ka 100 për qind kontroll mbi veprimet që strukturat kriminale në pjesën veriore i bëjnë”, thotë Vrajolli.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka reaguar ndaj ngjarjeve në veri duke dënuar veprimet që ndërmorën autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

"Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë", shkroi Hovenier në Twitter.

SHIKONI EDHE: Hovenier: SHBA dënon veprimet e autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri

Kryetarët e tri komunave me shumicë serbe - që të gjithë shqiptarë - u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.

Kryetari i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të enjten, se me betimin e tyre u zyrtarizua "pushtimi i katër komunave" në veri.

Zgjedhjet lokale u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Kjo parti e kundërshtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.