Tsipras në Shkup, thotë se po realizon vizitë historike

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai i Greqisë, Alexis Tsipras.

“Mirë se erdhe shoku im”, ishin fjalët e para me të cilat kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev priti homologun e tij nga Greqia, Alexis Tsipras para ndërtesës së Qeverisë në Shkup. Ishte kjo vizita e parë pas afër 3 dekadave që një zyrtarë i lartë i Greqisë realizoi vizitë në Shkup.

Vizita pason Marrëveshjen për emrin të cilën e kanë miratuar tashmë si Shkupi ashtu edhe Athina, me të cilën shteti që doli nga ish-Jugosllavia me emrin Maqedoni, pranoi që emri i saj të jetë Maqedonia e Veriut, pas kontestimeve të vazhdueshme që kishte me Greqinë.

Gjatë konferencës së përbashkët, kryeministri grek Tsipras e ka cilësuar si historike vizitën e tij në Shkup.

“Vizita jonë këtu dhe ky takim, paraqet hap historik përpara, për Ballkanin dhe për Evropën. Jemi këtu për të gjetur zgjidhje që të shohim përpara (kah e ardhmja), të ndërtojmë ura në vend të mureve. Ky vizion është kyç për Evropën dhe Ballkanin”, ka theksuar Alexis Tsipras.

Në të njëjtën vijë ka qenë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, po nënshkruajmë historinë. Greqia ishte e para që nënshkroi protokollin. Gjatë këtyre ditëve Tsipras ka bërë apel për anëtarësimin e vendit tonë në NATO”, tha Zaev.

“Kur të ktheheni pas, do të shihni kohë të humbura, kur të shihni para do të shihni dy vende mike, të cilat me vendime të guximshme shkojnë para drejt ardhmërisë. Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve”, tha Zaev.

Boshti kryesor për bashkëpunimin në mes dy vendeve fqinje mbetet ekonomia, ka theksuar në anën tjetër kryeministri grek.

“Çështja më e rëndësishme në takimin e sotëm ishte çështja ekonomike, sepse nuk kemi kohë për të humbur, përkundrazi duhet përshpejtuar. Duhet t’i tejkalojmë të gjitha hendeqet. Delegacioni im përbëhet nga më shumë se 100 biznesmenë, me të vetmin qëllim që të ndërtojmë raporte më të mira ekonomike në të ardhmen”, është shprehur kryeministri Tsipras. Sipas tij, “pa nevojë janë humbur 30 vjet që të vendosen marrëdhënie normale, bilaterale mes dy vendeve fqinje”.

SHIKONI EDHE: Marrëveshja Maqedoni-Greqi, një faqe e re bashkëpunimi në Ballkan

Për realizimin e Marrëveshjes së Prespës nevojitet vendosja e themeleve të forta të bashkëpunimit në më shumë dimensione, ka theksuar kryeministri grek Alexis Tsipras, duke shtuar se Greqia do të mbështes[ Maqedoninë e Veriut deri në anëtarësimit e saj të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kryeministri grek tha se në fokus të vëmendjes së dy vendeve fqinje mbetet edhe zhvillimi i infrastrukturës.

“Në fushën e infrastrukturës ne kemi vendosur që të avancojmë rrugët mes dy vendeve, posaçërisht komunikacionin hekurudhor, Selanik – Shkup - Beograd, që duhet të jetë lidhje mes këtyre vendeve”, shtoi më tej Tsipras.

Shkup, 2 prill, 2019.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se tashmë është hartuar një plan konkret veprimi për zbatimin hap pas hapi të marrëveshjes në mes dy vendeve fqinje të njohur si Marrëveshja e Prespës.

“Unë dhe Tsipras nënshkruam planin e veprimit për të gjitha çështjet për të cilat janë dakorduar ministrat tanë. Në maj do të formohet grupi i përbashkët i ekspertëve për përdorim komercial të emrit, terminologjinë dhe brendet. Janë nënshkruar marrëveshje për përparim në mbrojtje dhe avancim të procesit për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Zaev.

Kryeministrat e dy vendeve fqinje Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë janë angazhuar për zbatimin e plotët ë Marrëveshjes së Prespës, ndërkohë që opozita në të dy vendet, është kundër saj.