Marrëveshja e arritur mes Maqedonisë dhe Greqinë, për ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, paraqet një bazament shumë të shëndoshë për t'i dhënë fund kontestit dy dekadësh, mes dy vendeve fqinje, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare duke shtuar se kjo marrëveshje përpos që hap perspektiva për të ardhmen e shtetit me rëndësi të veçantë është se nuk preket identiteti i maqedonasve.
Lëshimi që ka bërë pala maqedonase rreth kërkesës greke për të ndryshuar Kushtetutën e shtetit, ekspertët e shohin si zgjidhje më optimale që mund të arrihej, sepse ky lëshim i mundëson Maqedonisë të integrohet në NATO dhe BE.
Ministri i parë i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Denko Malevski, pas pavarësimit të shtetit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pasi ka shqyrtuar me kujdes marrëveshjen në fjalë, konstaton se çështja e identitetit të maqedonasve mbetet e garantuar.
Malevski thotë se si diplomat ka mësuar një çështje të rëndësishme, atë se shteti duhet shfrytëzuar valët e interesit duke notuar me sukses në to.
“Duhet të shfrytëzohet me shumë mençuri vëmendja ndërkombëtare e cila është e përqendruar drejt Maqedonisë dhe përfundimisht si shtet të bëhemi pjesë e institucioneve ndërkombëtare, pjesë familjes evropiane, botës moderne".
"Mendoj se me këtë marrëveshje përpos që i hapet rrugë integrimit të vendit në strukturat euroatlantike hapet dhe një faqe e re e miqësisë dhe bashkëpunimit këtu në Ballkan, që është me një rëndësi të veçantë për perspektivën e të gjitha vendeve të rajonit”, thotë Denko Malevski.
Malevski, duke komentuar qëndrimin e Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov që të mos e ratifikojë marrëveshjen, thotë se këtë vendim të tij e kupton “ si refuzim që të anulohet një politikë e gabuar e qeverisë së kaluar e drejtuar nga VMRO DPMNE nga ku vjen dhe vetë presidenti, politikë kjo e cila është promovuar dekadën e fundit mes dy vendeve fqinje dhe jo si vendim në funksion të mbrojtjes së interesave shtetërore”.
Ekspertët shqiptarë thonë se me rëndësi të veçantë për shqiptarët është se me këtë marrëveshje përpos që vendit i hapen më shumë perspektiva në planin e integrimeve, me riemërtimin e shtetit si “Maqedonia e Veriut” bëhet një ndarje e qartë e shtetit nga kombësia maqedonase.
Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, për Radion Evropa e Lirë thotë se kërkesa e kahmotshme e shqiptarëve për riemërtimin e institucioneve ose heqjen e prefiksit maqedonas duke definuar ekskluzivitetin e përkatësisë vetëm për maqedonasit, tani bëhet realitet jo si rrjedhojë e vullnetit të autoriteteve maqedonase, por si rrjedhojë e insistimit të palës greke që ata të riemërtohen siç theksohet qartë në marrëveshje.
“Mendoj se më tepër është insistimi i palës greke që ”erga omnes” të vlejë për të gjitha çështjet përfshi këtu dhe riemërimin e institucioneve të shtetit dhe atyre publike.
Mendoj se faktori politik shqiptarë është në përbërjen e sipërme në mesin e tyre nuk mendoj se ka njerëz të mençur që kanë vizion për të realizuar kërkesat e shqiptarëve” thotë Sinani.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë në ueb faqen e saj zyrtare të enjten në mbrëmje e ka publikuar marrëveshjen e përbërë prej preambulës, 3 pjesë dhe dispozita ekzekutive, me gjithsej 20 nene, e bart titullin “Marrëveshja Përfundimtare për Zgjidhjen e Dallimeve të Përshkruara në Rezolutën 817 (1993) dhe 845 (1993) në Këshillin për Siguri të Kombeve të Bashkuara, për Ndalimin e Vlefshmërisë së Marrëveshjes së Përkohshme nga Viti 1995 si dhe Vendosjen e Partneritetit Strategjik mes Palëve”.
Pas arritjes së marrëveshjes Maqedoni-Greqi, gjatë javës që po e lëmë pas autoritetet e qeverisë së Maqedonisë kanë theksuar se shpresojnë që në fund të qershorit Maqedonia të marrë rekomandim pozitiv nga Brukseli për fillimin e bisedimeve për anëtarësim e vendit në BE.