Putin thotë se u injoruan shqetësimet e Moskës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se Perëndimi "injoroi" shqetësimet e Moskës, sa i takon sigurisë në lidhje me zgjerimin e NATO-s, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kërkuan përsëri Rusisë t'i tërheqë forcat e saj nga zonat afër kufijve me Ukrainën.

Presidenti rus, Putin, i tha homologut të tij francez, Emmanuel Macron, gjatë një bisede telefonike më 28 janar se pala ruse do të studiojë "me kujdes" përgjigjet me shkrim të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja këtë javë në lidhje me kërkesat e Moskës për garancitë e sigurisë "pas së cilës do të vendosë për hapat e mëtejmë.

Rusia po kërkon garanci sigurie nga Perëndimi në këmbim të një de-përshkallëzimi të krizës në Ukrainë, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja më 26 janar i kundërshtuan kërkesat e Moskës.

SHIKONI EDHE: Biden paralajmëron se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në muajin shkurt

NATO-ja tha gjithashtu se dislokimet aleate të trupave dhe pajisjeve ushtarake në Evropën Lindore nuk janë të negociueshme.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur në një forum të Këshillit Atlantik më 28 janar, tha se aleanca ishte e gatshme të rriste praninë e saj në Evropën Lindore për t'i treguar Rusisë vendosmërinë e saj në mes të krizës në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Blinken për REL: Rusia përballet me pasoja masive nëse vazhdon agresionin ndaj Ukrainës

Stoltenberg, megjithatë, vuri në dukje se në këtë pikë, nuk ka "asnjë siguri" se Rusia planifikon të pushtojë Ukrainën.

Më herët, më 28 janar, ambasadori i SHBA-së në Moskë, John Sullivan, tha se Uashingtoni po pret tani përgjigjen e Rusisë ndaj propozimeve të saj me shkrim për një rrugë diplomatike për të dalë nga kriza e Ukrainës.