Ndërlidhjet

Biden paralajmëron se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në muajin shkurt


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar se ekziston “një mundësi e qartë” që Rusia mund ta pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm, tha Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të enjten me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

“Presidenti Biden tha se ka një mundësi të qartë se rusët mund ta pushtojnë Ukrainën në muajin shkurt”, tha Emily Horne, zëdhënëse e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë gjë për muaj të tërë”, shtoi ajo, transmeton BBC.

Gjatë kësaj bisede, Biden ka “riafirmuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e partnerëve që të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti ukrainas Zelenskiy tha se me presidentin Biden ka “diskutuar lidhur me përpjekjet e fundit diplomatike për shtensionimin e situatës dhe u pajtuam për veprime të përbashkëta në të ardhmen”.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën ka rritur shqetësimet se Moska është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Lavrov: Nuk duam luftë me Ukrainën

Por, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Rusia nuk do të nisë një luftë të re kundër Ukrainës, por do të mbrojë interesat e saj.

“Nëse varet nga Federata Ruse, nuk do të ketë luftë”, tha Lavrov gjatë një interviste për radio-stacionet ruse, duke lënë të kuptohet se Moska është e gatshme të vazhdojë të angazhohet në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike të krizës.

“Ne nuk duam luftëra, por nuk do të lejojmë që interesat tona të shkelen apo të injorohen”, tha Lavrov, duke shtuar se propozimet amerikane ishin “pothuajse një shembull i korrektësisë politike”, ndërkaq përgjigja e NATO-s ishte shumë “e idealizuar”.

Lavrov njoftoi se pret që të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas disa javësh, për një rund të ri bisedimesh, që në fokus pritet ta kenë krizën aktuale. Megjithatë, presidenti rus, Vladimir Putin është ai që do të vendosë se si do t’i përgjigjet propozimeve amerikane.

Muajin e kaluar, Rusia prezantoi kërkesat e sigurisë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi përgjigje me shkrim. Kërkesat kryesore ishin ndalimi i Ukrainës që të anëtarësohet në NATO dhe që aleanca ushtarake të mos zgjerohet nga lindja.

Por, më 26 janar, përmes një letre dërguar Qeverisë ruse, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken refuzoi kërkesën e Rusisë që Kievit t’i ndalohej që në të ardhmen të anëtarësohej në aleancën ushtarake. Megjithatë, SHBA-ja ofroi “në rrugë serioze diplomatike” për zgjidhjen e krizës.

Ndërkaq, NATO po ashtu i ka dërguar një kërkesë së shkruar Rusisë dhe i ka kërkuar që të ulë tensionet përgjatë kufirit me Ukrainën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se pavarësisht se përgjigja e SHBA-së ka lënë pak vend për optimizëm, duke shtuar se “gjithmonë ka mundësi për vazhdim të dialogut dhe është në interes tonin dhe të amerikanëve”.

Më 28 janar, Blinken, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, paralajmëroi Rusinë për “pasoja masive” nëse e pushton Ukrainën.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ia bërë të qartë Moskës se ka dy rrugë përpara: rrugën e diplomacisë dhe dialogut për të zgjidhur dallimet në mënyrë paqësore ose rrugën e agresionit, nëse është kjo që ajo e zgjedhë, do të pasojnë pasoja masive”, tha Blinken.

Ai po ashtu mbrojti vendimin për të tërhequr një pjesë të stafit të Ambasadës amerikane në Kiev dhe familjarëve të tyre dhe kërkesën që amerikanët ta shqyrtojnë mundësinë që të largohen nga Ukraina. Ai tha se ky vendim është marrë për t’u kujdesur për sigurinë e shtetasve amerikanë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG