Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi është një faktor i fuqishëm politik dhe mund t’i mobilizojë masat kur është në interesin e saj, vlerëson sociologu malazez, Andrija Gjukanoviq, duke komentuar rolin e këtij institucioni në disa trazira të kohëve të fundit.
“Ndikimi i kishës te qytetarët është shumë i fortë, edhe pse në drejtim të gabuar. Kur politikanët kanë zbuluar se sa pushtet ka kisha, ne kemi parë garën e tyre për të qenë nën mëshirën e saj. Kjo ka qenë edhe më herët e shprehur, por tani është bërë krejtësisht e dukshme”, thotë Gjukanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ditëve të fundit, udhëheqësit e shumicës qeverisëse në Mal të Zi kanë qenë në Beograd për konsultime me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Edhe pse zyrtarisht temë e bisedimeve ka qenë nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore të shtetit të Malit të Zi me Kishën Ortodokse Serbe, deklarata e Patriarkanës ka bërë të ditur se është diskutuar edhe për marrëdhëniet midis partive në Mal të Zi.
Siç është njoftuar më 28 janar, Porfirije u ka thënë politikanëve malazezë se kisha, në asnjë mënyrë, nuk ndërhyn në garat partiake.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili gjithashtu është takuar me Porfirijen, ka thënë se politika në Mal të Zi do të bëhet pa ndërhyrje të jashtme.
SHIKONI EDHE: Krivokapiq inicion shkarkimin e Abazoviqit nga QeveriaI pyetur nga gazetarët nëse me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe do të bisedohet për ristrukturimin e Qeverisë malazeze, Abazoviq ka thënë se sjellja e kishës, në kontekstin e ngjarjeve politike në Mal të Zi, është shumë korrekte.
“Mitropoliti Joanikije [peshkop ortodoks serb që shërben si mitropolit i Malit të Zi] ka thënë se ata nuk janë të interesuar për konfrontimet e partive politike dhe se nuk duan të bëhen pjesë e tyre në asnjë mënyrë. Unë mendoj se nuk duhet të presim më shumë se kaq”, ka thënë Abazoviq.
Më herët, Mitropoli i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka njoftuar se “nuk merr pjesë, as tani e as në të ardhmen, në llogaritjet ndërpartiake dhe zgjidhjet politike”.
Megjithatë, në të njëjtën deklaratë është thënë se “nuk duhet pritur që Mitropoli do të mbështesë formimin e ndonjë qeverie, e cila, drejtpërdrejt apo tërthorazi, do të kthente regjimin e mëparshëm në pushtet”.
Lëvizja qytetare URA në Mal të Zi - udhëheqës i së cilës është Abazoviq - ka propozuar një qeveri të pakicës si zgjidhje për krizën politike në këtë vend.
SHIKONI EDHE: Gjukanoviq mbështet nismën e Abazoviqit për ndryshimin e QeverisëKoalicioni qeverisës, i përbërë nga Fronti pro-serb Demokratik, Demokratët dhe URA, ka fituar zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, duke i dhënë fund sundimit 30-vjeçar të socialistëve të Millo Gjukanoviqit.
Por, prejse është formuar në dhjetor të vitit 2020, kabineti i kryeministrit Zdravko Krivokapiq, i cili ka një shumicë të vogël parlamentare, është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit - atyre pro-serbë dhe pro-evropianë - gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.
Më 4 shkurt, me propozimin e URA-s, pritet të votohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë e Krivokapiqit. Mbështetje për mocionin ka shprehur edhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviqit.
Liturgji të reja kundër Qeverisë së pakicës
Demokratët në pushtet, deputetët e partive më të vogla që veprojnë brenda Frontit Demokratik dhe ministra besnikë të Krivokapiqit janë duke organizuar protesta në formë të liturgjive kishtare dhe duke akuzuar URA-n e Abazoviqit për lidhje me DPS-në dhe “tradhti ndaj vullnetit të popullit”.
Tubimet nisin para Kishës së Ngjalljes së Krishtit në Podgoricë, ndërsa pjesëmarrësit mbajnë në duar ikonografi kishtare.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur njërin nga pjesëmarrësit, deputetin e Malit të Zi të Bashkuar, Vlladimir Dobriçanin, se përse ikonografia kishtare përdoret në protesta politike për fatin e Qeverisë dhe nëse kisha ka ndonjë lidhje me protestat aktuale. Dobriçanin ka thënë se nuk ka.
“Nisja e protestave nga kisha paraqet një fuqi stimuluese, sepse liturgjitë kanë nxjerrë në rrugë qindra mijëra njerëz. Unë shpresoj që të gjitha protestat e ardhshme të jenë të ngjashme me liturgjitë, të jenë të qeta dhe demokratike”, ka thënë Dobriçanin, duke shtuar se kisha nuk duhet të ndërhyjë në zhvillime politike.
Protesta në formë liturgjish ka organizuar në vitin 2020 Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, për të kundërshtuar Ligjin për Lirinë e Fesë. Me këtë ligj, Qeveria e atëhershme, e udhëhequr nga DPS, ka bërë përpjekje të transferojë pronësinë e objekteve të kishave te shteti.
Në vazhdën e protestave liturgjike, të cilat janë mbështetur nga opozita e atëhershme, në Mal të Zi ka ndodhur edhe ndërrimi i pushtetit, në gusht të 2020-ës.
Për shkak të mundësisë së formimit të Qeverisë së pakicës, që do të mbështetej nga DPS, së bashku me politikanët protestojnë edhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe, të tilla si: “Miholjski zbor”, “Zavjetnici Tvrdosh Nikshiq” dhe “Stupovi”.
Të gjithë ata protestojnë edhe kundër rrëzimit të pritshëm të Qeverisë së Krivokapiqit.
Sociologu Andrija Gjukanoviq thotë se bëhet fjalë për protesta të ngjashme me ato të 2020-ës.
“Por, tani për tani, duket farsë, sepse kisha mbetet jashtë këtyre ngjarjeve, përveç nëpërmjet disa organizatave para-kishtare”, thotë ai.
Sipas tij, nuk ka dilemë që kisha, në përgjithësi, ndërhyn shumë në politikë.
“Ndonjëherë vullnetarisht, ndonjëherë jo... Tubimet politike nuk mund të bëhen pa kishë, sportistët vizitojnë kishat dhe marrin ikona si dhurata... Jemi dëshmitarë të një ndryshimi në karakterin e shoqërisë, nga civil në teokratik, gjë që nuk është e mirë”, thotë Gjukanoviq.
SHIKONI EDHE: Vetëm Gjukanoviq është i sigurt nga shkarkimet e shkurtitPartia Socialdemokrate opozitare (SDP) në Mal të Zi beson se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë edhe më herët koordinatore e aktiviteteve politike të partive pro-serbe në Mal të Zi.
“Sjellja e Kishës Ortodokse Serbe do të jetë në përputhje me interesat e shtetit fqinj të Serbisë. Ky institucion njihet në dokumentet strategjike të shtetit të Serbisë si instrument i fuqishëm i ndikimit në vendet e rajonit. Kemi një vazhdimësi të sjelljes, që është në kundërshtim me interesat e Malit të Zi”, thotë zyrtari i SDP-së, Bojan Zekoviq.
Qeveria e Krivokapiqit, për fatin e së cilës deputetët do të vendosin më 4 shkurt, është e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e kryeministrit dhe shumicës së ministrave.