Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, tha se ka iniciuar shkarkimin e Dritan Abazoviqin nga posti i zëvendëskryeministrit.
Ai tha më 19 janar se këtë kërkesë e ka dorëzuar në Kuvendin e Malit të Zi dhe ka propozuar që ministri i Financave dhe Kujdesit Social, Millojko Spajiq të emërohet në postin e zëvendëskryeministrit.
Në letrën dërguar Kuvendit, Krivokapiq kërkoi që më 3 shkurt të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e Abazoviqit dhe zgjedhjen e Spajiqit.
Ky njoftim vjen disa orë pasi Lëvizja Qytetare Ura e Abazoviqit njoftoi se ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e Qeverisë së Krivokapiqit.
Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
“Kjo nismë do të tregojë nëse Qeveria aktuale e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve, por edhe për modelin e propozuar për krijimin e një qeverie të pakicës”, tha Ura.
Pas njoftimit për nismën për mocionin e mosbesimit, ministrat e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe Jakov Millatoviq kërkuan që Abazoviq të jepte dorëheqje nga posti i zëvendësministrit ose të tërhiqte nismën për rrëzimin e Qeverisë.
Ura dhe CIVIS më 17 janar shpalosën propozimin e tyre për krijimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi.
Këto dy parti janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, ku bëjnë pjesë edhe partia pro-serbe, Fronti Demokratik dhe Demokratët dhe kanë 41 ulëse nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Partia e Gjukanoviqit ka thënë se do të përkrahë çdo nismë që çon në largimin e Qeverisë së Krivokapiqit.
Për shkarkimin e Qeverisë së Malit të Zi kërkohen votat e 41 deputetëve. Me mbështetjen e partisë së Gjukanoviqit, që ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Qeveria e Krivokapiqit, e cila ka një votë më shumë se sa duhet në Kuvend, ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik (DF).
Megjithatë, Fronti Demokratik nuk ka nisur asnjëherë një nismë formale për të shkarkuar Qeverinë, e cila nuk ka pasur mbështetjen e kësaj partie që nga mesi i vitit të kaluar.
Ndër të tjera, DF-ja nuk është pajtuar me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Parlamentin e Malit të Zi, si dhe me shkarkimin e ministrit Vlladimir Lleposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.
Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq.