Çfarë do të nënkuptonte falimentimi i Rusisë? 

Rubla ruse - Fotografi ilustruese.

Associated Press

Agjencitë e vlerësimit thonë se Rusia, pas pushtimit të Ukrainës, ndodhet në prag të pamundësisë për t’i paguar obligimet qeveritare.

Për më tepër, udhëheqësja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, ka paralajmëruar se falimentimi rus nuk është më një “ngjarje e pamundur”.

Po, përse Rusia ka arritur në këtë gjendje?

Sanksionet që i ka vënë Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës, kanë vendosur kufizime të mëdha mbi bankat dhe transaksionet e tyre financiare me Rusinë. Ato, gjithashtu, kanë ngrirë shumë nga rezervat e Qeverisë ruse në valuta të huaja.

Ministri i Financave i Rusisë, Anton Siluanov, ka thënë se Qeveria ka dhënë udhëzime për t’i bërë pagesat në dollarë, por ka shtuar se nëse bankat nuk mund ta bëjnë këtë për shkak të sanksioneve, pagesat do të bëhen me rubla - monedhën ruse.

SHIKONI EDHE: Lufta e Putinit në Ukrainë zhyt ekonominë ruse në krizë

Për të qenë zyrtarisht e falimentuar, Rusia duhet t’i kalojë 30 ditë pa paguar obligimet qeveritare.

Pra, Rusia ka para për të paguar, por thotë se nuk mund ta bëjë këtë, për shkak të sanksioneve që i kanë kufizuar bankat dhe kanë ngrirë një pjesë të madhe të rezervave të saj valutore.

Agjencitë e kanë ulur vlerësimin për Rusinë nën shkallën e investimeve, ose “junk”. Agjencia Fitch ka thënë se vlerësimi i saj “C” do të thotë se “procesi i falimentimit” ose “i ngjashëm me falimentimin” ka filluar.

Your browser doesn’t support HTML5

Rusët nisin të ndiejnë peshën e sanksioneve

Disa obligime ruse mund të paguhen në rubla, në rrethana të caktuara, por jo të gjitha.

Po ashtu, ka indikacione se shuma e rublave do të përcaktohet nga kursi aktual i këmbimit, i cili ka rënë, dhe kjo do të thotë se investitorët do të merrnin shumë më pak para.

Rusia nuk do të mund t’i paguajë as borxhet ndërkombëtare në rubla, të cilat është dashur të paguhen më 2 mars, por afati i është shtyrë për 30 ditë, përkatësisht deri më 2 prill.

Këto pagesa janë bërë në një fond depozitues shtetëror, por nuk u janë dërguar investitorëve të huaj, për shkak të kufizimeve mbi Bankën Qendrore të Rusisë.

Edhe për obligimet në dollarë, që i lejojnë pagesat në rubla, gjërat mund të jenë të ndërlikuara.

SHIKONI EDHE: Rubla ruse zhvlerësohet në nivel rekord

“Rublat padyshim nuk janë të pavlera, por po zhvlerësohen me shpejtësi”, thotë Clay Lowery, nga Instituti Ndërkombëtar i Financave.

“Mendoj se kjo mund të jetë edhe çështje ligjore: a janë këto rrethana të jashtëzakonshme apo janë shkaktuar nga vetë Qeveria ruse, për shkak se Qeveria ruse ka pushtuar Ukrainën? Kjo mund të zgjidhet në gjykatë”, shton ai.

Vendimin për falimentim mund ta marrë gjykata, ose agjencitë e vlerësimit mund ta ulin në falimentim vlerësimin e një vendi.

Cili do të ishte ndikimi i falimentimit të Rusisë?

Analistët e investimeve thonë se falimentimi i mundshëm i Rusisë nuk do të kishte ndikim në tregjet dhe institucionet financiare globale ashtu siç ka pasur më 1998. Në atë kohë, falimentimi i Rusisë ka shkaktuar çrregullime financiare në të gjithë botën.

Qeverisë amerikane i është dashur të ndërhyjë dhe t’i detyrojë bankat të shpëtojnë Menaxhimin e Kapitalit Afatgjatë - një fond i madh mbrojtës i SHBA-së, kolapsi i të cilit mund të kërcënonte stabilitetin e sistemit më të gjerë financiar dhe bankar.

Your browser doesn’t support HTML5

Si e dëmton Rusinë përjashtimi nga sistemi SWIFT?

Megjithatë, këtë herë, “është e vështirë të thuhet paraprakisht 100%, sepse çdo falimentim sovran është i ndryshëm dhe efektet globale do të shihen vetëm pasi të ketë ndodhur”, thotë Daniel Lenz, nga banka gjermane, DK Bank, me seli në Frankfurt.

“Falimentimi rus nuk do të ishte ndonjë befasi e madhe për tregun në tërësi. Nëse do të kishte valë të mëdha tronditëse, ato do të shiheshin tashmë. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë probleme të vërejtshme në sektorë më të vegjël”, thotë ai.

Ndikimi jashtë Rusisë mund të zvogëlohet, sepse investitorët dhe kompanitë e huaja kanë reduktuar ose shmangur marrëveshjet me të qysh në vitin 2014, kur SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë vendosur disa sanksione, për shkak të aneksimit të paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

SHIKONI EDHE:

BE miraton edhe një rund sanksionesh kundër RusisëKëshilli i Evropës zyrtarisht e përjashton Rusinë

Udhëheqësja e FMN-së, Georgieva, ka thënë se lufta ka pasoja shkatërruese për sa u përket vuajtjeve njerëzore dhe ndikimit të gjerë ekonomik, si për shembull në çmime më të larta të energjisë dhe ushqimeve. Por, falimentimi në vetvete, sipas saj, “nuk do të ishte sistematikisht i rëndësishëm” për sa u përket rreziqeve për bankat përreth.

Çfarë ndodh kur një vend falimenton?

Shpesh, investitorët dhe qeveria që ka dështuar t’i bëjë pagesat, do të negociojnë një zgjidhje, sipas së cilës, kreditorëve u jepen bono të reja që vlejnë më pak, por që të paktën u japin një kompensim të pjesshëm.

Megjithatë, është vështirë të parashikohet se si mund të ndodhë tani kur lufta vazhdon dhe sanksionet perëndimore ndalojnë shumë marrëveshje me Rusinë, bankat dhe kompanitë e saj.

Në disa raste, kreditorët mund të padisin. Në këtë rast, obligimet ruse besohet se vijnë me klauzola, që lejojnë shumicën e kreditorëve të bien dakord për një zgjidhje dhe më pas t’ia imponojnë atë zgjidhje edhe pjesës tjetër, duke i parandaluar kështu paditë.

Kur një vend falimenton, ai mund të shkëputet nga huamarrja në treg derisa të zgjidhet çështja e mospagesave dhe investitorët të rifitojnë besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e qeverisë për të paguar. Qeveria ruse ende mund të marrë hua rubla brenda Rusisë.

Rusia po vuan tashmë nga sanksionet, të cilat e kanë çuar rublën në rënie dhe kanë ndërprerë lidhjet e saj tregtare dhe financiare me pjesën tjetër të botës. Falimentimi do të ishte një simptomë më shumë e izolimit politik dhe financiar të Moskës, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Përgatiti: Valona Tela