Është e padiskutueshme që krimet e shtetit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë duhet të trajtohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, por iniciativat e fundit në këtë drejtim, të institucioneve dhe drejtuesve institucional të Kosovës, janë të vonuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të çështjeve juridike penale.
Me 6 maj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë. Ndërkaq, një ditë më vonë, më 7 maj, Komisioni parlamentar ‘ad-hoc’ për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka miratuar një draft-rezolutë.
Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se nismat e tilla i sheh të vonuara, ndërkohë që sipas tij, institucionet dhe Qeveria e Kosovës në të gjitha mandatet e deritashme, nuk u janë qasur problemeve bazike që kanë të bëjnë me çështjen e krimeve të shtetit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Institucionet e Kosovës kërkojnë Gjykatë Ndërkombëtare për krimet serbe“Është jo vetëm e vonuar, por jashtëzakonisht shumë e vonuar. Kjo nismë është dashur të jetë pas luftës, eventualisht 1 vjet ose 2 vjet pas luftës, që i bie të jetë në vitin 2001 dhe 2002. Ne, shqiptarët, duhet të vetëdijesohemi që punët tona duhet vet t’i kryejmë".
"Kanë kaluar 20 vjet dhe ne ende nuk e kemi regjistrin unik, në nivel të Kosovës, për të gjithë personat e vrarë, për objektet e shkatërruara, për dëmet, për numrin e femrave të dhunuara, të cilin besoj që kurrë nuk do ta kemi numri i saktë i dhunimeve kurrë nuk mund të caktohet”, theksoi Salihu.
Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se lidhur me idenë e kryetarit të Kuvendit, Veselit, për një Tribunal ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, ende mbetet e paqartë se si do të bëhet bashkërendimi i Kosovës me institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe faktorët vendimmarrës. Pa përkrahjen e harmonizuar të faktorëve global, sipas tij, ideja për tribunalin nuk mund të realizohet.
“Çdo kush që e ndërmerr këtë iniciativë, duhet ta ketë parasysh edhe mundësinë e dështimit. Pra, në asnjë mënyrë nuk guxohet që kjo të bëhet me një ‘yrysh’, me një lloj entuziazmi të pabazuar dhe me një lloj populizmi, sepse nëse dështon, atëherë do të jetë një zhgënjim jashtëzakonisht i madh për të gjitha familjet e viktimave dhe do ta dëmtojë në mënyrë të pariparueshme çështjen e krimeve serbe në Kosovë dhe gjetjen e drejtësisë për të gjithë ata që kanë pësuar nga këto krime”, theksoi Muhaxhiri.
Ai ka shtuar se deri më tash tema e krimeve të luftës së Serbisë në Kosovë, është injoruar në nivelin e brendshëm, por edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Nismat e fundit, siç thotë ai, janë komplekse, për shkak se kanë të bëjnë me aspektin emocional dhe politik. Siç thotë Muhaxhiri, është duke u krijuar përshtypja se këto nisma po ndodhin me qëllim të kompensimit të mungesës së angazhimit të deritashëm nga ana e institucioneve të Kosovës.
Për më shumë, sipas tij, marrë parasysh që tash e 20 vjet nuk është ngritur çështja e krimeve të Serbisë në Kosovë, ideja për themelimin e Tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë, mund të shihet edhe si tentim për krijimin e një kundërpeshe karshi Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihen si Gjykata speciale për krimet e luftës në Kosovë, e cila do t’i trajtojë krimet e pretenduara se janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pretendime të cilat janë ngritur nga Dick Marty në Raportin e tij për Parlamentin Evropian.
*Video nga arkivi: Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
“Edhe pse mund të mendohet si një kundërpeshë ndaj Gjykatës Speciale, iniciativa aktuale e politikanëve kosovarë nuk mund ta ketë rëndësinë që e kanë pasur akuzat e Dick Marty-t, sepse ato janë bërë si pjesë e një zinxhiri shumë të rëndësishëm institucional ndërkombëtar. Pra, një kundërpeshë e Gjykatës Speciale mund të bëhet vetëm nëse me rrugë të njëjtë, me metodologji të njëjtë dhe me miratim të njëjtë të faktorëve ndërkombëtar, krijohet një gjykatë për krimet serbe në Kosovë”, tha Muhaxhiri.
Sidoqoftë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar përkushtimin e institucioneve për angazhim gjithëpërfshirës, në mënyrë që të bëhet i pashmangshëm themelimin e Tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova “nuk pranon heshtje dhe nuk pranon as mohim” dhe se “Serbia do të përgjigjet” për viktimat që ka shkaktuar.