Krasniqi bën thirrje për kërkim falje publike

Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas një takimi të Kryesisë së institucionit ligjvënës, ka deklaruar para mediave se pavarësisht asaj se çka është thënë për të në incizimet audio telefonike, ai ndihet mirë.

“Unë e ndjej veten shumë mirë. Mendoj që është koha, që aktorët të cilët dëgjohen duke biseduar ose duke raportuar edhe jashtë jetës institucionale, t’i thonë mendimet e veta. Të paktën, ndoshta është krejt njerëzore që të bëhet një kërkim falje publike pasi që publiku është shqetësuar. Unë, pastaj do ta jap edhe mendimin tim".

Rasti në fjalë ka të bëjë me disa incizime të lëshuara në YouTube, e në të cilat thuhet se janë biseda telefonike të përgjuara ndërmjet shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovcit dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ministres për integrime evropiane, Vlora Çitaku, ish shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarit të komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.

Bisedat e publikuara kanë në thumb mes tjerash kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, por edhe raportet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës.

Pas takimit të sotëm të kryesisë së Kuvendit, zoti Krasniqi ka deklaruar po ashtu se ai personalisht nuk ndihet i ofenduar, por i fyer është institucioni që ai udhëheq.

“Nëse është ofenduar dikush, është ofenduar kryetari i Kuvendit të Kosovës", ka thënë Krasniqi.

Ka reaguar edhe ministrja Çitaku, e cila nëpërmjet profilit të saj në rrjetin social Facebook, veprimin e ka quajtur shantazh.


EULEX: Bisedat telefonike nuk janë të montuara

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se bisedat e incizuara telefonike ndërmjet zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës "nuk janë të montuara".

Me anë të një deklarate me shkrim, EULEX e ka cilësuar publikimin e bisedave si "çështje serioze dhe shkelje të rëndë të procedurave gjyqësore".

“Rrjedhja e materialit konfidencial është një çështje serioze dhe një shkelje e rëndë e besimit që lidhet me procedurat e një rasti gjyqësor që është në vazhdim e sipër. Siç kërkohet proceduralisht, materiali lidhur me këto procedime ishte dorëzuar nga prokurorët e EULEX-it tek mbrojtja si dhe në gjykatë".

"Materiali më pastaj është shfaqur në publik. Sa i përket prokurorëve të EULEX-it, ata kanë vepruar në mënyrë të ligjshme, korrekte, dhe në bazë të ligjit. Është për të ardhur keq që disa palë kanë lëshuar për publikim këtë material”,
thuhet në deklaratën e EULEX-it.

Autorët e kësaj shkeljeje megjithatë nuk dihen. Prokurorët vendorë gjithashtu nuk janë deklaruar ende.

Reagimi i qeverisë

Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër publikimin e këtyre incizimeve, duke i cilësuar ato si "të fabrikuara" dhe duke kërkuar me "urgjencë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it ndriçimin e këtij akti skandaloz dhe kundërligjor".

Në komunikatën e qeverisë, ky veprim madje cilësohet si "përpjekje e drejtpërdrejtë e mekanizmave të caktuar vendorë dhe disa ndërkombëtarëve, për të shantazhuar dhe sabotuar bartësit institucional dhe funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore".