Zgjedhja e Dimitar Kovaçeveskit për kryetar të ri të Lidhjes Social Demokrate (LSDM), i ka hapur rrugën Zoran Zaevit që të dorëzojë në Kuvend dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.
Zoran Zaev, dorëheqjen nga posti i kreut të ekzekutivit, por edhe i kryetarit të partisë, e kishte paraqitur më 31 tetor, pas disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, por në Kuvend nuk e kishte paraqitur dorëheqjen, pasi kishte thënë se do të priste zgjedhjen e kryetarit të ri, por edhe sigurimin e shumicës në Kuvend, pas largimit nga Qeveria të partisë Lëvizja Besa.
SHIKONI EDHE: Zaev: Shumica e re në Kuvend, mundësi për marrëveshje me SofjenZaevi e siguroi shumicën parlamentare pas futjes në Qeveri të partisë Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi. Tani shumica parlamentare numëron 64 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Pas arritjes së marrëveshjes me Alternativën, Zaev kishte deklaruar se priste zgjedhjen edhe të kryetarit të LSDM-së, që më pas të deponojë dorëheqjen në Kuvend, për t’i mundësuar Dimitar Kovaçevskit marrjen e mandatit për kryeministër të ri.
Nga kabineti i Zaevit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se kur ai do ta dorëzojë dorëheqjen në Kuvend. As Kovaçevski nuk është përgjigjur se kur pritet ta marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri.
Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, pas miratimit të dorëheqjes së kryeministrit në Kuvend, Qeveria konsiderohet se është në dorëheqje.
Më pas, presidenti maqedonas, Stevo Pendavorvski, ia jep mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të partisë që ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, në këtë rast kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Sipas Kushtetutës, Kovaçevski ka afat që 20 ditësh të paraqesë përbërjen e re qeveritare.
Bazuar në marrëveshjet që tashmë janë arritur mes partive, përbërja e re qeveritare mund të publikohet brenda disa ditëve nga marrja e mandatit dhe më pas votohet në Kuvend, ku duhet të sigurohen së paku 61 vota.
Pas zgjedhjen në postin e kryetarit të partisë, të dielën në mbrëmje, Dimitar Kovaçevski tha se është duke punuar për kabinetin e tij, që siç tha, prioritet do të ketë aspektet ekonomike, krizën energjetike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai tha se pjesë e Qeverisë së re do të jenë të jenë kuadrot më të dëshmuar, që sipas tij, do të jenë të gatshëm të përballen me sfidat në të cilat ndodhet Maqedonia e Veriut.
“Kuadrot e rinj apo ministrat e Qeverisë do të propozohen nga organet e LSDM-së. Ne kemi një program të Qeverisë, për zbatimin e të cilit do të punojmë me përkushtim të madh, për të kthyer besimin dhe këtë mund ta bëjnë ata që janë të gatshëm të përballen me sfidat. Ne kemi shumicë stabile dhe mund të miratojmë të gjithë atë që të pjesë e programit të punës së Qeverisë”, tha Kovaçevski.
Ai është pyetur edhe për kontestin me Bullgarinë, ndërsa ka theksuar rëndësinë për respektimin e vlerave evropiane, por edhe të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Maqedonisë, për mosheqje dorë nga çështjet që kanë të bëjnë më gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Bisedimet bazohen në vlerat evropiane, por edhe në rezolutat që janë miratuar nga partitë tona në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Do të vazhdojmë me këtë frymë. Konsideroj se pas katër raporteve pozitive nga Komisioni Evropian, është koha që BE-ja të caktojë datën për mbledhjen e parë ndërqeveritare, përkatësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, the kreu i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
SHIKONI EDHE: Shkupi dhe Sofja në kërkim të një shansi të ri për marrëveshjeNdërkohë, opozita maqedonase ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa ka drejtuar akuza ndaj LSDM-së se mund të pranojë një marrëveshje me Bullgarinë, që sipas partisë maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, “dëmton interesat shtetërore e kombëtare të maqedonasve”.
Kryetari i VMRO DPPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas rizgjedhjes në krye të partisë, më 12 dhjetor, tha se Maqedonia e Veriut ka nevojë për ndryshime të mëdha në qeverisjen e vendit.
“Ndryshimet janë të pashmangshme. Populli ka pritshmëri dhe shpresë nga ne dhe ne duhet të bëjmë ndryshime. Jam i gatshëm të bisedoj me çdo politikan të ndershëm për një proces i ri në vend”, ka deklaruar ai.