Ndërlidhjet

Zaev: Shumica e re në Kuvend, mundësi për marrëveshje me Sofjen


Kreu i partisë Alternativa, Afrim Gashi dhe shefi i ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kreu i partisë Alternativa, Afrim Gashi dhe shefi i ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha të dielën, më 5 dhjetor, se pret marrëveshje me Bullgarinë për heqjen e vetos, pas forcimit të shumicës parlamentare me përfshirjen në Qeveri të partisë Alternativa.

“Jemi bashkuar sepse në këto momente më i rëndësishëm është funksionimi i institucioneve me kapacitet të plotë. Marrëveshja e arritur është një garanci se kemi një shumicë që do të punojë për zgjidhjen e sfidave aktuale, si vazhdimësia dhe epilogu i suksesshëm në procesin e fillimit të negociatave me BE-në, zgjidhja e problemit me Bullgarinë, menaxhimi me pandeminë dhe krizën energjetike. Maqedonia e Veriut ka nevojë për një qeveri që jep rezultate, veçanërisht kur nevojitet një kurs këmbimi euroatlantik”, tha kryeministri Zaev.

Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, në nëntor të vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, duke kërkuar fillimisht marrëveshje me Shkupin për mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin, të drejtat e pakicës bullgare si dhe aspektet që kanë të bëjnë me të kaluarën historike.

Sofja ka thënë se nuk e konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas, por kërkon që të pranojë se para vitit 1945 ato kanë pasur “rrënjë bullgare”.

Pa hyrë në detaje se mbi çka e bazon optimizmin për marrëveshje me Bullgarinë, Zaev tha se në dy vendet tashmë ka stabilitet politik, prandaj, sipas tij, është koha që Shkupi dhe Sofja të kapërcejnë dallimet.

“Na duhet fillimi i negociatave menjëherë sepse i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Maqedonia e Veriut ka nevojë për evropianizimin e vendit. Për këtë ne punojmë dhe do të angazhohemi me kapacitet të plotë”, ka deklaruar kryeministri Zaev, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion me kryetarin e partisë Alternativa, Afrim Gashi.

Kjo parti deri tani ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa ishte edhe pjesë e nismës së mocionit të mosbesimit që ishte iniciuar në Kuvend nga VMRO-DPMNE-ja më 11 nëntor.

Afrim Gashi tha se vendimi i Alternativës nuk ishte i lehtë, por shtoi se të gjithë faktorët kyçë që janë marrë parasysh, kanë bërë, sipas tij, që partia që ai drejton, të bëhet pjesë e shumicës parlamentare dhe Qeverisë.

Gashi tha se partia e tij nuk dëshironte që Maqedonia e Veriut të futej në krizë institucionale, por edhe t’i jepte shansin negociatave me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit, dhe këtë, sipas tij, mund ta bëjnë vetëm se institucionet stabile dhe funksionale.

“Gjashtëdhjetë e katër deputetë do të jenë pjesë e shumicës parlamentare dhe kjo do të punojë për të dalë nga kriza shëndetësore, ekonomike dhe energjetike që po e ndiejmë. Nuk ishte e lehtë për të marrë një vendim të tillë, por shumica e argumenteve ishin që Alternativa të vendoste për rrugën që po ndjek sot. Gjatë negociatave jemi mbështetur në dy shtylla. E para është pjesa programore dhe e dyta për marrjen e përgjegjësive të Alternativës në ekzekutiv”, tha Gashi.

Kjo parti në qeverinë e re do të drejtojë tri ministri, atë të Shëndetësisë, Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës si dhe një ministri pa resor, por që do të kujdeset për diasporën.

Marrëveshja i hap rrugën formimin të një qeverie të re, pasi Zoran Zaev ka thënë se pasi të ketë siguruar shumicë parlamentare, atëherë do të largohet nga drejtimi i Qeverisë, të cilën e ka paralajmëruar që më 31 tetor, kur partia e tij, Lidhja Social Demokrate humbi zgjedhjet lokale nga VMRO-DPMNE-ja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG