Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Ilir Meta janë zotuar për vazhdimin e kthimit të qytetarëve të të dyja vendeve nga kampet e Sirisë dhe angazhimin për risocializimin e tyre në shoqëri.
Ata i bën këto deklarata në konferencën “Feja si instrument i paqes”, të organizuar në Tiranë nga presidenti Ilir Meta, në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit.
Presidenti Thaçi tha se Kosova është përballur me sfidën e elementeve të ekstremizmit dhe radikalizmit, por si shoqëri dhe shtet ka reaguar menjëherë dhe me vendosmëri.
“Ndihem shume krenar qe administrata e SHBA-së e ka vlerësuar Kosovën si kampion rajonal në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë aktive dhe dinamike e koalicionit kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Së bashku me komunitetin fetar dhe miqtë ndërkombëtarë po punojmë në risocializimin e të kthyerve nga luftërat e huaja. E dimë se është proces shumë i ndjeshëm, por jemi duke punuar kujdesshëm dhe me vendosmëri”, tha presidenti Thaçi.
Sipas tij, angazhimet e Kosovës për të ruajtur tolerancën fetare datojnë shumë më herët, që nga periudha e luftës, në të cilën nuk është lejuar përfshirja e fesë.
“Nuk kemi lejuar që në luftën e Kosovës të implikohet feja. Luftëtarët nuk kanë lejuar asnjë ideologji fetare të bëhet pjesë e luftës së saj për liri dhe pavarësi”, deklaroi presidenti Thaçi.
SHIKONI EDHE: BE-ja i kërkon Kosovës që t’i raportojë për të kthyerit nga SiriaPresidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se rajoni përballet me shumë sfida në lidhje me kampet në Siri në të cilat gjenden me dhjetëra gra dhe fëmijë, nga disa prej vendeve të rajonit.
“Duhen ngritur urgjentisht qendra të rehablitimit për t’u siguruar se persona të tillë të integrohen në shoqëri dhe të rehabilitohen nga traumat”, theksoi Meta.
SHIKONI EDHE: Shërimi nga traumat i të kthyerve nga SiriaSipas tij, vendet e rajonit duhet të angazhohen në stabilitetin politik, në mënyrë që të përballen më vështirësitë që kanë përpara.
“Të gjitha vendet e rajonit i janë bashkuar koalicioni global kundër terrorizmit, por ne duhet të sigurojmë stabilitet politik për secilit vend dhe rajonin tonë në mënyrë që t’u krijojmë siguri popujve tanë dhe të arrijmë zhvillimin e ekonomive dhe të mos lejojmë shfaqjen e çdo ekstremizmi fetar, diplomacinë e butë nga faktorë të tretë dhe ndikimin e huaj negative”, tha presidenti Meta.
SHIKONI EDHE: Rama konfirmon nxjerrjen e Alvin Berishës, 11 vjeç, nga kampi në SiriNë konferencën “Feja si instrument i paqes” foli edhe Sam Brownback, ambasador i Shteteve të Bashkuara për liri fetare ndërkombëtare. Ai theksoi se ngritja e akterëve joshtetërorë, që kërkojnë të persekutojnë përfaqësuesit e fesë, është bërë problem ndërkombëtar.
“Në shumë vende të botës feja është përdorur si instrument jo i paqes, por konfliktit. Vendet që përqafojnë lirinë fetare do të marrin përfitimet e prosperitetit, paqes, një ekonomi të lulëzuar, më pak terrorizëm më pak dhunë”, tha ai, duke çmuar Shqipërinë si shembull të tolerancës ndërfetare.