Autoritetet në Shqipëri, në bashkëpunim me ato të Italisë, kanë arritur të nxjerrin 11-vjeçarin shqiptar, Alvin Berisha, nga një kamp në Siri, ku kishte mbetur prej vitesh.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Alvini është në ambasadën italiane në Bejrut.
“Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i Brendshëm po e përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Bejrut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentet e nevojshme dhe do të fluturojë drejt babait në Romë”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook.
Ai e ka falënderuar kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, për, siç ka thënë, angazhimin e tij personal për realizimin e operacionit.
Alvini ishte në Siri që nga koha kur nëna e tij e braktisi familjen në vitin 2014 dhe mori me vete djalin e saj - atëbotë gjashtëvjeçar - pa vullnetin e babait, Afrimit.
Nëna e Alvinit është raportuar e vrarë gjatë luftimeve në Siri.
Familja Berisha jeton në Itali, ku rasti i mbetjes së Alvinit në kampet e Sirisë ka nxitur reagime të shumta.
Për rastin e Alvinit, ditë më parë, ka diskutuar edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Lexoni edhe këto: