Zhurmë politike, por pa vendim ndaj kërkesave amerikane

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim sa i përket kërkesës së SHBA-së për të hequr taksën, pa vendosur masa të tjera.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me tarifën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, pavarësisht reagimeve të përfaqësueseve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ditëve të fundit, zyrtarët amerikanë i kanë shpeshtuar thirrjet drejtuar Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës, duke paralajmëruar se pas disa programeve zhvillimore mund të pasojë edhe tërheqja e trupave amerikane nga Kosova.

I fundit që është shprehur pro largimit të trupave amerikane është senatori amerikan, Rand Paul.

Përmes në postimi në rrjetin social Twitter, senatori Paul ka kërkuar nga Kosova heqjen e tarifave dhe përkushtim në ndërtimin e paqes me Serbinë.

“Unë mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. Unë e inkurajoj Kosovën që të kthejë një faqe dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Pas kaq shumë vitesh, koha për t'i sjellë trupat tona në shtëpi...”, ka shkruar senatori Paul.

Rand Paul është senatori i dytë amerikan që kërkon përfundimin e misionit ushtarak të SHBA-së në Kosovë.

Të martën, senatori amerikan David Perdue, përmes një postimi në Twitter ka thënë se në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

Në debatin për mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova është përfshirë edhe ish-komandanti i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges. Ai ka kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.

“Ky do të ishte një gabim..KFOR-i është spiranca e fundit e stabilitetit në rajon”, ka shkruar Hodges.

Mundësia e largimit të trupave amerikane mori jehonë të madhe pasi edhe Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe i dërguari presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell përmendën mundësinë e largimit të pranisë ushtarake nga Kosova.

Por, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve amerikanë, në Kosovë spektri politik mbetet i ndarë në qëndrime.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte ftuar në një takim për të mërkurën, kryeministrin Albin Kurti, porse ky i fundit nuk u paraqit në zyrat e presidencës.

Vet presidenti Hashim Thaçi përmes një konferencë për media, kërkoi nga qeveria që urgjentisht të plotësojë kërkesat amerikane për tërheqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.

“Dua të shpresoj se kryeministri do të gjejë kohë për të ardhur dhe për t’u takuar, jo pse e ka obligim por përgjegjësi edhe si lider i partisë edhe si kryeministër aktual në mënyrë që të mos ndodh takimi ynë i pavlerë në ndonjë vendimmarrje të papritur që mund të na vije për shtetin tonë dhe për qytetarët tanë. Nuk mendoj se qëndrimet e zyrtarëve të SHBA-së, qoftë të kongresmenëve, qoftë të senatorëve, qoftë të njerëzve përreth presidentit Trump janë qëndrime individuale”, deklaroi presidenti Thaçi.

Your browser doesn’t support HTML5

Thaçi flet për takimin me Kurtin

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova.

Në një paraqitje para mediave, kryeministri Kurti, të martën, tha se nuk beson se do të ketë sanksione nga SHBA-ja ndaj Republikës së Kosovës dhe se deklarata Donald Trump Junior, djalit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, nuk lidhet me tarifën për mallrat nga Serbia.

SHIKONI EDHE: Kurti: Nuk besoj që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova

Sa i takon takimit me presidentin Thaçi, nga Zyra e kryeministrit të Kosovës thanë për Radio Evropa e Lirë se një takim i tillë mund të zhvillohet të premten.

SHBA-ja insiston që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun deri në arritjen e një marrëveshjeje historike paqësore. Por, paraprakisht nga Prishtina zyrtare është kërkuar që të shfuqizojë tarifën doganore, e cila po shihet si pengesë për vazhdimin e bisedimeve paqësore.

Shtetet e Bashkuar kanë marrë primatin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi procesi që zhvillohej në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian u ndërpre në vitin 2018, kur ish-Qeveria e Kosovës vendosi tarifën për mallrat serbe.

Muajt e fundit, Kosova dhe Serbia arritën dy marrëveshje të rëndësishme me ndërmjetësim të ambasadorit amerikan, Richard Grenell.

Grenell tha se arritja e marrëveshjeve si për hekurudhat ashtu edhe për linjën ajrore Prishtinë-Beograd do të kenë ndikim të madh në ekonominë e të dyja vendeve, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë.