Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) tha se në mesin e viktimave nga tërmetet që kanë goditur Turqinë nuk ka asnjë shtetas kosovar.
Ky reagim i MPJD-së vjen pas deklarimeve të Evren Kaya, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi, se 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve. MPJD tha se bëhet fjalë për “familje/persona që kanë shtetësi turke, por janë me prejardhje të vjetër shqiptare”.
Nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit – prej 7.8 ballësh dhe 7.5 ballësh, që u pasuan edhe me qindra dridhje të tjera të tokës – në Turqi dhe Siri kanë vdekur mbi 35.000 persona.
MPJD po ashtu tha se disa shtetas të Kosovës kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën dhe Konsullatën e Kosovës në Ankara, përkatësisht në Stamboll.
Sipas informatave të ministrisë, për periudhën 10-13 shkurt, dy studente nga Kosova që gjenden në qytetin Adana, kanë kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe i kanë njoftuar se janë vendosur në një konvikt universitar dhe janë mirë me shëndet.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara po vazhdon komunikimin me të dy studentet dhe po shqyrton të gjitha mundësitë që të realizojë kthimin e tyre në Kosovë”, thuhet në njoftim.
SHIKONI EDHE: FSK-ja shpëton nga rrënojat në Turqi edhe dy personaPo ashtu, më 13 shkurt një familje nga Kosova ka informuar Ambasadën se është larguar nga Gaziantepi për në Ankara dhe ka nevojë për fletë udhëtimi për t’u kthyer në Kosovë.
“Në pasditen e së hënës [13 shkurt], pas komunikimit sërishëm me ambasadën, familja kanë deklaruar se do të vendosin brenda dy ditësh se a do të udhëtojnë për Kosovë dhe rrjedhimisht të vazhdohet me përgatitjen e fletudhëtimeve”, tha MPJD.
Nëse gjendeni në Turqi dhe keni nevojë për ndihmë, MPJD ka vendosur këta dy numra emergjentë:
- Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
- Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se numri i viktimave në Turqi dhe Siri mund të dyfishohet, teksa autoritetet turke kanë thënë se 1.2 milion persona kanë mbetur të pastrehë për shkak të tërmeteve.