Më 31 maj shënohet Dita Botërore kundër Duhanit. Ndonëse Kosova që nga viti 2013 e ka Ligjin për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike, ky ligj vazhdon të mos respektohet në tërësi.
Duhani konsiderohet si shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Kështu të paktën thuhet në hulumtimet e bëra nga organizata që merren me shëndetin publik.
Nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë, e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se prevalenca e përdoruesve aktualë të duhanit në mesin e të rinjve 13-15 vjeç krahasuar me hulumtimin e kaluar nga 6.7 për qind në vitin 2014, është ulur në 4.4 për qind në vitin 2016, ndërkohë që ekspozimi ndaj tymit të duhanit brenda ndonjë ambienti të mbyllur është ulur nga 84 në 43 për qind.
Prevalenca e përdoruesve aktualë të duhanit në mesin e të rinjve, krahasuar me hulumtimin e kaluar është nga 10.4 në 8.8 për qind.
Megjithatë, ai përmend efektet negative që shkakton duhani në organizmin e njeriut.
“Ne jemi sot duke folur për duhanin, për një faktor të rrezikut, ndër katër sa konsiderohen si të rrezikshëm: alkooli, pasiviteti fizik dhe obeziteti. Me shmangien e këtyre vetive, mbrohemi nga sëmundje kronike që kanë patologji të rëndë dhe njëherësh harxhojnë me shumicë buxhetin edhe ashtu të varfër të Kosovës”.
“Bëhet fjalë për sëmundjen e kancerit, sëmundjet kronike të mushkërive , sëmundjet kardiovaskulare”, tha ai.
Sipas Ramadanit, nevojitet më shumë angazhim për mbrojtjen nga rreziku që shkakton duhanpirja.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë së bashku me Institutin Kombëtar, duhet angazhohen jo sot në Ditën Botërore Kundër Duhanit, por 365 ditë, që të mbrojmë njërin prej faktorëve të rrezikut dhe t’i zvogëlojmë edhe patologjitë dhe pasojat që shkakton duhani në organizmin e njeriut”, tha Ramadani.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në Ditën Botërore Kundër Duhanit tha se Ligji për kontrollin e duhanit respektohet pjesërisht dhe se në dikasterin që ai udhëheq, janë duke punuar intensivisht që ky ligj të zbatohet plotësisht.
“Gjithnjë e më shumë njerëz po bëhen të vetëdijshëm për efektet negative të tymosjes së duhanit. Ditë më parë kemi shënuar pesë vjetorin e hyrjes në fuqi të Ligjit për kontrollin e duhanit, dhe pesë vjet më pas, edhe pse kemi vende ku janë të lira nga duhani, duhet të angazhohemi që ky ligj të respektohet plotësisht dhe të respektohet 100 për qind ashtu siç e parasheh ligji”, deklaroi Ismaili.
Arben Lila, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), njëherësh monitorues i zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit tha se gjatë dy viteve të para të hyrjes në fuqi të Ligjit për duhanin, ai ishte zbatuar në masë të madhe, por me kohë, sipas tij, zbatimi i tij ka filluar të zbehet.
“Dy vitet e para ishin vitet e arta të zbatimit të ligjit. Më meritori për këtë, ishte qytetari i vetëdijesuar i Republikës së Kosovës, që respekton ligjin dhe mbron fëmijët nga tymi i duhanit”.
“Në çdo palë zgjedhje, zbatimi i ligjit filloi të degradojë. Skenat nëpër oda të mbushura me tym duhani, në të cilat kërkoheshin votat për marrjen e pushtetit, i mbushën ekranet televizive, dhe krijoi përshtypje që vetë shteti nuk e respekton ligjin... Më pas pronarët e restoranteve, drejtorët e spitaleve, shkollave, sekretarët e institucioneve, ministrive, por edhe vetë duhanpirësit, duhet ta respektojnë dhe zbatojnë ligjin. Sot pesë vjet pas miratimit të ligjit, Kosova ka shumë për të bërë”, vlerësoi Lila.
Ndryshe, raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flet se mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.
Ardita Tahirukaj, udhëheqëse e zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë tha se qeveritë e kanë fuqinë në duart e tyre për t’i mbrojtur qytetarët nga sëmundjet e zemrës, të cilat shkaktohen nga duhani. Ajo tha se duhet të zbatohet Ligji si dhe pakot e cigareve të përmbajnë fotot, të cilat tregojnë për rreziqet shëndetësore nga duhani.
“Përdorimi i duhanit dhe ekspozimi në duhanpirje pasive janë shkaktarë të sëmundjeve kardiovaskulare, duke kontribuar me rreth 17 për qind të të gjitha vdekjeve kardiovaskulare në botë. Duhanpirësit kanë 2 deri në 4 herë më tepër gjasa të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, madje edhe të rriturit që i ekspozohen duhanpirjes pasive, kanë deri në 30 për qind gjasa të sëmuren nga këto sëmundje”, tha Tahirukaj.
Sidoqoftë, vetëm në Kosovë, për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan. Në bazë të këtyre statistikave të Doganave të Kosovës, del se qytetarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit. Kurse, për një person, mbi bazën e llogaritjeve nëse ai shpenzon një pako cigare në ditë, del se shpenzimet e tij vjetore arrijnë shumën minimale prej 600 eurosh.