Ndërlidhjet

Ligji për kontrollin e duhanit, pjesërisht i zbatueshëm


Gjatë një viti, në Kosovë hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan. Në bazë të këtyre statistikave të Doganave të Kosovës, del se qytetarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit.

Ndonëse Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në vitin 2013, zbatimi i tij nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Kështu thotë Arben Lila, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), qendër kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit.

"Tashmë është viti i tretë i zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, dhe derisa në fillim ka qenë shumë mirë i zbatueshëm, tashmë me kohë është zbehur. Mendoj se duhet të ketë kontroll më shumë. Tash është bërë praktikë që në orët e vona të pihet duhan në objekte afariste. Derisa, gjatë ditës nëpër pothuajse gjitha qytetet e Kosovës në hapësira të mbyllura zbatohet, aq sa është bërë monitorimi nga ana jonë".

Një çështje tjetër që në vazhdimësi është shtruar në debatet rreth zbatimit të Ligjit për duhanin, është ajo e ndarjes së hapësirave ku lejohet dhe ndalohet duhani, sidomos nëpër lokale.

Arben Lila mendon se ndarje të tilla shpesh bien ndesh me ligjin.

"Disa lokale kanë ardhur me idenë që t'i mbulojnë me material najlloni hapësirat e hapura e që bjen në kundërshtim me ligjin. Sipas monitorimit nga qendra jonë më së shumti në Prishtinë shkelet Ligji për kontrollin e duhanit, në këtë aspekt", shtoi Lila.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë se improvizimi i hapësirave është në kundërshtim me Ligjin për kontrollin e duhanit. Ai flet edhe për të dhënat e grumbulluara për shqiptim gjobash për shkelje të ligjit.

"Në bazë të të dhënave nga inspektorati sanitar, prej hyrjes në fuqi të Ligjit për kontrollin e duhanit, janë shqiptuar 245 dënime, derisa vetëm në muajin dhjetor të vitit 2015 janë shqiptuar 71 dënime",

"Edhe Policia e Kosovës në bazë të ligjit është një mekanizëm që bën monitorimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, dhe të dhënat nga autoritetet e rendit tregojnë që ky institucion ka qenë aktiv dhe i ka mbështetur institucionet relevante për shkeljen e ligjit.

Janë shqiptuar 120 gjoba dhe 89 asistime të inspektorateve të ndryshme, derisa në vitin 2014, 133 gjoba janë shqiptuar gjithsej, derisa Policia e Kosovës ka marrë pjesë në 65 raste duke asistuar inspektorë", tha Hoti.

Ibrahim Tershnjaku, inspektor sanitar, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se si është paraparë të jetë hapësira e mbyllur me material nga najlloni, dhe të mos jetë në kundërshtim me ligjin.

"Çështja e zbatimit të ligjit është variabile. Gjatë sezonit të dimrit ka vështirësi në moszbatim, meqë disa subjekte nuk e respektojnë. Sipas një udhëzimi administrativ që rregullon çështjen e ndarjes së hapsirave, thuhet se ato duhet të jenë 50 për qind të hapura dhe 50 për qind të mbyllura".

Ndryshe, udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, konsideron se Ligji për kontrollin e duhanit duhet të zbatohet në tërësi, duke cekur se nga ky ligj, kosovarët do të kenë së pari dobi shëndetësore, pastaj ekonomike, të mjedisit, dhe sociale.

Syla gjithashtu ka thënë se ndalimi i tymosjes në vende publike do të dëshmojë faktin se do të shpëtohen me mijëra jetë njerëzish, me mijëra sëmundje dhe do të kursehet buxheti i limituar i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e këtyre sëmundjeve, sepse dihet që vdekjet e parakohshme që ndodhin në Kosovë, janë si pasojë e duhanpirjes.

Sidoqoftë për subjektet afariste është paraparë që gjoba të jetë deri në 3 mijë euro, derisa për personin fizik 50 euro, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG