Në Kosovë, dy gjuhë zyrtare në distancë

Platforma Vocup për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe.

Çështja e mësimit të gjuhëve zyrtare në Kosovë, përmes sistemit arsimor, nuk është rregulluar as dy dekada pas përfundimit të luftës, ndonëse hulumtimet e Zyrës së Komisionarit për Gjuhët, që funksionon në kuadër të zyrës së Kryeministrit, tregojnë se ka ardhur koha për një gjë të tillë.

Në Kosovë, gjuha shqipe dhe serbe janë në përdorim zyrtar, por që nga konflikti në Kosovë, institucionet arsimore funksionojnë në sisteme të ndara dhe nuk kanë pika kontakti.

Pra, në shkollat, të cilat në Kosovë funksionojnë sipas sistemit serb, gjuha shqipe nuk mësohet. Ndërkaq, as gjuha serbe nuk mësohet në shkollat ku mësimi zhvillohet sipas planit dhe programit të Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

A është shoqëria gati për mësimin e gjuhëve?

Komisionari për gjuhët në Kosovë, Slavisha Mladenoviq, beson se e gjithë shoqëria kosovare është e gatshme për futjen e mësimit të gjuhës shqipe, përkatësisht gjuhës serbe, përmes sistemeve arsimore, duke theksuar se analizat dhe hulumtimet e tyre tregojnë diçka të tillë.

Megjithatë, ai shton se përgjigja ndaj kësaj pyetje varet edhe nga ajo se “kë e pyesni”.

“Nëse pyet politikanët, ata do të thonë se shoqëria nuk është e gatshme për këtë dhe mendoj se shumica e tyre gjejnë interesin në ato ndarje. Besoj se shoqëria si shoqëri është vërtet e gatshme”, tha Mladenoviq për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Dygjuhësia, hallkë e integrimit

Si mbështetje për pretendimet e tij, ai e përmend platformën e mësimit të gjuhës online, e cila sipas tij, vizitohet nga rreth 70 mijë njerëz nga komunitete të ndryshme. Ai shton se pikërisht këto të dhëna tregojnë se njerëzit e thjeshtë duan të mësojnë gjuhët e fqinjëve të tyre.

Bëhet fjalë për platformën “Vocup” për mësimin e gjuhës serbe dhe shqipe, e cila është nisur në vitin 2019 nga organizata joqeveritare Qendra për Iniciativa Sociale. Për këtë platformë organizata mori mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, IOM-it, Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe Zyrës së Komisionarit për Gjuhët.

Kjo platformë përmban video-leksione, shpjegime teksti, ushtrime dhe një fjalor të shprehjeve të reja. Është e qasshme përmes faqes së internetit, si dhe përmes aplikacioneve për Android dhe iOS.

Mundësia e integrimit gjuhësor përmes lëndëve me zgjedhje

Më 26 shtator, në Ditën Evropiane të Gjuhëve, Qeveria e Kosovës njoftoi se Kosova është një shoqëri shumëgjuhëshe dhe se kjo vlerë ka rrënjë të thella.

Dita Evropiane e Gjuhëve është vendosur të shënohet nga Këshilli i Evropës, në vitin 2001, me qëllim të mirëkuptimit më të mirë mes njerëzve që i përkasin komuniteteve të ndryshme, zhvillimit të tolerancës dhe promovimit të rëndësisë së mësimit të gjuhës.

SHIKONI EDHE: “Më fal”, në katër gjuhë

Nga Qeveria e Kosovës, thonë se gjatë vitit të kaluar, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Zyrën e Komisionarit për Gjuhët, është krijuar korniza e kurrikulës së Kosovës, e cila hap mundësinë e integrimit të gjuhëve të komuniteteve, si lëndë zgjedhore.

“Kosova mbetet fuqishëm e përkushtuar në promovimin e vlerës së shumëgjuhësisë, duke pasur parasysh se kjo vlerë është mjet për ruajtjen e karakterit të pasur dhe të larmishëm të shoqërisë sonë”, thuhet ndër të tjera.

Po ashtu, që nga viti i kaluar akademik, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës funksionon programi katërvjeçar i studimit i quajtur Ballkanistika. Në kuadër të atij programi mësohet edhe gjuha serbe dhe një nga qëllimet është promovimi i komunikimit ndërgjuhësor dhe ndërkulturor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në vitin aktual akademik janë regjistruar 15 studentë në programin e studimeve Ballkanistika.

“Kemi një numër të mirë studentësh që kanë aplikuar për Ballkanistikën në Universitetin e Prishtinës. Në përgjithësi mendoj se është rritur ndërgjegjësimi për domosdoshmërinë e mësimit të gjuhës së mjedisit dhe se një numër gjithnjë e më i madh i të rinjve e kuptojnë pse është e rëndësishme”, tha komisionari për gjuhët, Slavisha Mladenoviq.

...këndoj në shumë gjuhë, përfshirë shqipen, më pëlqen theksimi i fjalëve, sidomos te këngët. Kanë muzikë të mirë.

Individët u japin përparësi gjuhëve “të huaja” të tjera

Milana (18), nxënëse në klasën e katërt të shkollës së mesme të mjekësisë në Graçanicë, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, nuk është kundër futjes së mësimit të gjuhës shqipe përmes sistemit arsimor në Kosovë, por megjithatë i jep përparësi gjuhëve të tjera “të huaja”.

Ajo konsideron se gjuhën shqipe mund ta mësojë jashtë shkollës dhe thotë se “njeriu është më i pasur kur flet më shumë se një gjuhë”.

“Këtë e them nga shembulli im personal. Unë merrem me këngën dhe këndoj në shumë gjuhë, përfshirë shqipen, më pëlqen theksimi i fjalëve, sidomos te këngët. Kanë muzikë të mirë”, tha kjo nxënëse për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Pranvera nga Prishtina, nënë e një fëmije që shkon në shkollë fillore, thotë se “në këtë moment nuk do të dëshironte që ai ta mësojë gjuhën serbe përmes sistemit arsimor”.

“Konsideroj që në këto rrethana , si nënë, nuk do të pranoja që fëmija im të mësojë gjuhën serbe si lëndë e detyrueshme dhe madje as si lëndë zgjedhore, sepse nuk shoh nëvojën për një gjë të tillë”, tha ajo, duke sqaruar se gjuha serbe nuk është “internacionale” sikurse anglishtja ose gjermanishtja.

SHIKONI EDHE: “Gjithçka është më e lehtë” kur e dini gjuhën

Pse mësimi i gjuhës është një çështje “e ndjeshme”

Ivana Arsiq është mësuese e gjuhës serbe dhe i përket brezit që dikur studionte gjuhën shqipe në shkollë. Përkundër kësaj, ajo thotë se rifutja e mësimit të gjuhës është një çështje “e ndjeshme” si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Ajo konsideron se për një nismëtë tillë eventuale, do të duhej të gjithë të deklaroheshin përmes referendumit.

“Kjo më shumë është çështje e natyrës politike. Ne ende nuk jemi pjekur që të mësojmë gjuhën joamtare, që serbët të mësojnë shqipen, ndërkaq shqiptarët serbishten. Kjo do të duhej të zgjidhet në një nivel më të lartë. Unë mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte një referendum dhe të gjithë të vendosim për këtë. Por, mendoj se të gjithë jemi ende të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje”, thotë profesoresha Arsiq.

Pas luftës, shoqëria kosovare është e ndarë, ndërkaq Kosova dhe Serbia po përpiqen të arrijnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

SHIKONI EDHE: Çfarë gjuhe flet brusha e pikturës në Lepinë?

Po ashtu, Zana Hoxha nga organizata joqeveritare Artpolis, e cila ndër të tjera promovon dialogun social, tregon se shoqëria kosovare ka kaluar një periudhë të vështirë të luftës dhe të pasluftës, prandaj është e vështirë të futet si lëndë të mësuarit e gjuhës përmes institucioneve arsimore.

Ajo po ashtu thekson se gjeneratat e vjetra nga radhët e komunitetit shqiptar, kryesisht flasin serbisht sepse, siç thotë ajo, në kohën e Jugosllavisë, e më pas edhe në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, nuk mund të funksiononin pa e ditur gjuhën.

Aktualisht, për shkak të sistemit “paralel” të arsimit, ajo nuk sheh mundësi që brezat e rinj të mësojnë shqip, përkatësisht serbisht, në shkollë.

“Derisa të ndryshojë një situatë e tillë dhe derisa sistemi arsimor të mos jetë unik, nuk shoh se mund të ketë përparim në këtë drejtim, sepse ka shumë mllef mes dy grupeve etnike, në aspektin zyrtar”, thotë ajo.

Gjuha dhe toleranca

Megjithatë, Hoxha vlerëson se situata është më e e ndryshme nga aspekti social.

“Gjatë punës dhe aktiviteteve tona me të rinjtë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, shoh dëshirën dhe vullnetin për të folur një gjuhë tjetër, sidomos tek të rinjtë shqiptarë dhe serbë. Në punëtoritë tona janë të kënaqur kur mësojnë gjuhën e të tjerëve”, thotë Hoxha.

Your browser doesn’t support HTML5

Dy emra dhe dy zile në një shkollë

Ai rithekson se mësimi i gjuhës shqipe apo serbe është një temë e ndjeshme, por që mund të kontribuojë për tolerancë dhe si shembull ai përmend punëtoritë e tyre ku promovohet shumetniciteti dhe dialogu social përmes aktiviteteve kulturore dhe artistike.

“Ne i përfshijmë të rinjtë në shfaqje, trajnime, punë vullnetare dhe i inkurajojmë të flasin në gjuhët e tyre. Gjithashtu u ofrojmë përkthim që të gjithë të dëgjojnë gjuhët, të njohin dallimet dhe të përbashkëtat, por edhe të shkëmbejnë kulturat”, thotë ajo.

Ai gjithashtu konstaton se të rinjve në Kosovë, nga radhët e të gjitha komuniteteve, u ofrohet mundësia e integrimit përmes artit, veçanërisht teatrit.

“Ai përfaqëson anën krijuese të ligjëratave, ku publiku nuk është një dëgjues pasiv, siç ndodh në shkolla, por është një pjesëmarrës aktiv i temës, e cila mund të kontribuojë në mënyra të ndryshme në zhvillimin e shoqërisë, duke trajtuar tema të ndryshme, duke përfshirë edhe çështjen e gjuhës”, thotë Hoxha.

Në botë ekzistojnë rreth gjashtë deri në shtatë mijë gjuhë, ndërkaq sipas të dhënave nga Komisioni Evropian, në kontinentin e Evropës janë në përdorim dhe rreth 200 gjuhë të ndryshme.

Përgatiti: Bekim Bislimi