Përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave pritet të jetë një nga sfidat edhe për Qeverinë e re të Kosovës, të drejtuar nga Ramush Haradinaj. Kriteret për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ishin dhe mbeten në agjendën politike të të gjitha Qeverive të Kosovës, që nga viti 2010 e këndej.
Aktualisht, kanë mbetur dy kriteret e fundit, përkatësisht kriteri për luftimin e korrupsionit dhe ai për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Njohësit e çështjeve integruese evropiane rikujtojnë se që nga viti 2010, liderët e Kosovës kanë premtuar heqjen e vizave, ndërkohë që sipas tyre, ka munguar vullneti për të bërë edhe dy hapat e fundit.
Në Ministrinë e Integrimit Evropian thonë se fillimi i punës së Qeverisë së re është më se i mirëseardhur, në veçanti sa i përket përmbylljes së çështjeve dhe obligimeve karshi Bashkimit Evropian.
Ministrja për Integrim Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se kriteret e BE-së janë të qarta sa i përket liberalizimit të vizave dhe, sipas saj, puna e Qeverisë së re, duhet të fokusohet ndër të tjera në plotësimin e tyre.
Sipas saj, do të shtohen angazhimet, duke kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të intensifikojnë punën për plotësimin e kritereve.
"Tani për tani Kosova ka obligime dhe duhet përmbushur. Pas plotësimit të kushteve, atëherë vazhdon procesi i koordinimit me institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave. Qeveria e re dhe unë personalisht, si ministre, jemi të përkushtuara që të kemi një qasje proaktive në avancimin e agjendës evropiane", thotë Hoxha.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane thonë se Kosova ka mbetur vonë në procesin e liberalizimit e vizave dhe si rrjedhojë, institucionet dhe liderët politikë duhet të bashkëpunojnë dhe t'i kryejnë obligimet në mënyrë që qytetarët të fitojnë të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.
Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht procesi i liberalizimit të vizave është i bllokuar te çështja e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Ky bllokim, sipas Mazrekut, do të vazhdojë derisa nuk ka një kompromis nacional ndërmjet partive politike në pushtet dhe opozitë.
"Ky kompromis nacional duhet t’i tejkalojë ndarjet partiake, klanore, politike eventuale dhe duhet të ketë një kompromis nëse vërtet kjo klasë politike dëshiron të shtyjë agjendën tutje. Mendoj se nuk do të duhej të kishte vonesa nëse kjo klasë politike e ka vullnetin politik që të shtyjë përpara agjendën shtet-formuese të Kosovës", konsideron Mazreku.
Kurse, Fatmir Curri, po ashtu, njohës i integrimeve evropiane thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova vitin e kaluar e ka humbur mundësinë kur Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për kosovarët, duke i caktuar dy kushtet e fundit, atë për luftimin e korrupsionit dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Curri konsideron se tani kjo çështje për Kosovën ka ngecur keq.
"Momenti që ka qenë për Kosovën vitin e kaluar, nuk është këtë vit. Evropa po përballet me një valë të madhe të migrimit masiv nga vendet e Afrikës së Mesme përmes Mesdheut, kryesisht përmes Spanjës dhe Italisë. Pastaj vetë azilkërkuesit nga luftërat e Sirisë kanë nxitur reagime te vendimmarrësit e BE-së dhe te popullata rreth gatishmërisë për të pranuar vende të reja që t'u hiqen vizat”.
“Natyrisht, ne presim angazhim dhe dinamikë të shtuar, sidomos te kriteri i parë për Kosovën, i cili është më i prekshëm sa i përket luftimit të korrupsioni dhe krimeve të larta që e ka cekur Komisioni Evropian", thekson Curri.
Curri mendon se për të shkuar përpara çështja e liberalizim të vizave, fillimisht duhet punë më e madhe në Kosovë për kriteret e mbetura dhe po ashtu një konsensus i gjerë politik.
"[Demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit] duhet të finalizohen siç duhet, që nënkupton që të sigurohet pranueshmëria [në BE]. [Nevojitet] Konsensusi i gjerë, aprovimi i demarkacionit, zbatimi dhe dinamikë e shtuar në kriterin e luftimit të korrupsionit", shprehet Curri.
Për shkak të mospërmbushjes së kritereve të fundit, qytetarët e Kosovës mbeten ende të vetmit në këtë pjesë të Evropës të izoluar.
Pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, zyrtarë nga Bashkimi Evropian kanë kërkuar që institucionet të mos vonojnë në përmbushjen e kritereve, nëse synojnë liberalizimin e vizave në një afat më të shpejtë.