Një vend ku papunësia arrin normën e rreth 30 për qind, e kompanitë ankohen se nuk po gjejnë punëtorë mund të tingëllojë si paradoks, por kjo po e përcjell Kosovën muajve të fundit.
Kompani në sektor të ndryshëm në Kosovë flasin për mungesë të madhe të punëtorëve. Shumë prej tyre thonë se po detyrohen që të kërkojnë punëtorë nga vendet fqinje, pasi që nuk arrijnë që të gjejnë punëtorë në vend.
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se me këtë problem po përballen kompanitë prodhuese, ndërtimore dhe ato të tregtisë.
SHIKONI EDHE: Në Kosovë rritet shkalla e papunësisëKryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se mungesa e punëtorëve ka ardhur si pasojë e asaj që punëkërkuesit edhe mund të jenë dekurajuar nga mundësia që të gjejnë një punë në sektorin privat me kushte të mira.
“Kjo nuk është diçka që nuk i ka përcjellë vendet tjera, ku një numër i madh i njerëzve nuk kërkojnë punë për shumë arsye ose janë të dekurajuar që të gjejnë një punë më kushte të barabarta ose janë të dekurajuar nga kushtet që ekzistojnë në vendin e punës. Në rastin e Kosovës mund të jetë edhe diaspora që shumë njerëz i bënë të pamotivuar që të kërkojnë punë. Po ashtu ka disa vende të punës ku punëdhënësit nuk arrijnë të gjejnë punëtorë të përgatitur për vendin e caktuar të punës”, thotë Rukiqi.
Sa i përket mjeteve nga diaspora, ato mbesin një burim i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë. Në vit, vlera e parave të dërguara nga diaspora, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, arrin shumën e rreth 600 milionë eurove.
Ndërkohë, si arsye tjetër e mosinteresimit të punëkërkuesve për të punuar në sektorin privat janë kushtet e punës dhe pagat që nuk janë si ato të cilat ka sektori publik.
* Video nga arkivi: Panairi i punës 2018
Your browser doesn’t support HTML5
Arsim Gashi, punëkërkues, thotë se kërkon punë vetëm në sektorin publik dhe jo atë privat, pasi që, siç thotë ai, kushtet e punës janë më të mira.
“Po në sektorin privat punon me orar të gjatë dhe me pagë më të ulët, po ashtu nuk ke kurrfarë sigurie, ata mund të të largojnë kur të duan nga puna. Në sektorin publik kjo nuk ndodh, aty respektohen të drejtat e punëtorëve”, thotë ai.
Brahim Selimaj pronar i kompanisë ndërtimore “Elsa”, e cila veprimtarinë e saj e zhvillon në Prishtinë dhe në Pejë, tregon se ka probleme të mëdha për gjetjen e punëtorëve. Sipas tij, kjo mungesë e punëtorëve do të bëhet edhe më e theksuar në të ardhmen.
“Për punëtorët që janë të kualifikuar në ndërtim të lartë, do të ketë mungesë edhe më të madhe në prag të liberalizmit të vizave pasi që shtetet, si Gjermania, kanë hapur mundësitë që punëtorëve të kualifikuar në ndërtimtari, t’iu ofrojë punë, Gjermania ka nevojë për punëtorë që kanë kualifikime të larta dhe të mesme, në veçanti ndërtimi i vrazhdë dhe në të gjitha segmentet që janë të ndërlidhura me ndërtimtari”, thotë ai.
SHIKONI EDHE: Paga 450 euro, por nuk punojnëNdërkohë, sipas përfaqësuesve të Sindikatës së pavarur të sektorit privat, mungesa e punëtorëve ka ardhur si pasojë e kushteve jo të mirë të punës në sektorin privat.
Jusuf Azemi, kryetar i kësaj Sindikate thotë për Radion Evropa e Lirë se orari i stërzgjatur i punës, puna pa kontratë, niveli i ulët i sigurisë në punë dhe pagat e ulëta janë arsyet kryesore që kanë bërë që punëkërkuesit të mos e shohin sektorin privat si mundësi punësimi.
“Punëkërkues ka pasur dhe ka mjaftueshëm, por ata hezitojnë të punojnë në sektorin privat për shkak të shkeljeve të drejtave të punëtorëve që janë bërë në vazhdimësi Ne me kohë kemi tërhequr vërejtjen se sektori privat nuk është duke i trajtuar si duhet punëtorët. Është e vërtet se po ndihet mungesa në profile të caktuar, por po ndihet edhe mungesa në punëtorëve të pakualifikuar”.
“Pronarët e kompanive nuk kanë dashur të respektojnë Ligjin e punës. Nëse ata do të vazhdojnë shkeljen e drejtave të punëtorëve dhe të vazhdojnë t’i paguajnë punëtorët me paga të ulëta jam shumë i bindur që përveç që nuk do të kenë punëtorë do të detyrohen edhe të mbyllen”, thotë ai.
I gjithë ky mos interesim i punëkërkuesve për të punuar në sektorin privat, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka shtyrë bizneset që të bëjnë strategji për të ardhmen, në mënyrë që mungesa e punëtorëve të mos ndikojë në veprimtarinë e tyre.
“Ne jemi në diskutime me bizneset. Ka orientime që sektori prodhues të bëjë automatizmin e vendeve të punës nëse ka mungesë të stafit. Ka biznese që kanë filluar me mendojnë edhe strategjinë e tyre duke krijuar kushte më të mira të punës”, bën të ditur Rukiqi.
Sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2016 ishte 525 euro, duke u rritur për 118. Kurse, sektori privat, në vitin 2012 kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, e në vitin 2016 kishte 371 euro, që u rrit për vetëm 4 euro.