Ndërlidhjet

Migrimi, një nga arsyet për rritje të papunësisë për tre përqind


Në Kosovë, muajt e fundit është rritur shkalla e papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e dytë të këtij viti shkalla e papunësisë ka arritur në 29.4 për qind, krahasuar me 26.5 për qind në tremujorin paraprak.

Në mesin e të papunëve është edhe Bleart Kukaj, student në Fakultetin Juridik. Ai nuk ka qenë i punësuar asnjëherë dhe nuk shpreson se pas përfundimit të studimeve të sigurojë ndonjë vend pune.

“Për të rinjtë nuk po shoh se ka ndonjë perspektivë në Kosovë. Edhe përfundimi i studimeve nuk siguron ndonjë vend pune. Unë jam shumë i zhgënjyer me institucionet e Kosovës sa pak po bëjnë për të krijuar mundësi për hapjen e vendeve të punës. Ne veç e përfundojmë fakultetin edhe mbesim në shtëpi”, tha Kukaj.

Sipas tij, ata pak persona që arrijnë të punësohen në institucionet publike bëhen pa meritë dhe pa plotësuar kriteret.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se rritja e shkallës se papunësisë për 3 përqind ka ardhur për shkak të mosrealizimit të projekteve kapitale dhe migrimi i të rinjve jashtë Kosovës.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kohëve të fundit të rinjtë të cilët po hyjnë në tregun e punës, po arrijnë të gjejnë vende pune, për një periudhë kohore në vendet e Evropës Perëndimore.

"Ajo që ka ndikuar në rritjen e shkallës se papunësisë është fakti se pjesa dërmuese e të rinjve që po hyjnë në tregun e punës po migrojnë legalisht, kryesisht në Gjermani, e cila është absorbuesi kryesor i të rinjve dhe profesionistëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë Gashi duke shtuar se po mos të ndodhte largimi i të rinjve nga Kosova në shtetet perëndimore, shkalla e papunësisë do të ishte edhe rreth 20 për qind më e lartë.

Papunësia, sipas sociologëve është parë si shkaktari kryesor edhe i veprimeve tjera, qoftë i përfshirjes së qytetarëve në veprime jolegale apo edhe i largimit të tyre nga vendi.

Gjatë nëntorit 2014 - qershorit 2015, ishte shënuar një fluks i madh i largimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet e Evropës Perëndimore. Arsyeja e largimit të këtyre banorëve nga Kosova ishte thënë të ishte papunësia dhe gjendja e rëndë ekonomike e tyre.

Ndryshe, faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e shkallës se papunësisë, sipas Gashit është edhe punësimi joformal në sektorë të ndryshëm.

“Sektorët ku punësimi joformal është më i pranishëm është ai i ndërtimtarisë dhe bujqësisë. Pjesa dërmuese e bizneseve nuk i deklarojnë të punësuarit, nuk paguajnë tatime në të ardhura dhe as kontribute pensionale”, tha Gashi.

Sipas anketës së publikuar nga Agjencia e Statistikave, e cila është realizuar me rreth 3,500 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, thuhet se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune.

Papunësia më e theksuar paraqitet te femrat me 30.6 për qind krahasuar me meshkujt 29.1 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.0 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG