Edhe pse termocentralet e Kosovës janë në mesin e ndotësve më të mëdhenj në Evropë, Kosova ende nuk ka afate të qarta për zvogëlimin apo braktisjen e prodhimit të energjisë elektrike përmes djegies së thëngjillit.
Kosova, sasinë më të madhe të energjisë elektrike e prodhon nga djegia e thëngjillit në termocentralet e Obiliqit.
Kjo lëndë konsiderohet si një nga ndotëset më të mëdha të ajrit dhe shumë vende në Evropë janë duke krijuar strategji për të hequr dorë prej saj.
SHIKONI EDHE: As miliardat nuk e largojnë varësinë nga thëngjilliQeveria e Kosovës, më 18 nëntor të vitit 2021, ka prezantuar grupin punues për hartimin e një strategjie të ngjashme.
Atëbotë është thënë se Strategjia Kombëtare e Energjisë 2022-2031 “do të sigurojë një tranzicion energjetik, që për vizion ka dekarbonizimin deri në vitin 2050”.
Në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se kur do të përfundojë hartimi i strategjisë dhe nëse ky dokument do të vendosë një datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i dekarbonizimit, apo mbylljes së termocentraleve me thëngjill.
Sipas organizatës mjedisore “Bankwatch Network”, me seli në Pragë të Çekisë, Kosova - për nga niveli i ndotjes që prodhojnë vendet e Ballkanit Perëndimor - renditet e treta, pas Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Serbia, duke emetuar sasinë më të madhe të ndotësve të ajrit në sasi absolute, ka pjesën më të madhe të prodhimit të ndotjes (44 për qind), e ndjekur nga Bosnje e Hercegovina me 23 për qind, Kosova me 18 për qind, Maqedonia e Veriut me 11 për qind dhe Mali i Zi me 5 për qind”, thuhet në një raport të kësaj organizate, të publikuar në fillim të këtij viti.
Shqipëria nuk shkakton fare ndotje gjatë prodhimit të energjisë, pasi nuk ka asnjë termocentral.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Sipas “Bankwatch Network”, Kosova prin me sasinë e prodhuar të pluhurit dhe të oksideve të azotit (NOx), që e lëshojnë termocentralet.
Pippa Gallop, këshilltare për energjinë për Evropën Juglindore, në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është vonuar sa i takon përcaktimit të kohës se kur do të jetë në gjendje të heqë dorë nga thëngjilli për prodhim të energjisë.
“Fakti që Strategjia e re e Energjisë [e Kosovës] nuk është ende gati, nuk është shenjë e mirë. Çështja është se ato termocentrale janë aty dhe ndoshta ato do të jenë në gjendje të punojnë edhe për disa vite. Nga këndvështrimi i politikave do të ishte në rregull nëse Kosova do të largohej nga thëngjilli deri më 2030 - 2035, pra t’i mbyllë ato termocentrale ekzistuese”, vlerëson Gallop.
Ajo thotë se nuk beson që termocentralet e Kosovës do të jenë në gjendje të prodhojnë energji pas vitit 2035, për shkak të vjetërsisë.
“Ato termocentrale të Kosovës janë, vërtet, të vjetra dhe kapacitetet e reja solare dhe të erës duhet të vendosen sa më parë”, thotë Gallop.
Pavarësisht disa investimeve në burime alternative të energjisë së ripërtërishme, rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, 2.7 për qind nga hidrocentralet, si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet solare.
Kriza energjetike ia hapi sytë Kosovës
Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, në Kosovë kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike si pasojë e një krize globale energjetike.
E gjendur në këtë situatë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve të reja për energji të ripërtërishme, përfshirë atë solare dhe të erës.
Your browser doesn’t support HTML5
Më 11 mars është vënë në funksion parku i prodhimit të energjisë nga era, i cili ndodhet në fshatrat Bajgorë dhe Selac të Mitrovicës së Jugut.
Ky park i erës, që përfshin 27 turbina, mbulon 10 për qind të kapacitetit prodhues që ka Kosova.
Më 24 mars, Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile edhe ndërtimit të një projekti solar në vlerë prej 64 milionë eurosh në komunën e Obiliqit.
Sipas Qeverisë së Kosovës, ky projekt, mes tjerash, nënkupton: reduktim të dyoksidit të karbonit për 40 mijë tonë në vit; reduktim të kërkesës për energji elektrike për qëllime të ngrohjes dhe kyçje në rrjetin e ngrohjes për 12 mijë familje apo 60 mijë banorë.
Syla: Kriza nuk duhet ta pengojë Kosovën që të punojë drejt dekarbonizimit
Lulëzim Syla, njohës i fushës së energjisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza globale energjetike dhe pushtimi rus i Ukrainës e bëjnë të paparashikueshëm normalizimin e situatës energjetike.
Kriza botërore energjetike është theksuar sidomos në pjesën e dytë të vitit 2021, kur bizneset u janë rikthyer aktiviteteve, të cilat janë pezulluar gjatë pandemisë COVID-19.
Kriza është thelluar tutje nga 24 shkurti, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës. Rusia është në mesin e furnizueseve kryesore të Evropës me gaz dhe lufta ka shkaktuar lëkundje në tregje.
Por, kjo krizë nuk duhet ta pengojë Kosovën që të punojë në drejtim të nxitjes së investimeve në burime të ripërtërishme, thotë Syla.
“Qeveria, edhe në kuadër të strategjisë, por edhe të mekanizmave të tjerë, duhet të veprojë më shpejt në gjetjen e alternativave për mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve në fushën e efiçiencës së energjisë - si potencial shumë i madh për kursim të energjisë, por duhet të nxisë edhe investime në burime të ripërtërishme”, thotë Syla.
Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë për shkak se shumë amvisëri ngrohen me rrymë, duke përdorur pajisje joefiçiente, pra të tilla që shpenzojnë shumë energji elektrike.
Pajisjet efiçiente në treg kanë një çmim më të lartë sesa pajisjet e thjeshta.
Kosova, aktualisht, ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë energji elekrike në ditë, kurse konsumi në kohën e dimrit arrin deri në 26 mijë megavatë në ditë. Këtë diferencë, Kosova zakonisht e importon.
SHIKONI EDHE: Qytetarët pa alternativa – Përdorin energjinë elektrike për ngrohjeKur do të largohet rajoni nga thëngjilli?
Vendet e BE-së kanë vendosur afate specifike se kur do të ndalojnë përdorimin e thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike. Por, një gjë të tillë kanë ngecur ta bëjnë shumë vende të Ballkanit Perëndimor, thuhet në një publikim të organizatës evropiane të mjedisit, Europe Beyond Coal.
Kosova është zotuar se do të heqë dorë nga thëngjilli deri në vitin 2050, Mali i Zi deri në vitin 2035, ndërsa Maqedonia e Veriut është zotuar se do t’i mbyllë termocentralet më së largu deri në vitin 2027.
Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk kanë caktuar ende ndonjë datë.