Vaksinat drejt fundit, shpresat te donatorët

Një grua dhe një burrë pushojnë pasi kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës AstraZeneca në një qendër vaksinimi në Prishtinë, 13 Prill 2021.

Kosova ende është duke u mbështetur tek donatorët, kur është fjala për furnizim me vaksina kundër COVID-19.

Momentalisht, janë duke u administruar dozat e fundit te vaksinës AstraZeneca, të cilat Kosova i pranoi si donacion në fund të marsit përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfëra. Kosova nga ky program fitoi 24 mijë doza.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë thotë se deri më 23 prill me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona.

Pra, aktualisht Kosova në dispozion ka vetëm rreth 1.900 doza të vaksinës.

SHIKONI EDHE: Kosova, gati të mbetet pa vaksina

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, nuk do të ketë vaksinime kundër COVID-19 gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët në vijim, pasi janë administruar të gjitha dozat që ka pasur kjo qendër.

“Vaksinimi në këtë qendër do të fillojë kur të arrijnë doza të tjera, derisa në ato komuna (QKMF) ku ka ende doza të pa administruara, vaksinimi do të vazhdojë ditët në vijim, deri në dhënien e të gjitha dozave në dispozicion”, thuhet në njoftim.

SHIKONI EDHE: Opozita kritikon menaxhimin e pandemisë, thërret debat parlamentar

Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, thanë se nga UNICEF-i, është bërë e ditur se 76 mijë e 800 doza të tjera përmes COVAX, mund të vijnë të ndara në dy kontingjente: njëri në fund të prillit e tjetri në maj.

Ministria, po ashtu, tha se 95 mijë doza të vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian, do t'i jepen Kosovës në periudhën maj-gusht. Shtohet se negociatat me partnerë të ndryshëm për të siguruar më shumë doza po vazhdojnë.

“Sigurisht që është kërkuar ndihmë nga shtete të tjera, asnjë shtet i vogël nuk ia del i vetëm që të sigurojë vaksina të mjaftueshme, pa ndihmën e partnerëve më të fortë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

SHIKONI EDHE: Kosova do të marrë nga BE-ja 95,000 doza të Pfizer/BioNTech

Vaksinimi nuk duhet ndalur

Infektologu Hamdi Ramadani, thotë se vaksinimi nuk do të ishte mirë të ndërpritej dhe se duhet të ketë doza të tjera që të vazhdohet më vaksinimin.

Kosova, shton ai, nuk duhet të vonohet në sigurimin e vaksinave, pasi që në pyetje është jeta e secili qytetarë. Ai shpreson që në një të ardhme të afërt, brenda disa ditëve, autoritetet të sigurojnë dozat tjera të vaksinave, në mënyrë që qytetarët të imunizohen.

“Vaksinimi është arma kryesore për ta luftuar pandeminë. Sa më shumë qytetarë që vaksinohen ne do të arrijmë ta zvogëlojmë numrin e të infektuarve dhe me të rëndësishmen, numrin e vdekjeve do ta ulim”, thotë Ramadani.

Krahasuar me vendet e rajonit Kosova ka numrin më të vogël të popullatës së vaksinuar kundër koronavirusit.

Në Serbi, 3.1 milionë persona e kanë marrë dozën e parë të vaksinën dhe 1.2 milion kanë marrë edhe dozën e dytë.

Në Shqipëri, deri më datën 23 prill, janë vaksinuar afër 400 mijë persona.

Në Maqedoninë e Veriut, deri më 18 prill, janë vaksinuar mbi 35 mijë qytetarë, me një ose të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Kosovës, Qeveria e Kosovës obligohet që të sigurojë për të gjithë qytetarët vaksina të mjaftueshme kundër koronavirusit.

Shpenzimet për vaksinën kundër COVID-19, sipas këtij ligji, i mbulon Qeveria e Kosovës nga buxheti i saj, nga donatorët apo përmes kredive që i merr shteti.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, që nga marsi i vitit 2020, ka arritur në 103.480, prej të cilëve 90.328 janë shëruar ndërsa 2.118 kanë vdekur.