Në qytetin e Korçës në Shqipëri, është mbajtur mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo është mbledhja e katërt e përbashkët e qeverive të dy vendeve, e cila, siç është thënë në takim, ka për qëllim përparësitë e ndërveprimit ndërmjet dy shteteve, harmonizimit të mëtejshëm të interesave të përbashkëta, në funksion të së ardhmes evropiane dhe të prosperitetit të botës shqiptare.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka theksuar se tradita e konsoliduar e mbledhjes së dy qeverive është jo vetëm pozitive, por edhe produktive. Sipas tij, që nga nisja e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, rezultatet janë konkrete, të dukshme dhe shpresëdhënëse.
Kryeministri Rama ka theksuar se tashmë janë në zbatim e sipër disa marrëveshje dhe protokolle për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, heqjen e barrierave tarifore, unifikimi i certifikimit të mallrave, lehtësimin e procedurave dhe të kostos doganore, si dhe procedurave të transitit. Ai ka thënë se po punohet për hapjen pikave tjera doganore ndërmjet dy vendeve, në linjën e ndërlidhjes energjetike, linjën e furnizimit me gaz të Kosovës, rritjen e interesit të ndërsjellë në fushën e biznesit. Thellimi i partneritetit strategjik, siç ka thënë kryeministri Rama, është proces me sfida që kërkon kurajo nga të dyja palët.
“Të gjithë në Shqipëri dhe në Kosovë presin, me plotë të drejtë, shumë më tepër akoma prej nesh. Është e nevojshme në këtë stad që ne ta konkretizojmë hap pas hapi partneritetin strategjik me Kosovën, duke e bërë atë gjithëpërfshirës dhe me synimin për ta kthyer, në çdo hap, në një shembull inkurajimi dhe frymëzimi për bashkëpunimin rajonal në tërësi. Pikërisht në funksion të kësaj ambicie të rëndësishme, ne po angazhohemi të pajtohemi në këtë mbledhje drejt një qasje të re cilësore, që nxitë shkëmbimet e gjithfarshme, një ndërlidhje më të madhe dhe lëvizje të shtuar të vlerave dhe kapitalit tregtar dhe atij njerëzor”, ka thënë kryeministri Rama.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se ky viti i tanishëm pasqyron dhe përmbledh në vete ëndrrën e përbashkët euroatlantike, e cila më së mirë mund të realizohet së bashku ndërmjet dy vendeve. Haradinaj ka folur për të arriturat e Kosovës, duke thënë se Qeveria e saj po punon për forcimin e vendit në planin e brendshëm, pavarësisht disa sfidave specifike me të cilat përballet për shkak se është shtet i ri. Haradinaj ka thënë se Qeveria që ai udhëheq është e vendosur për zhvillimin e dialogut me Serbinë, por ka ripërsëritur qëndrimin e tij se në fazën e re të dialogut duhet të marrin pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dialogun e mendojmë tani në momentet finale dhe mendojmë se epilogu i dialogut duhet të sjellë njohjen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Që dialogu të arrijë epilogun e duhur, e mendojmë të nevojshme pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Në planin rajonal, ne jemi të interesuar që t’i thellojmë marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, me republikat rreth nesh. Besoj që kemi dërguar sinjale të duhura dhe këtë do ta bëjmë në vazhdimësi”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka kërkuar ndihmën dhe përkrahjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, për marrjen e njohjeve të reja, të cilat siç ka thënë ai, janë shumë të rëndësishme për forcimin e pavarësisë së vendit.
Pas takimit të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, ministrat e të dy vendeve kanë nënshkruar 12 marrëveshje bashkëpunimi, të cilat prekin fushën e politikës së jashtme, përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave, bashkëpunimin në fushën e diasporës, bashkëpunimi në fushën e kulturës, të bujqësisë, si dhe për themelimin e bursës së përbashkët të energjisë elektrike.