Çështja e sigurisë rrugore në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese, e sidomos për automjetet e rënda mbi 3.5 tonë, ku përfshihen edhe autobusët që qarkullojnë brenda vendit, vlerëson eksperti për çështje të komunikacionit, Muhamed Krasniqi, drejtor i kolegjit Tempulli.
Siguria në qarkullimin e autobusëve, sipas tij, varet nga faktorët teknikë dhe faktori njeri.
Por, nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thonë se megjithatë, Kosova ka një flotë të mirë të autobusëve, qoftë në aspektin teknik, qoftë në atë pamor, ndërkohë që Qendrat e Kontrollimit Teknik inspektohen në formë të rregullt, por edhe të jashtëzakonshme.
Megjithatë, edhe ekspertët e komunikacionit, por edhe zyrtarë të Inspektoratit, konsiderojnë që ekzistojnë raste kur në qarkullim ka edhe autobusë që nuk i përmbushin kriteret teknike.
SHIKONI EDHE: Vozitjet e gjata që çojnë në vdekjeKrasniqi: Gjendja e autobusëve, e pakënaqshme
Eksperti për çështje të komunikacionit, Muhamet Krasniqi, drejtor i kolegjit Tempulli në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga ajo që shihet në komunikacion, jo rrallë lindin dyshime, qoftë për autobusë të caktuar, nëse ata janë në gjendje të rregullt teknike, por edhe për shoferët të caktuar.
“Ne nuk mund të jemi të kënaqur me nivelin, me gjendjen teknike të automjeteve, por njëkohësisht edhe me kompetencën profesionale të shoferëve, si dhe me infrastrukturën rrugore në Kosovë. Këta shoferë, përveç që duhet të kenë kategorinë përkatëse të ngasjes, të bazuar në ligj, ata duhet të mbajnë edhe trajnime të vazhdueshme, në mënyrë që të njoftohen me të rejat dhe me plotësimin eventual të konventave, që janë të dedikuara për atë lloj transporti”, thotë Krasniqi.
Ai shton se bazuar në legjislacionin vendor, por edhe atë ndërkombëtar, automjetet që ofrojnë shërbime në transportin publik, në këtë rast të udhëtarëve, janë të obliguar që përveç kontrollit të rregullt teknik, duhet të kryejnë edhe kontrollin teknik periodik, të paktën dy herë në vit.
Për gjysmë viti, 38 gjoba për Qendrat e Kontrollit Teknik
Kontrolli teknik i automjeteve në Kosovë, bazuar në të dhënat që jep Departamenti i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kryhet në 135 Qendra të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, të cilat janë të licencuara nga kjo ministri. Prej këtij numri, 59 qendra të tilla shërbejnë për kontrollin teknik të automjeteve me masë mbi 3.5 tonë, që përfshijnë autobusët, por edhe kamionët për transport të mallrave.
SHIKONI EDHE: Arrijnë në Kosovë disa të mbijetuar të aksidentit në KroaciNë Qendrat e Kontrollimit Teknik bëhen tri lloje të kontrollimeve teknike: kontrollimet e rregullta vjetore, të cilat bëhen për të gjitha automjetet; kontrollimet periodike, që bëhen për të gjitha automjetet komerciale, ku hyjnë edhe ato me pesha të rënda, siç janë autobusët, si dhe kontrollimet e jashtëzakonshme, të cilat bëhen me autorizimin e policëve të trafikut ose personave tjerë përgjegjës.
Çerkin Dukolli, udhëheqës i Departamentit të Inspektoratit në këtë ministri, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se inspektimi i Qendrave të Kontrollit Teknik, për të parë nëse ato e kryejnë drejt punën për të cilën janë licencuar, bëhet katër deri në pesë herë në vit, varësisht nga puna që kanë këto qendra apo edhe nga ankesat, si dhe informacionet që marrin nga terreni.
Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, siç thotë Dukolli, në nivel të vendit janë kryer 261 inspektime me procesverbale.
“I kemi shqiptuar 38 gjoba. Janë kryesisht gjoba mandatore. Prej tyre janë tri ndaj pronarëve të qendrave, ndërsa 35 janë ndaj personave përgjegjës të qendrave. Kemi 16 inicime të procedurës për kundërvajtje në gjykatat themelore, në departamentet e përgjithshme, të cilat punojnë në kuadër të Divizionit për Kundërvajtje. Gjobat janë kryesisht janë dhënë për lëshimet që kanë ndodhur në aspektin administrativ, ndërkaq, lëshime në aspektin e rregullsisë teknike, nuk kemi hasur”, thotë Dukolli.
Ai shton se gjatë vitit 2020 janë kryer 555 inspektime të Qendrave të Kontrollimit Teknik, të cilat kanë rezultuar me 80 sanksione kundërvajtëse apo gjoba mandatore, prej tyre 20 ndaj pronarëve dhe 60 ndaj personave përgjegjës në qendra. Ndërkaq, janë iniciuar nëntë procedura kundërvajtëse në gjykatat themelore në vend. Gjobat janë prej 500 për personat përgjegjës ndërkaq 1000 euro për kompaninë. Çdo sanksion që tejkalon shumën prej 1000 euro, iniciohet për gjykatë.
Demiri: Pas kontrollit teknik, neglizhohet mirëmbajtja e autobusëve
Jusuf Demiri, pronar i kompanisë Professional Ing, që është e licencuar për kontrollimin teknik të automjeteve, përfshirë edhe ato të peshave të rënda mbi 3.5 tonë, thotë se deri më tash asnjëherë nuk ka marrë ndonjë gjobë nga Inspektorati, për shkak se në mënyrë të përpiktë zbaton kontrollet në bazë të ligjit.
Ai thekson se bazuar në ato që shohin edhe qytetarët, ekzistojnë autobusë të caktuar, të cilët janë në qarkullim dhe që për shkak të mosmirëmbajtjes estetike, duken se nuk janë në gjendje të rregullt teknike. Por, sipas tij, operatorët e transportit rrugor, kur dërgojnë autobusët për kontroll teknik, paraprakisht përgatiten.
“Zakonisht kur vijnë për kontrollimin teknik, përgatiten që të kalojnë testin për sipas kushteve dhe kërkesave që i kemi me ligjet në dispozicion. Ndërsa, parregullsitë tjera, ato mund të ndodhin edhe dy apo tri ditë pas, një muaj ose tre muaj pasi që kryhet kontrollimi teknik dhe automjeti të jetë teknikisht jo në rregull pastaj. Bëhet fjalë për mirëmbajtjen, rrugët (jo të mira) dhe të gjitha ato që mund të ndikojnë negativisht. Pjesëtari i policisë mund ta dërgojë automjetin në kontroll të jashtëzakonshëm dhe ka raste që ne i kontrollojmë, si dhe e japim gjendjen reale që e ka automjeti”, thekson Demiri.
SHIKONI EDHE: Katër tragjeditë nga aksidentet me autobusëKrasniqi: Inspektorati ta bëjë punën e vet
Eksperti për çështje të komunikacionit, Muhamet Krasniqi thotë se pavarësisht nëse në dukje një autobus ngjallë dyshime se mund të mos jetë në rregull teknikisht, në rast se për atë autobus ekziston dokumenti i lëshuar nga ndonjë prej qendrave të licencuara për kontrollim teknik se autobusi i përmbushë kriteret teknike, atëherë detyrimisht ai dokument duhet të besohet.
Por, a zbatohen kontrollimet teknike në mënyrë të përpiktë nga të gjitha Qendrat për Kontrollim Teknik në vend, si dhe a gjejnë mundësi operatorët e transportit rrugor që t’i anashkalojnë këto kontrolle?
“Organi i Inspektoratit e bën punën e vet dhe do të duhej ta bënte punën e vet për vlerësimin e përmbushjes së kushteve të këtyre qendrave (për kontrollim teknik)”, thotë Krasniqi.
Your browser doesn’t support HTML5
Punë për policinë
Por, udhëheqësi i Inspektoratit, Dukolli thotë që automjetet e peshave të rënda kanë obligim ligjor për ta kryer kontrollimin periodik.
“A i kryejnë të gjitha apo jo, këtë përgjigje nuk mund ta them, sepse kjo më tepër i takon inspektimeve policore në rrugë. Ne, brenda vitit kalendarik, gjithmonë e kemi një inspektim të përbashkët në rrugë, të cilën e bëjmë me policinë e trafikut. Aty mund të hasim ndonjë automjet që nuk e ka kryer kontrollimin teknik, qoftë atë të rregullt, qoftë atë periodik. Por, pastaj, kjo tërësisht kalon në pjesën e ndëshkimeve policore, sipas ligjit të trafikut”, shprehet Dukolli.
Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se prej 1 janarit deri më 26 korrik të këtij viti, janë shqiptuar gjithsej 1.437 gjoba për kundërvajtje, sipas ligjeve në fuqi për kundërvajtjet siç janë: kontrollimi teknik i jashtëzakonshëm, kontrollimi teknik gjashtëmujor (periodik) dhe largimin e mjeteve nga trafiku.
Shënim: Ky artikull është korrigjuar për të hequr fotografinë, e cila tregonte autobusë të kompanisë “Sharr Travel”. Kompania e autobusëve të udhëtimit “Sharr Travel” nuk ishte e përfshirë në raportimin për këtë çështje.