Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, dhe ai i Bullgarisë, Kiril Petkov, besojnë se së shpejti mund të ketë marrëveshje mes dy vendeve për kapërcimin e kontestit, që do të çonte ne heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit në Sofje të shefave të qeverive të shteteve të Evropës Juglindore, anëtare të NATO-s, Petkov tha se ka sinjale pozitive për kapërcimin e dallimeve për personalitetet historike dhe çështjet tjera dhe së shpejti mund të ketë marrëveshje.
Petkov tha se përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor e dikton edhe kriza që u shkaktua me luftën në Ukrainë.
“Maqedonia e Veriut e ka vendin në familjen e Bashkimit Evropian dhe Qeveria bullgare dëshiron që ajo të bëhet pjesë e saj sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë e dimë se kemi disa standarde që duhet të përmbushen si respektimi i të drejtave të pakicave dhe këtë e kemi diskutuar me Kovaçevskin, ndërsa në koordinim jemi edhe me partnerët evropianë. Ne presim dhe besojmë se së shpejti këtë do ta arrijmë. Pajtohem me vlerësimin se krizën, të cilën e kemi aktualisht, me luftën në Ukrainë, Ballkani Perëndimor duhet të jetë më stabil dhe rruga drejt një stabiliteti më të madh mund të arrihet me qasjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Kjo është e qartë dhe besojmë se kjo do të arrihet pasi kemi lajme të mira edhe për çështjet historike mes dy vendeve”, tha Petkov.
SHIKONI EDHE: Kovaçevski përballë sfidave: Nga ekonomia deri te zhbllokimi i integrimitKryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se procesi duhet të përshpejtohet pasi çdo vonesë, sipas tij, mund të thellojë pasigurinë, të rrisë mosbesimin e qytetarëve në BE, por edhe t’i nxisë forcat tjera që të rrisin ndikimin në rajon.
“Zgjerimi i BE-së po bëhet politikë e sigurisë pasi ngecjet në këtë proces krijojnë pasiguri plotësuese në rajon. Kemi tendenca negative apo përpjekje për ndikime të qëllimshme të palëve të treta. Shtyrja e nisjes së bisedimeve krijon dilema që mund të rezultojnë me uljen e besimit te qytetarët ndaj BE-së. Ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e raporteve të fqinjësisë së mirë. Detyra jonë mbetet që të fokusohemi në promovimin e vlerave dhe të forcimit të bashkëpunimit”, theksoi Kovaçevski.
Kryeministri maqedonas tha se në takimin me kryeministrat e shteteve të Evropës Juglindore, anëtare të NATO-s: kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ai i Rumanisë, Nikolae Çuka dhe ai i Bullgarisë, Kiril Petkov, edhe njëherë kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë duke i dhënë mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Në këtë takim është biseduar për koordinimin mes këtyre shteteve për aspektet e energjetikës, sigurimin e gazit përmes Turqisë dhe Greqisë me qëllim uljen e varësisë nga gazi rus, sigurimin e ushqimit por edhe rritjen e kujdesit nga kërcënimeve. Kjo pasi sipas kryeministrit rumun, Nikolae Çuka, “agresioni rus në Ukrainë paraqet kërcen për sigurinë e përgjithshme”, andaj edhe theksoi nevojën për rritjen e mirëbesimit përmes forcimit të bashkëpunimit mes këtyre shteteve me partnerët evropianë.