Ndërlidhjet

Kovaçevski përballë sfidave: Nga ekonomia deri te zhbllokimi i integrimit


Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e drejtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, u votua pak para mesnate, më 16 janar.

Në fjalimin para deputetëve, Kovaçevski tha se e ka të qartë porosinë e qytetarëve që doli nga zgjedhjet lokale, që u mbajtën në vjeshtë, dhe u zotua se do të mbetet i fokusuar në zhvillimin e ekonomisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, zgjedhjen e krizës energjetike dhe asaj pandemike, si dhe në zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane.

Kush është Kovaçevski?

Kovaçevski, 47 vjeç, doktor i shkencave ekonomike, vjen në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Zoran Zaev.

Ky i fundit dha dorëheqje, pasi partia e tij, Lidhja Social Demokrate, pësoi disfatë në zgjedhjet lokale të tetorit.

Kovaçevski u zgjodh kryetar i Lidhjes Social Demokrate më 12 dhjetor. Në Qeverinë e Zaevit ishte zëvendësministër i Financave.

Me cilat sfida do të përballet Qeveria e Kovaçevskit?

Albert Musliu, nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se 100 ditët e para të Qeverisë së re, të drejtuar nga Kovaçevski, do të jenë një tregues serioz se në çfarë drejtimi do të ecë Qeveria dhe sa e qëndrueshme do të jetë ajo.

“Kjo Qeveri duhet të mos humbë kohë, pasi përballë ka disa sfida që janë imediate. Përballë ka krizën COVID-19, krizën energjetike dhe çështjen e zhbllokimit të integrimeve evropiane”.

“Pra, Qeveria e re, me kryeministrin e ri, Dimitar Kovaçevski, duhet të koncentrohet në ato çështje që ishin më kontestuese edhe në opinion, siç është rritja e efikasitetit të institucioneve dhe llogaridhënia”, thotë Musliu.

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Zaevit “është dënuar” në zgjedhjet e kaluara edhe për shkak të dështimit në luftën kundër korrupsionit.

Andaj, sipas tij, sfidë mbetet pikërisht kjo çështje, për çka, shton ai, qytetarët janë të interesuar të shohin rezultate konkrete.

Megjithatë, Arsovski thotë se në krye të listës së sfidave mbetet stabiliteti i Qeverisë.

“Në spektrin politik, sfida më e madhe për kryeministrin Dimitar Kovaçevski mbetet që t’i mbajë të bashkuar partnerët e koalicionit dhe të sigurojë një shumicë parlamentare të qëndrueshme”.

“Kjo, para së gjithash, do të varet nga bisedimet që do të zhvillohen me Bullgarinë dhe sa efikase do të jenë institucionet në shërbim të qytetarëve”, thotë Arsovski.

Ai thotë se nuk e sheh si problem faktin se dy dikasteret kryesore për që kanë të bëjnë me ekonominë e Maqedonisë së Veriut - Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave - do të drejtohen nga kuadrot e njëjta.

“Edhe pse ministrat janë të njëjtë, kryeministri nuk është i njëjti. Kryeministri është ai që dikton politikën ekonomike dhe dinamikën e realizimit të së njëjtës”.

“Nëse kryeministri imponon një dinamikë të re, ministrat do të detyrohen ta ndjekin”.

“Kryeministri i ri ka potencuar disa herë se vjen nga sektori i biznesit dhe se menaxhimi i krizës energjetike, përfshirë këtu edhe rimëkëmbjen e ekonomisë, mbetet shtylla kryesore në punën e Qeverisë së kryesuar nga ai”, thotë Arsovski.

Takimi Kovaçevski-Petkov do të qartësojë procesin e zhbllokimit të integrimeve

Albert Musliu, nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, thotë se kapaciteti që ka Qeveria e Kovaçevskit sa i përket zgjidhjes së kontestit që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë, mbetet të shihet pas vizitës që do të ketë kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov, në Shkup.

Kontesti ka të bëjë me disa figura historike të të dyja vendeve dhe origjinën e gjuhës maqedonase. Për pasojë, Bullgaria ka penguar Maqedoninë e Veriut që të hapë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

“Nesër [18 janar] do të kemi këtu për vizitë kryeministrin bullgar dhe do të shohim se cili do të jetë narrativi pas kësaj vizite, përkatësisht pas takimit të dy kryeministrave të rinj, Kovaçevski dhe Petkov”, thotë Musliu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG