Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Qeverinë e Kurtit e mbështetën deputetët e komuniteteve joserbe.
Ekzekutivi i ri ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të udhëhiqen nga gra.
Votimi i qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, u bë disa orë pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku kryetar u zgjodh Glauk Konjufca nga LVV-ja, i cili njëherësh ushtron edhe postin e presidentit të Kosovës.
Pas zgjedhjes në postin e kryeministrit, Kurti tha se pritjet e qytetarëve janë të mëdha, andaj sipas tij, edhe përgjegjësia e kabinetit qeverisës është e madhe.
"S’ka dyshim se këto zgjedhje ishin historike, po aq historike është edhe përgjegjësia", tha Kurti.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Kurti tha se duhet koordinim dhe konsensus sa i përket Serbisë, veçmas dialogut politikë me këtë shtet.
Gjatë fjalës së tij, Kurti u bëri thirrje punonjësve të administratës shtetërore që të raportojnë për raste korruptive apo të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, pasi sipas tij, ekzekutivi do të veprojë.
"Ftoj secilin nga ju, që të bashkohemi në bërjen e shtetit, ashtu siç e ëndërruam dhe dëshiruam", tha ai.
Menjëherë pas votimit të qeverisë, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë lëshuar sallën plenare.
Prioritetet e Kurtit
Në ekspozenë e prezantuar para votimit të qeverisë, Kurti tha se sfida kryesore e institucioneve të Kosovës është përballja me pandeminë e koronavirusit.
SHIKONI EDHE: Vaksinat në Kosovë, as në horizont"Pa humbur kohë, me ministrin e ri të Shëndetësisë, do të fillojmë një plan për vendosjen nën kontroll të COVID-19 me masa të cilat ulin numrin e rasteve të reja dhe që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet", tha Kurti.
Kurti premtoi rritjen e buxhetit për shëndetësinë, për çdo vit.
“Në vendi tonë askush s’duhet të falimentojë nëse sëmuret”, tha Kurti duke theksuar nevojën e sigurimeve shëndetësore.
Dialogu me Serbinë "që zgjidh probleme"
Kurti tha se Kosova derisa punon në reforma brenda vendit, po ashtu do të reformojmë edhe qasjen tonë jashtë vendit.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme tashmë janë bërë me Pakon e Ahtisarit si çmim i paguar për shpalljen e pavarësinë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë e nuk do ta bëjmë”, tha Kurti.
Your browser doesn’t support HTML5
Zbardhja e fatit të mbi 1.600 personave të pagjetur, sipas Kurtit, është prioritet i procesit të dialogut me Serbinë.
"Jemi të vetëdijshëm që afër 1/3 e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë. Njëzetedy vjet pas luftës të gjitha familjet duhet të dinë të vërtetën për familjarët e tyre që të mbyllin plagët e hapura dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi. Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në këtë fushë", tha ai.
SHIKONI EDHE: Dialogu me marrëveshje të neglizhuaraAi po ashtu tha se Kosovës i duhet dialogu “për kthimin e afër 3 miliardë euro të pensioneve të vjedhura nga Serbia; për kthimin e mbi 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për suksesionet”.
“Pra, dialog që adreson dhe zgjidhë problemet ekzistuese e jo që krijon probleme të reja”, shtoi Kurti.
Kurti tha se orientimi i Kosovës është i qartë. Sipas tij, aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet.
“Rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian mund të jetë sfidueseve, por ajo nuk ka alternativë për Kosovën”, tha ai.
Duke folur për raportet me Serbinë, Kurti shtoi se do të ngrenë padi për gjenocid të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Vetting në drejtësi dhe ekonomi të fokusuar në prodhim
Duke folur për sistemin e drejtësisë, ai theksoi se procesi i vetting-ut do "të fillojë aty ku ka mbetur pranverën e kaluar".
"Do të jetë një proces i mirëpërgatitur, fer, transparent dhe jo hakmarrës, për të siguruar se qytetarët kanë institucione profesionale, të paanshme dhe të pavarura të cilat ofrojnë drejtësi dhe siguri për të gjithë", tha ai.
SHIKONI EDHE: A mund të ketë ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë?Sipas Kurtit, plani i tij për ekonominë është që ajo të jetë e fokusuar më shumë në prodhim e eksport.
"Një ekonomi, nga progresi i së cilës përfitojnë shumë më shumë nga ne, një ekonomi pa monopole, e me ndërmarrje publike që funksionojnë mirë e operojnë suksesshëm", theksoi ai.
Në fjalimin e tij, Kurti tha se qeveria e tij do të rrisë pjesëmarrjen e grave, si në fuqinë punëtore, po ashtu edhe duke mbështetur ato në ndërmarrësi, pasi ai tha se rritja e numrit të bizneseve të grave fuqizon ekonominë.
SHIKONI EDHE: Ekonomia sipas LVV-sëAi gjithashtu premtoi se do të miratohet Ligji për pensionimin e parakohshëm të policëve, të cilët do të mund të pensionohen në moshën 55-vjeçare.
Ndërkaq, sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kurti tha se do të rritet bashkëpunimi me partnerët strategjikë që të krijohen aftësi dhe kapacitete të plota ushtarake “sidomos me Shqipërinë dhe SHBA-në dhe do të përgatitemi për ta bërë Kosovën anëtare të Kartës së Adriatikut”.
Hoxhaj: Kosova drejt një faze të re të jostabilitetit
Qasja e LVV-së që ta zgjedhin fillimisht qeverinë dhe jo presidentin, sipas ushtruesit të detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, po e përmbysë “sistemin parlamentar”.
“Vendi po hyn në një fazë të re të jostabilitetit”, tha Hoxhaj pas ekspozesë së prezantuar nga Kurti.
“Si PDK jemi në sallë që të votojmë kundër jush si përmbajtje, si program dhe si përbërje, por edhe si qasje”, shtoi ai.
Abdixhiku: Do të jemi zë kritik për veprimet tuaja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se do të jenë kritik për qeverinë, por edhe do të korrigjojnë gabimet e ekzekutivit.
“Si opozitë synojmë të kontribuojmë në këtë stabilitet, jo duke qenë të nënshtruar, jo duke prodhuar dhe krijuar numra për qeverinë në shumicë, por duke respektuar vullnetin e qytetarëve, siç e kemi respektuar për ju edhe për vete. Ju në pushtet, e ne zë, korrigjues dhe kritik i secilit veprim tuaj”, tha Abdixhiku.
Më herët, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ngriti dyshime për dekretimin e Albin Kurtit për kryeministër, duke theksuar se ai është person me precedent penal.
SHIKONI EDHE: Gashi: Kemi dyshime për dekretin e kandidatit për kryeministërAlbin Kurtit iu pamundësua që të garojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, për shkak të një dënimi më 2018 për hedhje të gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Tahiri: Kurti ka qasje autoritare
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar Albin Kurtin, të cilin e akuzoi se po shpalos qasje autoritare.
“Refuzojmë në çfarëdo forme këtë kulturë politike të njëanshme, që dihet se kjo qasje autoritare ku e ka çuar vendin dhe ku do ta çojë. Logjika e zotit Kurti ka qenë gjithmonë kritika, kurrë nuk ka qenë alternativa. Gjithmonë e ka adresuar vetëm të zezën”, tha ai.
Lista Serbe paralajmëron ankesë në Kushtetuese
Igor Simiq nga Lista Serbe tha se kjo listë nuk do ta mbështesë Qeverinë Kurti, sepse ai, sipas tyre “në mundësinë e parë për veprim e ka shkelur Kushtetutën”.
Sipas Simiq, Listës Serbe i takojnë dy ministritë, “meqenëse ka 11 deputetë”, duke paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
SHIKONI EDHE: Fuqia e Listës Serbe rezultat i mosmarrëveshjeve të partive shqiptare“Injorimi i drejtave, shkelja e Kushtetutës janë fillim i keq i qeverisë, të cilën planifikoni ta udhëhiqni”, i tha Kurtit deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq.
Fidan Jilta, që foli në emër të deputetëve të komuniteteve joserbe, tha se do të përkrahin formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Konstituimi i kuvendit
Krijimit të qeverisë i parapriu konsitituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjatë seancës së mbajtur paraditen e 22 marsit, në krye të institucionit ligjvënës u zgjodh Glauk Konjufca si dhe pesë nënkryetarë, përkatësisht Saranda Bogujevci (LVV), Bedri Hamza (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK). Nga komuniteti serb u zgjodh, Sllavko Simiq dhe Bekim Arifi nga komunitetet joserbe.
"Unë zotohem që do ta kryej detyrën time me nderë, përgjegjësi e përkushtim", tha Konjufca, duke shtuar se ai nuk do të bëjë dallime ndërmjet deputetëve.
"Për mua do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës", shtoi ai.
Your browser doesn’t support HTML5
Seanca konstituive u udhëhoq nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje) dhe deputetja më e re, Adelina Grainca (Partia Demokratike e Kosovës).
Në nisje të kësaj seance, Dehari u bëri thirrje të gjithëve që t'u përmbahen rregullave kundër pandemisë COVID-19.
Your browser doesn’t support HTML5
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.\
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Presidenti, sfida e radhës
Presidentin e ri të Kosovës, LVV-ja nuk mund ta zgjedhë e vetme. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë vota. Osmani që nga nëntori i vitit 2020 ishte ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj, tashmë ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Osmani dhe Kurti javën e kaluar kanë mbajtur takime konsultative me të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, duke iu kërkuar atyre edhe votën për presidentin e ri.
SHIKONI EDHE: Komunitetet me kërkesa për qeverinë, por jo edhe për presidentinPDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë Osmanin për presidente, pasi e ka konsideruar atë si figurë “përçarëse”, ndërkaq AAK-ja e Ramush Haradinajt – i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit bëri fushatë duke synuar postin e presidentit – ka thënë se i takon Osmanit dhe Kurtit që t’i bëjnë votat për ta zgjedhur kreun e shtetit.
Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë se si do të veprojë për zgjedhjen e presidentit. Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një takim të ri me Osmanin, për të parë, siç ka thënë ai, qasjen e ish-bashkëpartiakes së tij ndaj LVV-së, partive opozitare dhe nismës politike që ajo ka paralajmëruar.
Ndërkaq, partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur mbështetjen e tyre për t’ia dhënë një mandat të plotë në krye të shtetit, Vjosa Osmanit.
Sipas Kushtetutës, që një person të zgjidhet president i Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat (80) të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
SHIKONI EDHE: Jetëgjatësia e institucioneve e varur nga (mos)zgjedhja e presidentitNdryshe, ekspertë kushtetues janë të ndarë lidhur me atë se a do të ketë kryetari i ri i kuvendit, mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues detyre i presidentit, apo i njëjti duhet ta përfundojë atë më 5 maj.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se kryetari i ri kuvendit, do të ketë mandat të përkohshëm gjashtëmujor.
Megjithatë, me këtë konstatim nuk pajtohet ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, i cili thotë se mandati gjashtëmujor, përfundon më 5 maj dhe nuk ka mandat shtesë.