Përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe qeverisë, përveç përfaqësuesve turq, të cilët kanë kërkuar konsultime shtesë për votën ndaj qeverisë së re. Ndërkaq, nga Lista Serbe, nuk kanë thënë decidivisht nëse do ta votojnë qeverinë apo presidentin e ri.
Ata u takuan të martën me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ku biseduan për krijimin e institucioneve të reja.
Lista Serbe, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, përmes një njoftimi për media tha se si përfaqësuese legjitime e komunitetit serb, është e “gatshtshme për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë serbët e Kosovës dhe se të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”.
Por, dy përfaqësuesit e komunitetit turk që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ende nuk kanë vendosur nëse do të votojnë Qeverinë e re të Kosovës.
Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin tha se ai bashkë me deputeten tjetër nga rradhët e këtij komuniteti, do të qëndrojnë në sallë për votimin e presidentit, mirëpo bisedimet për votimin e qeverisë së re do të vazhdojnë deri të premten.
Ai tha se ky komunitet kërkon një post ministror si dhe i kanë parashtruar edhe disa kërkesa tjera. Sipas Damkës, në takim është diskutuar edhe një lidhje me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Turqia e ka kritikuar Kosovën për këtë veprim.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Hapja e saj pason vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.
Damka tha se qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me këtë sfidë.
"Ne do ta përcjellim këtë sfidë në qeverinë e ardhshme, por varet nga vullneti i saj si do të veprojë për këtë çështje, por ne si dy deputetë do të jemi pranë që të ketë zgjidhje të përbashkët me BE-në, OKB-në, vendet tjera dhe Turqinë në lidhje me ambasadën", tha Damka pas takimit me Kurtin dhe Osmanin.
Emilija Rexhepi nga partia boshnjake "Partia e re demokratike", tha pas takimit se do ta përkrahë Qeverinë Kurti 2, si dhe zgjedhjen e Osmanit për presidente. Rexhepi ka fituar një mandat në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, Rasim Demiri nga koalicioni Vakat, tha se ata asnjëherë nuk kanë qenë pengesë në formimin e institucioneve të reja. Megjithatë, Demiri, tha se ata kanë disa kërkesa për komunitetin boshnjak.
Sipas Demirit, përfaqësuesit e këtij koalicioni do të takohen dhe do të marrin një qëndrim e më pas do të takohen sërish me Kurtin, për të diskutuar për kërkesat e tyre. Megjithatë, ai theksoi se këto kërkesa, nuk janë kushte për qeverinë e ardhshme.
"Javën e ardhshme ne po presim që të kemi tri votime: votimin e kuvendit, qeverisë dhe presidentit", tha Demiri, i cili theksoi se as në rastin për zgjedhjen e presidentit, nuk do të bëhen pengesë.
Ndërkaq, Duda Bale, deputete e zgjedhur nga partia nga komuniteti boshnjak, Unioni Socialdemokrat, tha se ajo do ta votojë edhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e Osmanit në postin e presidentit.
“Menjëherë kemi marrë dritën e gjelbër për kërkesat që kam pasur për boshnjakët këtu në Kosovë, por edhe për të forcuar lidhjet edhe me boshnjakët në Bosnje dhe ata në shtetet e rajonit”, tha Bale pas takimit konsultativ .
Deputeti i zgjedhur Elbert Krasniqi nga radhët e komunitetit egjiptian është shprehur se do të votojë qeverinë e re si dhe Vjosa Osmanin për presidente.
Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin tha se kërkojnë që sa më shpejt të formohen institucionet e reja. Ai tha se ata kanë kërkuar që të jenë pjesë e qeverisë, por nuk tregoi nëse kjo parti ka kërkuar post ministror.
“Për presidentin, patjetër”, tha Rrahmani kur u pyet nëse do ta votojnë Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës.
Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, pas takimit konsultativ, tha se partia e tij do të votojë për ta zgjedhur Kurtin kryeministër e Osmanin presidente.
Osmani dhe Kurti të hënën zhvilluan takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ndëkaq, për të premten është paraparë edhe takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat partia e Kurtit shënoi fitore bindëse, për 22 mars është caktuar mbajtja e seancës konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Përveç konstituimit të kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, deputetët duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri të vendit.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.