Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka caktuar ende datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Këshilltari i Presidentit, Ardian Arifaj tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca konstitutive.
"Ende nuk është vendosur se kur do të mbahet seanca konstituive. Kurdo që të merret vendimi, do t'ju njoftojmë", tha Adrian Arifaj, këshilltar politik i presidentit Thaçi.
Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, afati ligjor për konstituimin e këtij institucioni vazhdon deri në javën e parë të muajit gusht.
Edhe zyrtarët e Kuvendit të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se Administrata e Kuvendit të Kosovës është e gatshme kurdo që i kërkohet ta përgatisë seancën konstituive. Sipas tyre, pasi Presidenti të thërras seancën konstituive të Kuvendit, do të bëhet edhe regjistrimi i deputetëve të rinj dhe mund të zgjas dy deri në tre ditë.
Anëtarët e Kryesisë së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se koalicioni parazgjedhor, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën dhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, janë brenda afatit kushtetues e ligjor për krijimin e Qeverisë së Kosovës.
Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, tha për Radion Evropa e Lirë se pritet që Presidenti [Hashim Thaçi,] në kuadër të kompetencave që ka, brenda afateve kohore të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe menjëherë pas saj të procedohet edhe me votimin e Qeverisë.
"Ne po besojmë që Presidenti i vendit do ta thërras shumë shpejtë seancën e Kuvendit, ndoshta do ta thërras brenda kësaj jave, që eventualisht ajo të mbahet brenda kësaj javë ose në javën që vjen", tha Nitaj.
I nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj nga koalicioni PAN në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pati deklaruar se në javën e parë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta formojë Qeverinë e re.
Nitaj, megjithatë shpjegon se janë disa procedura ligjore që duhet respektuar, duke nënvizuar se kjo çështje nuk ka të bëjë me vonesa.
"Nuk është çështja në vullnetin dhe gatishmërinë e të nominuarit për kryeministër, zotit Haradinaj, por ka disa procedura që janë çështje e organizimit të brendshëm të Kuvendit të Kosovës. Në fakt, aktualisht 'topi' është duart e Presidentit të vendit, i cili mund ta shfrytëzojë afatin e tij kushtetues kohor dhe ta thërras seancën e Kuvendit brenda afatit", tha Nitaj.
Me konstituimin e Kuvendit, bëhet verifikimi i mandateve dhe zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni, i cili do të propozohet nga koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma). Po ashtu, do të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, të cilët do të përbëjnë Kryesinë e re të këtij institucioni.
Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga Presidenti i Kosovës. Pjesë e Qeverisë, sipas Kushtetutës, do të jenë edhe komunitetet pakicë, të cilat si tërësi përbëjnë 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve.