Veseli në krye të Kuvendit, kërkon unitet

Your browser doesn’t support HTML5

Konstituohet Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Kadri Veselin, kryetar të këtij institucioni. Zgjedhja e Veselit në postin e kryekuvendarit, ka pasuar negociatat e gjata politike ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, fillimisht me Aleancën Kosova e Re dhe në fund me pakicat.

"Kosova nuk ka kohë për të humbur, kurse institucionet e reja duhet të shpejtojnë me reformat, integrimet evropiane dhe zhvillimin ekonomik", ka thënë kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Kadri Veseli në fjalimin e parë para deputetëve.

Fjalimi i tij, është bojkotuar nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Veseli tha se u takon këtyre institucioneve t’i përmbyllin shumë çështje të hapura, që kërkojnë vendime e përgjigje, duke përfshi edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ai kërkoi reforma në arsim, shëndetësi, qëndrime unike për formimin e ushtrisë së Kosovës, dialogun me Serbinë dhe reformat evropiane.

Seanca e sotme, ishte vazhdimësi e seancës konstituive të 3 gushtit, e cila gjashtë herë u ndërpre, për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Zgjedhjen e Veselit nuk e kanë përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Po ashtu, deputetët kanë votuar edhe nënkryetarët e rinj, të cilët përbëjnë Kryesinë e re të Kuvendit.

Nënkryetarë janë zgjedhur, Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës, Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurse te komunitetet joshumicë, deputetët serbë dhe ata jo serbë kanë propozuar dy nënkryetarë. Nga Lista Serbe, është propozuar Sllavko Simiq, kurse nga komunitetet joserbe Myfera Shinik. Megjithatë, votimi nuk solli zgjedhjen e tyre, në përpjekjen e parë. por pas një pauze, ata morën 61 vota.

Nga momenti i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.

Bazuar Kushtetutën e Kosovës, koalicioni PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat ka nominojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e Qeverisë së re dhe ai është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas procedurave, Haradinaj duhet të merr bekimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e Qeverisë.

Seanca për votimin e Qeverisë u paralajmërua se do të thirret të shtunën.