Pasurimi i paligjshëm çon në sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë dhe mallrave

Ilustrim

Mbi 16 milionë euro ka arritur vlera e pasurisë dhe mallrave të sekuestruara dhe konfiskuara vetëm gjatë vitit të kaluar. Këto pasuri dhe mallra janë përfitime të paligjshme, nga veprat penale, thonë përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse të Kosovës.

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu thotë se në aspektin e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, ka veprime konkrete, por siç thekson ai, ende duhet punë në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, me theks të veçantë në konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

"Kur e themi këtë, e kam parasysh se në vitin 2017, shifrat e sekuestrimeve kanë arritur mbi 16 milionë euro. Mirëpo ajo e konfiskimeve është një shumë në disproporcion shumë të ulët dhe kapë vlerën prej 1 milion e 200 mijë euro, edhe pse duhet të themi se viti 2017, është vit rekord sa u përket konfiskimeve përfundimtare”, tha Fazliu.

“Pra, bëhet fjalë për pasuri prej 1 milion e 200 mije euro që është kthyer definitivisht në buxhetin e shteti", tha ai.

Megjithatë, edhe në lidhje me veprimet që çojnë drejt konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, sipas tij, janë disa pengesa që vijnë edhe si pasojë e mungesës së harmonizimeve ligjore.

"Pengesat janë të natyrave të ndryshme. Ndër to do të përmendja faktin se konfiskimi është diçka relativisht e re (në Kosovë). Janë ligjet, sistemi gjyqësor në Kosovës dhe ende nuk ka ligj që lejon konfiskimin edhe pa aktgjykim dënues”, thekson Fazliu.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Rrahim Rama tha për Radion Evropa e Lirë se për herë të parë që nga themelimi dhe funksionalizimi i kësaj agjencie, shifrat e konfiskimit tejkalojnë dukshëm ato të sekuestrimit.

"Gjatë vitit 2017 kemi organizuar nëntë ankande publike për shitjen e pasurive që janë në fazën e sekuestrimit apo të konfiskimit. Për herë të parë, vlerat e konfiskimit janë dukshme më të mëdha se të sekuestrimit", tha Rama.

Konfiskimi, sipas ligjit, nënkupton “konfiskimin e përhershëm të pasurisë, të urdhëruar me vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent në pajtim me ligjin në fuqi”.

Më pas këto pasuri, kalojnë në pronësi të shtetit, mund të jepen në shfrytëzim apo të shiten në ankand publik dhe mjetet financiare kalojnë në buxhetin e Kosovës.

"Ka pasuri të luajtshme, ka shtëpi, banesa, vila, ka vetura, ari, bizhuteri e të tjetra", tha Rama.

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme, realizohet nëpërmjet Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Kurse, nuk ka mekanizma ligjorë me anë të së cilëve do t’i nënshtroheshin verifikimit të pasurisë, personat që deklarojnë se pasuria e tyre është e krijuar nga të ardhurat e tyre, thonë njohës të çështjes së drejtësisë.

Sipas tyre, në Kosovë ka numër të madh të personave, qofshin fizikë apo juridikë, që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre.