Leximi i asaj që mësuesja ka shkruar në tabelë, ishte mënyra e vetme për të marrë mësimet në shkollë, për Nebih Cakajn nga Vushtrria.
Në kohën kur Cakaj kreu shkollën nga mesi i viteve të 90-ta e deri në vitin 2004, thotë se nuk pati asnjëherë asistencë të veçantë në mësim si person i shurdhër.
“Duke menduar se kemi mësuar diçka, gjatë komunikimit me personat që dëgjojnë, e kemi vërejtur se kemi dallim të jashtëzakonshëm, kishim qenë shumë mbrapa”, tregon Cakaj.
Cakaj sot punon si zyrtar për hulumtim të çështjeve të edukimit në Shoqatën Kosovare e të Shurdhërve.
Ai thotë se problemet e qasjes në edukim dhe marrjes së edukimit cilësor, janë evidente edhe për gjeneratat e personave të shurdhër, që kryejnë shkollimin në ditët e sotme.
Gjuha e shenjave, në Kosovë është zyrtarizuar në vitin 2010 dhe sipas Cakajt, komunitetit duhet t’i ofrohet më shumë mundësi komunikimi përmes kësaj gjuhe edhe nga institucionet, sektori privat dhe sidomos shkollat.
“Faktikisht, gjuha jonë e parë është gjuha e shenjave, e që duhet një mësues ta ketë të perfeksionuar gjuhën e shenjave, në mënyrë që neve të na e transmetojë materialin”, thotë ai.
Më 23 shtator shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave, ndërkaq këto ditë po shënohet edhe java e komunitetit të personave të shurdhër.
Kosova me vetëm një shkollë për personat e shurdhër
Momentalisht, në Kosovë ekziston një shkollë e specializuar për fëmijë të shurdhër, në Prizren.
Megjithatë, sipas Shoqatës Kosovare e të Shurdhërve, shumë fëmijë vazhdojnë të mësojnë nëpër shkolla të tjera pa asistencë dhe mësime që do të përfshinte edhe gjuhën e shenjave dhe gjuhën e shkruar shqipe.
Sipas një hulumtimi për statusin e personave të shurdhër në Kosovë në vitin 2010, “96 për qind e të shurdhërve të rritur janë analfabetë funksionalë edhe pas mbarimit të shkollës fillore dhe të mesme”.
Përveç shkollës në Prizren, në komuna të tjera nxënësit e shurdhër mësojnë së bashku me ata që dëgjojnë në të ashtuquajturat klasë të bashkëngjitura.
Megjithatë, sipas Cakajt, mungesa e asistentëve të klasës i lë këta nxënës të mangët në mësime, në pamundësi që të shkojnë në klasë të përbashkëta me fëmijë të tjerë të shurdhër.
“Ka prindër që nuk dëshirojnë ta dërgojnë fëmijën në Prizren, por dëshirojnë sa më afër shtëpisë, për këtë arsye janë bërë edhe klasët e bashkëngjitura nëpër shkolla e nëpër komuna të ndryshme”, tregon ai.
Në Kosovë ekziston një Strategji Nacionale për Personat me Aftësi të Kufizuara, për vitet 2013 deri në vitin 2023.
Objektiva e tretë e kësaj strategjie, ka për qëllim krijimin e kushteve për “gjithëpërfshirjen në arsim dhe për mbështetjen profesionale të personave me aftësi të kufizuara”.
“Me zbatimin e kësaj objektive strategjike, Republika e Kosovës do të përmbushë të gjitha nevojat e Personave me Aftësi të Kufizuar për një edukim adekuat”, thuhet në këtë dokument.
Megjithatë, sipas të dhënave të UNICEF-it të vitit 2019, janë rreth 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Prindërit e këtyre fëmijëve është dashur që të paguajnë asistentë për ta, në mungesë të ofrimit të këtyre profesionistëve nga institucionet.
Your browser doesn’t support HTML5
Interpreti i gjuhës së shenjave vetëm në konferenca të rëndësishme
Përveç telasheve në edukim, personat e komunitetit të shurdhër në Kosovë, përballen me mungesë të informimit për shkak se jo të gjitha konferencat dhe lajmet përkthehen edhe në gjuhën e shenjave.
Ky problem u theksua gjatë vitit 2020, kur personat e shurdhër patën probleme në qasje të menjëhershme në informacione, lidhur me pandeminë e COVID-19.
Armend Ademi nga Shoqata e të Shurdhërve në Prishtinë, gjatë vitit 2020, kishte nisur një iniciativë për të informuar anëtarët e këtij komuniteti, lidhur me masat dhe këshillat që kishin të bënin me shëndetin publik.
Ai tregon se si komunitet arrijnë që në gjuhën e shenjave të marrin lajmet e orës 17 në Radio Televizionin Publik si dhe herë pas here, në konferenca të qeverisë është prezent edhe interpreti.
“E kemi vetëdijesuar qeverinë që në raste të konferencave të rëndësishme dhe të jashtëzakonshme, duhet të jetë edhe interpreti afër”, tregon Ademi.
Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë ka thënë se janë gjithsej 16 interpretë të gjuhës së shenjave të akredituar në kuadër të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve dhe të cilët kontraktohen për këtë shërbim nga Zyra e Kryeministrit.
"Qeveria jonë e ka intensifikuar këtë praktikë, ku përveç konferencave të pas mbledhjes së qeverisë, interpretët e gjuhës së shenjave angazhohen edhe në konferenca të rëndësisë së veçantë, ndërsa synojmë që kjo praktikë të standardizohet edhe për konferencat që mbahen nëpër ministri, përveç se në Zyrën e Kryeministrit", thuhet në përgjigjen e qeverisë.
Sipas deklaratës së Zyrës së Kryeminstrit, planet e qeverisë lidhur me këtë komunitet, përfshijnë vazhdimin e ofrimit të shërbimit me interpretë të gjuhës së shenjave si dhe krijmi i mundësive apo hapësirave për punësim të qytetareve të shurdhër, si në sektorin publik edhe në atë privat.
Kuvendi dhe Presidenca në anën tjetër, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, lidhur me numrin e interpretëve të punësuar në këto institucione si dhe si vendoset se në cilat ngjarje do të jetë prezent përkthyesi.
Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, ditën e enjte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti publikoi një video-mesazh me gjuhën e shenjave.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në respektimin dhe garantimin e të drejtave, dinjitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie e moshe, përkatësie e aftësie”, tha ai.
Sipas përfaqësuesve të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, megjithatë mbetet shumë punë për të bërë, për të siguruar nevojat specifike të këtij komuniteti.
“Kërkesat më të mëdha të të shurdhërve, janë punësimi, rritja e cilësisë së edukimit dhe ofrimi i shërbimit të interpretimit të gjuhës së shenjave”, tha Ademi.