Të prekurit nga vërshimet, në pritje të kompensimit të dëmeve

Vërshimet në Lagjen e Romëve në Mitrovicë të Jugut. 20 janar 2023.

Në një pjesë të shtëpisë së Ergjan Hajdinit, dërrasat e dyshemesë hiqen një nga një me lehtësi. Ato u dëmtuan nga vërshimet që përfshinë, ditëve të fundit, Lagjen e Romëve në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Ai tregon se familja e tij dhe të prekurit e tjerë në atë lagje janë vizituar nga përfaqësues të Komunës së Mitrovicës së Jugut, ndërsa vëllai i tij, Sulltan Hajdini, thotë se vetëm shpreson për ndihmë.

“Krejt shtëpia është dëmtuar. Iu kisha lutur Komunës [së Mitrovicës së Jugut], Qeverisë së Kosovës që të na këqyrin, të na marrin parasysh sa më shpejt, se ne tjetër rrugëdalje nuk kemi. Ne nuk kemi ndihmë tjetër”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

*Video: Dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Kosovë

Në nevojë për ndihmë janë shumë qytetarë të Kosovës që nga 19 janari, kur disa zona të vendit u përfshinë nga vërshimet, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Disa nga komunat më të prekura janë: Skenderaj, Mitrovica e Jugut, Istogu dhe Klina.

Të prekurve nga vërshimet në Skenderaj dhe Mitrovicë të Jugut u janë dërguar pako me pajisje higjienike dhe ushqimore nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, me qëllim, siç thuhet në njoftimin e FSK-së, “t’ua lehtësojnë sadopak jetën e vështirësuar nga përmbytjet”.

Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se qytetarët e këtyre komunave janë pajisur me batanije, ushqim dhe cisterna uji.

Çka mund të bëjnë qytetarët e dëmtuar?

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë në një postim në Facebook se ekipet mobile të FSK-së janë “në gatishmëri të plotë, 24 orë në 7 ditë të javës”, teksa ka publikuar numrat e shërbimit emergjent, ku qytetarët mund të drejtohen në rast nevoje.


Komisionet vlerësuese në disa komuna kanë filluar evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Në këto komuna, qytetarët e dëmtuar mund të aplikojnë për kompensim të dëmeve.

Komuna e Klinës ka ftuar qytetarët që të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente nga data 23 deri më 30 janar për plotësimin e aplikacioneve për vlerësimin e dëmeve. Ftesë të ngjashme ka bërë edhe Komuna e Podujevës.

Por, Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, thotë se komunat mund të bëjnë “shumë pak në këtë drejtim”, pasi që atyre u takon vetëm evidentimi i dëmeve.

“Ata [që kanë pësuar dëme] duhet të presin derisa të qetësohet situata, tek pastaj të bëhet vlerësimi i dëmeve, të dërgohen listat në nivelin qendror. Pas kontrolleve të ndryshme, tek pastaj të fillojë rimbursimi i qytetarëve të prekur nga këto fenomene”, thotë Ibrahimi për REL-in.

SHIKONI EDHE:

Banorët në veri: “Gjithçka është shkatërruar”IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me ujin e pijes

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë thirrje që të krijohet një fond emergjent për rastet kur ka fatkeqësi natyrore, si: vërshime, zjarre, etj.

“Burokracia që parashihet me legjislacionin ekzistues, duhet të shkurtohet. Qytetarët kanë nevojë për përkrahje të menjëhershme financiare dhe jo, për shembull, që një herë të bëhen evidentimet, siç është tani. Tash për tash, me muaj zgjat [procedura] derisa qytetari të përfitojë nga këto fonde”, thotë Ibrahimi.

SHIKONI EDHE: Kërkohet fond emergjent për dëmet e shkaktuara nga vërshimet

Ai shton se problem tjetër përbën pamundësia për rishikim të buxhetit nga ana e komunave, që, siç thotë, nuk kanë mundur t’i parashikojnë fatkeqësitë natyrore kur kanë miratuar buxhetin në shtator të vitit 2022.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Komunën e Skenderajt për hapat që do të ndërmerren, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Çka mund të pritet në ditët në vijim?

Ibrahimi thotë se para se të mund të dërgohen listat për kompensim të dëmeve, fillimisht duhet të ndalen reshjet.

Megjithatë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se situata mund të vështirësohet edhe më shumë, pasi që parashihet të ketë sërish reshje shiu.

“Kjo gjendje mund ta vështirësojë edhe më tutje situatën, ngase rrjedhat ujore të këtyre zonave janë në kapacitetet e tyre maksimale. Tokat, sidomos ato në viset e rrafshëta, janë të tejngopura me ujë dhe është limituar kapaciteti i tyre absorbues, gjegjësisht lagështia e tokës në shtresën sipërfaqësore”, thuhet në një njoftim të IHMK-së, të lëshuar të dielën.

Përmbytje në pjesë të ndryshme të Kosovës

Disa zona të Kosovës janë përmbytur edhe në nëntor të vitit 2022, por vendi është përballur shpeshherë me vërshime, viteve të fundit.

Qeveria e Kosovës ka thënë në një njoftim se përveç sanimit të dëmeve të shkaktuara, duhet të trajtohen edhe shkaktarët.

“Për shumë vite rresht, shtretërit e lumenjve janë dëmtuar pa e me leje, pyjet janë shpyllëzuar me e pa vetëdije, kurse projekte infrastrukturore janë realizuar pa planifikim adekuat. Këto padyshim që kanë përkeqësuar situatën pas reshjeve të shiut”, ka thënë Qeveria e Kosovës.