Çfarë infomacionesh ka kompania Amazon për klientët e saj?

Logoja e kompanisë Amazon - Foto ilustruese

Kompania Amazon është duke grumbulluar të dhënat rreth përdoruesve të saj përmes aplikacionit të asistentes folëse, Alexa. Grumbullimi i informatave nuk mbaron me këtë meqë Amazon i mbledhë edhe përmes lokacioneve të veta të e-tregtisë, lexuesve të Kindle, audio-librave Audible, platformave të veta video dhe muzikore, kamerave të sigurisë në shtëpi dhe aplikacioneve për palestër. Pajisjet e ndërlidhura me Alexan xhirojnë madje brendinë e shtëpive të përdoruesve, e kamerat e sigurisë Ring kapin dhe shënojnë secilin vizitor.

Informatat e mbledhura në këtë mënyrë mund të definojnë lartësinë e personit, peshën dhe gjendjen shëndetësore, prejardhjen etnike (nëpërmes të dhënave të definuara të zërit) dhe qëndrimet politike, cilat janë shprehitë e blerjes dhe çfarë i pëlqen dikujt të lexojë, ku lëviz brenda ditës e nganjëherë edhe me kë takohet.

Ky peizazh i gjerë i informatave rreth klientëve të kompanisë Amazon në Shtetet e Bashkuara mund të merret me kërkesë, pas tentimit të pasuksesshëm për të kontestuar këtë masë ligjore në Kaliforni, që daton nga viti 2018, rreth zbulimit të të dhënave.

Në njërën prej dosjeve të gazetarëve të agjencisë së lajmeve Reuters, e cila kreu një hulumtim rreth të dhënave të mbledhura në Amazon dhe me kërkesë i mori këto informata për shqyrtim, u grumbulluan më shumë se 90 mijë Alexa xhirime të anëtarëve të familjes, nga mesi i dhjetorit 2017 dhe qershorit 2021, mesatarisht 70 në ditë. Xhirimet përfshinin edhe detaje sikurse emrat e fëmijëve të gazetarëve të agjencisë dhe këngëve të tyre të preferuara.

Amazon kishte zënë fëmijët duke pyetur asistenten Alexa se si t’i bindin prindërit e tyre që t’i lejojnë të luajnë. Morën instruksione të detajuara se si t’i bindin prindërit t’u blejnë video-lojërat.

Siç shkruan Reuters, Alexa i këshillon fëmijët si t’i fitojnë argumentet e zakonshme të prindërve, siç janë "shumë e dhunshme", "shumë e shtrenjtë" dhe "nuk je mirë me mësime".

Informatat, të cilat i ka prezantuar Alexa si këshilla, rrjedhin nga një program i palës së tretë i quajtur ‘WikiHow’ e që ofron këshilla nga më shumë se 180 mijë artikuj, sipas ueb-faqes së Amazonit.

Nga Amazoni thanë që kompania nuk e posedon WikiHow, porse Alexa nganjëherë u përgjigjet kërkesave dhe pyetjeve nëpërmes informatave nga ueb-faqet.

Amazon, në detin e të dhënave personale

Amazon është i obsesionuar me të dhënat personale të përdoruesve të vet qysh nga koha kur ishte librari online. Para më shumë se dy dekadash, shefi i departamentit teknik, Werner Vogels ka thënë se kompania tenton që të mbledhë sa më shumë informata që është e mundur që të mund t’u ofrojë njerëzve rekomandime, shkruan revista Wired. Derisa kompania Amazon zgjerohej, ashtu zgjeroheshin edhe operacionet e saj të mbledhjes së të dhënave.

“Ata shesin prodhime, por ata janë kompani për të dhëna”, tha për BBC-në në vitin 2020 një ish-i punësuar në Amazon.

Kompania di shumë rreth përdoruesve të vet. Gjithçka që bëhet në ekosistemin e Amazonit: që nga mijëra kërkime në aplikacion ose ueb-lokacion deri te secili klikim individual, lëvizje dhe lëvizje me miun (mouse).

Ka shumë të dhëna dhe ky është vetëm fillimi. Njerëzve, të cilët kishin kërkuar të dhënat e veta në Amazon, u janë dërguar qindra të dhëna, përfshirë një dekadë të historisë së blerjeve të tyre dhe mijëra incizime me zë, të cilat i incizuan Alexa pajisjet.

“Arsyeja përse blerja nëpërmes internetit në Amazon është tërheqëse qëndron te fakti që kompania kaloi vite të tëra duke konsoliduar fuqinë e saj dhe qasjen”, tha Sara Nelson, drejtoreshë e programit për shfrytëzimin e të dhënave të korporatave në grupin për liritë e njeriut, Privacy International.

SHIKONI EDHE: Amazon i ndalon policisë përdorimin e teknologjisë për identifikim të fytyrës

Kompania mundet që të grumbullojë sasi enorme të të dhënave, nëpërmes platformës së saj për blerje, por edhe nëpërmes kamerave Ring, asistentes së zërit Alexa, ueb-shërbimeve, shërbimeve të dërgesës dhe shumë aspekteve tjera biznesore. Tani Amazon po e synon edhe sektorin e shëndetësisë, diçka për të cilën Nelson thotë se është shqetësuese.

“Të dhënat personale në blerjet online po bëhen gjithnjë më të dukshme”, tha për Wired, Carissa Veliz, asistente në Institutin për Etikë të Universitetit të Oksfordit.

“Mund të zbulojë gjendjen shëndetësore të personit, qëndrimet e tyre politike, praktikën seksuale dhe shumë më shumë. Njerëzit blejnë gjëra të ndryshme në Amazon, që nga librat e deri te pajisjet që kanë të bëjnë me shëndetin. Shtoni këtu edhe të dhënat personale nga Alexa, kjo bëhet shqetësuese”.

Zgjedhja e përdoruesve rreth grumbullimit të të dhënave personale?

Përdoren të dhënat, të cilat i referohen edhe lokacionit në mënyrë që të sigurohet që blerja e gjërave të dërgohet në adresë të saktë.

“Ne i përpunojmë të dhënat tuaja që të përmirësojmë shërbimin e Amazonit të cilin ua ofrojmë klientëve”, shkruan në paralajmërimin e kompanisë rreth privatësisë. Po ashtu, me të madhe paraqiten argumentet ligjore për të gjitha të dhënat që grumbullohen.

Amazon pohon që asistentja me zë, Alexa është dizajnuar në mënyrë që të incizojë sa më pak që është e mundur, duke filluar nga fjala e cila e lëvizë, ‘Alexa’ dhe ndalon kur përdoruesi përfundon komandën. Kompania në njoftim përmendi që ka shkencëtarë dhe inxhinierë, të cilët punojnë në avancimin e teknologjisë që të shmangen kyçjet e padëshiruara që iniciojnë incizimin. Mënyra e vetme që blerësit të fshijnë një pjesë të madhe të të dhënave personale është mbyllja e llogarisë, njoftoi Amazon. Kompania tha se mban disa informata, siç është historia e blerjes, pas mbylljes së llogarisë në mënyrë që të përshtatet me obligimet ligjore.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja nis hetime ndaj kompanive më të mëdha të teknologjisë

Amazon, po ashtu, sqaroi që u mundëson përdoruesve që të përshtatin informatat për asistentet me zë dhe shërbimet tjera, për të kufizuar sasinë e të dhënave të grumbulluara, përdoruesit e asistentit me zë, Alexa, për shembull mund të parandalojnë që Amazon të largojë incizimet ose t’i fshijë automatikisht. Madje, mund t’i ndajnë kontaktet e veta apo kalendarët nga zmadhuesit e mençur nëse nuk duan të përdorin funksionet e Alexas të thirrjes dhe takimeve.

Politika e kompanisë Amazon rreth privatësisë, është prezantuar në tekstin prej 3,500 fjalësh, por ndërlidhet me më shumë se 20 faqe të tjera lidhur me privatësinë dhe të dhënat e përdoruesve, diçka që kompanisë i jep hapësirë të madhe për grumbullimin e të dhënave.

Nga Amazon thonë se politika rreth privatësisë përshkruan grumbullimin, përdorimin dhe shpërndarjen e të dhënave “në mënyrë që konsumatorët e kuptojnë lehtë”.

Përgatiti: Teuta Arifaj