Drejtori i Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj ka bërë të ditur se kompania ajrore me të cilën u deportuan gjashtë shtetasit turq kishte gënjyer institucionet e kosovare për qëllimin e fluturimit.
Gjonbalaj tha se leja ishte kërkuar për fluturim komercial duke thënë se institucioni që ai drejton nuk është i përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë proces.
“Ne e dimë se kërkesa për fluturim është bërë në Ministri të Infrastrukturës si fluturim komercial, kompania ka gënjyer për qëllimin e fluturimit”, ka deklaruar Gjonbalaj gjatë raportimit për vitin 2017 para Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e Financave Publike.
Expose: Kosova të japë llogari
Your browser doesn’t support HTML5
Gjonbalaj po ashtu tha se janë duke shikuar mundësinë e ndërmarrjes së masave ndaj kompanisë e cila bëri transportimin e gjashtë qytetarëve turq që jetonin në Kosovë të cilët e deportuan më kërkesë të Turqisë, pasi akuzoheshin për pjesëmarrjen në tentim grushtshtetin e vitit 2016.
Gjonbalaj tha se kompania Birlesik Insaat mund të përballet me një dënim deri në një milion euro.
Më 29 mars, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk.
*Familjarët e turqve të deportuar kërkojnë azil në Kosovë
Your browser doesn’t support HTML5
Për këtë deportim, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën deklaruar se nuk kanë qenë të informuar paraprakisht.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë, ndërkaq, i kishin deportuar ata nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fillimisht ua revokuan të njëjtëve të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me inteligjencën turke.
Pas deportimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte liruar nga ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, në pozitën e të cilit pak javë më vonë u emëruar ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Shkollat "Mehmet Akif" në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan. Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.