Komisioni Evropian (KE) e ka miratuar të mërkurën një dokument për reformat brenda Bashkimit Evropian (BE) para zgjerimit të bllokut 27-anëtarësh.
Vendet anëtare u pajtuan që BE-ja të reformohet, në mënyrë që të jetë e gatshme për zgjerimin e radhës, përfshirë në aspektin politik, ligjor dhe financiar.
Në këtë plan, të publikuar pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve, përfshihen edhe propozimet për integrim gradual të vendeve të ardhshme anëtare, para se ato të bëhen edhe formalisht vende anëtare të bllokut.
Dokumenti i miratuar do të duhej të kontribuojë në procesin e reformave të brendshme të BE-së, në mënyrë që ajo të jetë me kohë e gatshme për pranimin e anëtarëve të ri. Kjo, sipas BE-së, duhet të shkoj paralelisht me përgatitjen e vendeve kandidate për t’u bërë anëtare.
SHIKONI EDHE: Ministra dhe eurodeputetë kërkojnë përshpejtimin e zgjerimit të BE-sëDokumenti i Komisionit Evropian analizon edhe implikimet që zgjerimi i ardhshëm i bllokut mund t’i ketë në fushat kryesore politike të saj, prej politikës së përbashkët të jashtme të BE-së, vlerave të përbashkëta, ndryshimeve klimatike, procesit të miratimit të vendimeve, tregut të përbashkët, e deri te buxheti i BE-së.
“BE duhet të thellohet para se të zgjerohet. Duhet të nisim të bëhemi gati për unionin e së ardhmes dhe të shfrytëzojmë zgjerimin si katalizatorë të progresit. E gjithë Evropa ka përfituar nga zgjerimi. Me të BE-ja është bërë tregu më i madh i integruar në botë. Kjo ka hapur kanalet tregtare dhe financiare të cilat kanë siguruar rritje ekonomike si në BE, ashtu edhe në vendet në procesin e zgjerimit. Kjo ka forcuar edhe peshën globale të BE-së”, thuhet në këtë dokument.
Bashkimi Evropian sot ka 27 vende anëtare, ndërsa plani i reformave të brendshme synon ta përgatis për më shumë se 30 vende anëtare në të ardhmen.
Para saktësisht 20 vitesh, më 1 maj të vitit 2004, BE-ja ishte zgjeruar përnjëherë me 10 vende të reja anëtare në valën më të madhe të zgjerimit në histori.
SHIKONI EDHE: Stagnimi në integrim i atribuohet edhe Ballkanit, edhe BE-sëNjë vit e gjysmë më vonë në BE u pranuan edhe Bullgaria dhe Rumania, ndërsa më 1 korrik të vitit 2013 edhe Kroacia. Por, ndërkohë nga BE-ja është larguar Mbretëria e Bashkuar.
Në këtë moment në procesin e zgjerimit janë 10 vende. Ato janë gjashtë vende nga rajoni i Ballkanit Perëndimorë - Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Kosova, pastaj Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.
Nëntë prej tyre kanë edhe statusin e vendit kandidatë, ndërsa Kosova mbetet i vetmi vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nuk e ka një status të tillë.
KE-ja kërkon në dokumentin e saj që vendet të cilat e synojnë anëtarësimi në BE, para se të realizojnë atë qëllim, t’i zgjidhin problemet bilaterale që kanë me fqinjët, sepse BE-ja nuk dëshiron të importojë probleme të tilla të pazgjidhura.
Qasja e bazuar në meritat individuale dhe në raportet e mira ndërfqinjësore do të mbeten kushte kyçe në procesin e zgjerimit.
SHIKONI EDHE: Kosova në BE “më 2050”? Vendimmarrësit më optimistë“Duhet të vendosën aranzhime të posaçme dhe obligime të pa diskutueshme për t’u siguruar që vendet e ardhshme anëtare të mos jenë në pozitë të bllokojnë anëtarësimin e vendeve të tjera”, thuhet në këtë dokument.
KE-ja kërkon gjithashtu që vendet e ardhshme anëtare t’i përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e BE-së. Kjo, sipas Komisionit Evropian, do të dëshmojë më së miri se këto vende janë të përkushtuar fuqishëm për t’i pranuar dhe promovuar vlerat e përbashkëta mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Kjo vlen edhe për mbështetjen e masave kufizuese ndaj vendeve të treta.
“Përderisa disa vende kandidate dhe kandidatë potencialë me përkushtim mbajnë përshtatjen e plotë që tash, rezultatet tek disa të tjera duhet të përmirësohen si prioritet, posaçërisht kur është fjala për Rusinë dhe Bjellorusinë. Përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë është një sinjal përmbajtjesor i përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta dhe orientimit strategjik në kontekstin gjeopolitik”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.
Deri tash Serbia dhe Turqia janë të vetmet vende nga procesi i zgjerimit të cilat nuk i kanë mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, përkundër thirrjeve të përsëritura të bllokut që ta bëjnë këtë.
Në dokument Komisioni Evropian përmenden në disa raste përfitimet nga zgjerimi i ardhshëm, për të cilin ajo e pranona se do të ketë edhe pasoja dhe do të jetë sfidë për BE-në në aspektin financiar por edhe politik.
SHIKONI EDHE: Si po ec procesi i zgjerimit të BE-së?Komisioni konstaton se ndikimi i zgjerimit në barrën financiare të BE-së duhet të adresohet kur të jetë më e qartë se në cilin afat kohor mund të ndodhë zgjerimi. Por, gjithsesi paralajmëron se në kornizën e ardhshme financiare shumëvjeçare duhet të merret parasysh edhe pranimi i anëtarëve të rinj.
BE-ja buxhetin e vet financiar vjetor e përshtat me kornizën shtatëvjeçare financiare. Ajo aktuale është caktuar për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2027, ndërsa që nga viti i ardhshëm, kur të krijohet Komisioni i ri Evropian, do të nisin diskutimet për kornizën pas vitit 2027.
Ndonëse nuk ka afate formale, viti 2030 gjithnjë e më shumë po përmendet si afat deri kur BE-ja duhet të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj.
Komisioni Evropian në planin e vet të reformave në prag të zgjerimit hap edhe një temë rreth së cilës ka shumë ndasi mes vendeve anëtare. Propozon që në procesin e miratimit të vendimeve në Këshill të kalohet nga vendimet me konsensus në miratimin e vendimeve me shumicë të kualifikuar.
SHIKONI EDHE: Von der Leyen premton mbështetje për zgjerimin nëse rizgjidhetKjo, sipas Komisionit Evropian, në disa raste do të ishte e mundshme edhe pa pasur nevojë që të ndryshohen traktatet themelore të BE-së. Sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian, në njërën anë kjo do ta shpejtonte procesin e zgjerimit, por do të sigurohej edhe mbrojtja e interesave vitale të vendeve anëtare.
Kundër heqjes së të drejtës së vetos në politikën e jashtme dhe atë të zgjerimit, janë sidomos vendet më të vogla anëtare, të cilat kanë frikë se mund të mbivotohen dhe në këtë mënyrë, nuk do të mund të mbrojnë disa interesa specifike kombëtare.
Por, në anën tjetër shembuj të bllokimit të procesit të integrimit të kandidatëve nga vetëm një shtet anëtarë i BE-së kanë bërë që të rriten kërkesat që së paku në disa raste të hiqet e drejta e vetos.
Pas miratimit në Komisionin Evropian për reformat e brendshme të BE-së para zgjerimit do të diskutohet edhe në Këshill nga vendet anëtare.