Bisedimet për presidentin e ardhshëm të Kosovës, po lënë nën hije negociatat për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përderisa të dy partitë në negociata thonë se do t’i vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes, analistët politikë në anën tjetër, theksojnë se krahas pozitës së presidentit, çështje kyçe për arritjen e marrëveshjes janë edhe dy ministri në të cilat, sipas tyre, po insistojnë t’i kenë nën drejtim të dy partitë në negociata. Fjala është për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.
Pa marrëveshje rreth këtyre çështjeve, analistët, nuk po shohin mundësi që të arrihet deri te marrëveshja për Qeverinë e re të Kosovës.
Politologu Ramush Tahiri duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë së për një qeveri më të rëndësishme janë programi qeverisës dhe transparenca sesa pozitat udhëheqëse.
"Prezantimi i programeve [gjatë fushatës zgjedhore] tash po del që kjo ka qenë vetëm formë për të fituar vota, ndërsa problemi kryesor ose çështja kryesore madhore qenka ndarje pozitave të pushtetit, tash jo vetëm ato për të cilat janë mbajtur zgjedhjet, por të gjitha, në këtë rast edhe pozita e presidentit", tha Tahiri.
SHIKONI EDHE: Çështjet që po e zvarrisin marrëveshjen LVV-LDKAi thekson se ngecjet rreth ndarjes së posteve janë një lloj zhgënjimi, pasi që sipas tij, ndryshimi nuk ka të bëjë vetëm me ndërrim të pozicioneve, por siç thotë ai, ndryshimi ka të bëjë me koncept të ri.
"LDK dhe Vetëvendosje në periudhën e krijimit të qeverisë ose marrëveshjes për qeverisje, po flasin më shumë për ndarje të pushtetit të përgjithshëm, në gjithë segmentet, çka është keq dhe në këtë bazë po flasin për pozitën e presidentit i cili tash fare nuk është aktual dhe nuk është i rëndësishëm", tha Tahiri.
Ndërkaq, Artan Muhaxhiri, njohës i zhvillimeve politike në vend, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se partitë politike të cilat janë duke negociuar për krijimin e qeverisë së ardhshme po pretendojnë se me ministritë që udhëheqin apo pozitat që marrin të forcojnë edhe vetë partitë politike në të ardhmen.
"Kur është në pyetje ndarja e pushtetit edhe ato floskat retorike bien poshtë, prandaj edhe Vetëvendosje dhe LDK-ja, dëshirojnë që të kenë sa më shumë pushtet në qeverinë e ardhshme, në mënyrë që me një aspekt ta garantojnë edhe një përparësi edhe për zgjedhjet e ardhshme. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për qeverinë e re, po edhe për atë që do të ndodhë pas saj", tha Muhaxhiri.
SHIKONI EDHE: “Presidenti 2021”, pika e nxehtë e negociatave LVV – LDKMuhaxhiri mendon se çështja e postit të presidenti nuk është dashur të diskutohet në këto rrethana.
"Posti i presidentit nuk është aq i rëndësishme sa janë dikasteret e caktuara qeveritare për të cilat po bëhet beteja reale", tha Muhaxhiri.
Mospajtimet rreth ndarjes së pozitave kryesore në udhëheqjen e institucioneve të reja si dhe përplasjet politike nga e kaluara, sipas analistëve politikë, mund të shihen ndër arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po e kanë të vështirë ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës.
Ndonëse të dy partitë tashmë kanë deklaruar se janë dekoruar 100 për qind për programin qeverisës dhe numrin e ministrive, në momentin kur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa i filluan negociatat për ndarjen e pozitave udhëheqëse, bisedimet u ndërprenë.
Zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto dy parti politike, gjatë mandatit të kaluar ishin në opozitë, kurse tani po negociojnë rreth koalicionit qeverisës.
Ndërkaq partitë që ishin në pushtet, pritet që në mandatin e institucioneve të reja që do të formohen, të kalojnë në opozitë.