Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës para konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më 26 dhjetor dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, kanë pikëpamje të ndryshme nëse ekzistojnë ende mundësi dhe variante që një marrëveshje e tillë të arrihet.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, i cili parasheh formën e zgjedhjes së qeverisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në kuvend, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër. Nga ai moment, do të nisë rrjedhja e afatit prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re të vendit.
SHIKONI EDHE: Një kandidat konsensual për president të ardhshëm të Kosovës?Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, thotë se brenda afatit prej 15 ditësh që nga mandatimi i kandidatit për kryeministër nga ana e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta paraqesë një qeveri, e cila duhet të marrë mbështetjen e shumicës së thjeshtë në kuvend apo të 61 deputetëve.
“Kjo është në rast se ka marrëveshje me LDK-në. Sipas, supozimeve të mëhershme, atëherë kryetari i kuvendit që u zgjodh të enjten, ai vetëm mund të japë dorëheqje dhe mund të zgjidhet një kryetar tjetër i kuvendit. Kurse, në rast se nuk ka marrëveshje, LDK-ja po premton që do ta votojë qeverinë Kurti dhe atëherë mund të kemi një qeveri minoritare, në këtë rast - siç ka ndodhur edhe në të kaluarën në Kosovë, gjatë kohës Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re - pra, një qeveri që është e votuar, mirëpo që nuk ka numra të mjaftueshëm në kuvend. Gjithsesi, këso lloj qeverish mund të funksionojnë, por nuk kanë ndonjë peshë ose mundësi për të avancuar agjendën e tyre legjislative”, thotë Muja.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai shton që, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të bëjnë një marrëveshje dhe e para të lëshojë pe për çështjen e presidentit dhe të mbajë postin e kryetarit të Kuvendit, si dhe të vazhdohet me marrëveshjen e deritashme, me nga 5 ministri për secilën parti.
Por, megjithatë, sipas tij, në cilëndo situatë, Vjosa Osmani, e cila është më e votuara brenda LDK-së, siç thotë ai, “do të dalë nga loja”.
Por, njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se zgjedhja e Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje në postin e kryetarit të Kuvendit, e ka komplikuar tej mase mundësinë e një koalicioni të kësaj partie me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe e ka ndryshuar kornizën e bisedimeve për mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje për koalicion.
Sipas tij, nëse Kurti e humbë përkrahjen e LDK-së, atëherë edhe dhënia e mundësisë si mandatar për krijimin e Qeverisë nga ana e presidentit, do të jetë vetëm formalitet.
“Ai (Kurti) nuk do të mund t’i bëjë 61 votat e duhura për ta themeluar Qeverinë. Unë mendoj që oferta e (kryetarit të LDK-së, Isa) Mustafës, që ta votojë një qeveri të Vetëvendosjes ku nuk do të bëj pjesë vetë, është më shumë një formalitet, sepse nuk ka logjikë që një parti ta votojë një qeveri, për të cilën pastaj nuk do të marrë përgjegjësi për vendimet e asaj qeverie. As Kurtit nuk do t’i konvenonte një qeverisje e tillë, sepse ajo do të mund të rrëzohej në çdo moment”, thekson Muhaxhiri.
Your browser doesn’t support HTML5
Por, bazuar në rrethanat e krijuara, a mund të pritet që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Analisti Muja nuk e beson një mundësi të tillë, të paktën jo menjëherë. Sipas tij, pas konstituimit të kuvendit, prioriteti i parë i qeverisë do të jetë avancimi i propozim-buxhetit për vitin 2020.
“Pa buxhet, qeveria mbyllet më 28 shkurt 2020 dhe nuk ka më para as të paguhen pagat dhe as të organizohen zgjedhjet. Ka para vetëm për shërbim të borxhit publik. Për këtë arsye, nuk është e mundur edhe në parim që të organizohen zgjedhje pa pasur një pajtim sa i përket buxhetit për vitin 2020. Në çdo situatë, për të shkuar në zgjedhje, fillimisht duhet të krijohet një qeveri, qoftë edhe e keqe, që të votojë ligjin dhe pastaj, nëse u përgjigjet që të pajtohen, prapë të shkojnë në zgjedhje në të ardhmen”, shprehet Muja.
Por, ndryshe shpreh mendimin analisti Muhaxhiri. Sipas tij, në rast se nuk do të ketë një marrëveshje eventuale ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, e cila siç thotë ai, është pak ose fare e besueshme që mund të arrihet, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Mendoj se zgjedhjet e reja janë opsioni më real që të dilet nga kjo bllokadë, sepse çdo opsion tjetër do ta vazhdonte agoninë politike në Kosovë”, thotë Muhaxhiri.
Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se pas emërimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes vetëvendosje, të gjitha marrëveshjet paraprake do të dështojnë.
Ata kanë paralajmëruar mundësinë për marrëveshje të re lidhur me përgjegjësitë, si dhe për programin qeverisës, por edhe mundësinë që LDK-ja të kalojë në opozitë.