Lideri i Koresë së Veriut mbikëqyr testimin e raketës lundruese, ndërsa Jugu nis stërvitjet me SHBA-në

Fotografi ilustruse nga një stërvitje e përbashkët ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mbikëqyri një testim të raketave strategjike lundruese, tha më 21 gusht agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, ndërsa Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan stërvitjet vjetore ushtarake që Pheniani i sheh si një ushtrim për luftë.

Kim Jong Un vizitoi një flotë detare të stacionuar në bregun lindor për ta mbikëqyrur testimin në bordin e një luftanijeje, raportoi KCNA-ja, pa specifikuar datën e udhëtimit të tij.

Testimi synonte të verifikonte “funksionin luftarak të anijes dhe tiparin e sistemit të saj raketor”, ndërsa përmirësonte aftësinë e marinarëve për të kryer një “mision sulmi në luftë të vërtetë”, tha KCNA-ja, duke shtuar se raketa e anijes goditi objektivin e saj.

Lideri i Koresë së Veriut tha se anija do të ketë “fuqi të fuqishme goditëse dhe gatishmëri të vazhdueshme për luftim për t'u përballur me situata të papritura”, raporton KCNA-ja.

SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut thotë se simuloi një kundërsulm bërthamor

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se kishte zbuluar shenja të nisjes së raketës, por se pretendimet e KCNA-së ishin “të ekzagjeruara” dhe “dallonin nga faktet”, por nuk dha detaje të tjera.

Testimi i fundit i raketave erdhi në një kohë kur Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan stërvitjet verore të Mburojës së Lirisë Ulchi. Stërvitjet e nisura më 21 gusht janë të dizajnuara për ta përmirësuar përgjigjen e tyre të përbashkët ndaj kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.

Pheniani ka kritikuar stërvitjet ushtarake të aleatëve, duke i cilësuar ato si një stërvitje për luftë bërthamore.

SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut: Testet bërthamore janë për të zhdukur armiqtë

Ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se stërvitjet e këtij viti do të jenë në “shkallën më të madhe ndonjëherë”, duke përfshirë dhjetëra mijëra trupa nga të dyja palët, si dhe disa shtete anëtare të Komandës së OKB-së.

Presidenti Yoon Suk Yeol tha se stërvitjet do të përfshijnë disa skenarë të emergjencës, të tilla si sulme kibernetike, terroriste dhe me dronë, si dhe një fushatë dezinformimi nga Koreja e Veriut.

“Paqja e vërtetë ruhet vetëm me forcë dërrmuese, jo me lypje të njëanshme apo vullnet të mirë”, tha Yoon në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Koreja e Veriut flet për sulme parandaluese bërthamore dhe përgatitjet për një luftë sulmuese, por ne do të hakmerremi menjëherë dhe në mënyrë dërrmuese për çdo provokim”.

Ligjvënësit e Koresë së Jugut kanë paralajmëruar se Koreja e Veriut mund të testojë një raketë balistike ndërkontinentale ose të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake për të protestuar ndaj stërvitjeve të aleatëve dhe samitit të javës së kaluar të Koresë së Jugut, Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.

SHIKONI EDHE: SHBA i sheh si kërcënim aktivitetet raketore të Koresë Veriore

Gjatë dy viteve të fundit, Koreja e Veriut ka testuar ato që ajo i quan “raketat strategjike lundruese”, të cilat disa analistë kanë thënë se mund të jenë të pajisura me koka bërthamore.