Ndërlidhjet

Koreja e Veriut: Testet bërthamore janë për të zhdukur armiqtë


Qytetarët në Seul duke shikuar lajmet për raketën e lëshuar nga Koreja e Veriut. 4 tetor 2022.
Qytetarët në Seul duke shikuar lajmet për raketën e lëshuar nga Koreja e Veriut. 4 tetor 2022.

Lëshimet e fundit të raketave të Koresë së Veriut ishin për të testuar armët bërthamore të këtij shteti “për të goditur dhe zhdukur” shënjestrat e mundshëm të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, raportoi më 10 tetor media shtetërore. Këto raportime vijnë në kohën kur lideri verikorean ka sinjalizuar se do të kryejë edhe më shumë teste provokuese.

Deklarata e Koresë së Veriut u lëshua në përvjetorin e 77-të të Partisë së Punëtorëve, që është në pushtet, dhe shihet si përpjekje për unitetin e publikut ndaj Kimit, i cili po përballet me vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia, por edhe për shkak të kërcënimit të sigurisë që paraqet aleanca ushtarake midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

“Përmes shtatë lëshimeve të raketave dhe operacioneve taktike bërthamore, u shfaqën aftësitë tona... të forcave luftuese bërthamore që janë të gatshme të godasin dhe zhdukin shënjestra në çdo lokacion dhe në çdo kohë”, tha agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

KCNA tha se testimi i raketave u bë në përgjigje të stërvitjeve të fundit detare të forcave të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, ku u përfshi edhe avionmbajtësi USS Ronald Reagan. Kjo ishte hera e parë në pesë vjet që ky avionmbajtës u përfshi në stërvitje.

Duke i parë këto stërvitje si kërcënim ushtarak, Koreja e Veriut vendosi të zhvillonte “simulim të një lufte të vërtetë” për të kontrolluar dhe përmirësuar aftësitë e saj të luftës dhe për të paralajmëruar armiqtë, tha KCNA.

Koreja e Veriut i konsideron stërvitjet ushtarake SHBA-Kore e Jugut si përgatitje për pushtim, edhe pse këto shtete kanë thënë se stërvitjet janë të natyrës së mbrojtjes. Që nga maji, kur u formua Qeveria e re në Seul, ushtritë e SHBA-së kanë zgjeruar stërvitjet e tyre ushtarake, pasi i kishin zvogëluar ato për shkak të pandemisë.

Në lëshimet e raketave – që u mbikëqyrën nga Kim – u përfshin edhe raketa me aftësi bërthamore, por edhe raketa të tjera balistike. Po ashtu, Veriu ka lëshuar një raketë balistike tokë-tokë që ka fluturuar mbi Japoni, raportoi KCNA.

Këtë vit, Koreja e Veriut ka kryer numër rekord të testime, duke lëshuar mbi 40 raketa balistike dhe lundruese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG