Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Japonia dënojnë testin raketor të Koresë së Veriut


Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri japonez, Fumio Kishida. Fotografi nga arkivi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri japonez, Fumio Kishida. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia bashkërisht kanë dënuar lëshimin e një rakete balistike nga Koreja e Veriut.

Ky njoftim erdhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, bisedoi me kryeministrin japonez, Fumio Kishida, tha Shtëpia e Bardhë më 4 tetor.

Biden përsëriti se SHBA-ja “është e përkushtuar për mbrojtjen e Japonisë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë mbi Japoni”, u tha në deklaratë.

“Liderët bashkërisht dënojnë testin e raketës, e shohin atë si kërcënim për popullin japonez, destabilizimin e rajonit dhe shkelje të qartë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shtua në deklaratë.

Biden dhe Kishida po ashtu konfirmuan se do të vazhdojnë të koordinojnë përgjigjen e tyre të përbashkët, me Korenë e Jugut dhe komunitetin ndërkombëtar.

Më 4 tetor, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike mbi Japoni për herë të parë në pesë vjet.

Testimi i fundit – që është i pesti që Koreja e Veriut ka kryer në dhjetë ditët e fundit – shtyri Japoninë që të aktivizojë sistemin e alarmit të raketave dhe të lëshonte një paralajmërim të rrallë, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të strehoheshin në vende të sigurta.

Për herë të fundit, Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë mbi Japoni më 2017, në kohën kur lideri verikorean Kim Jong Un, kishte shkëmbyer akuza me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Koreja e Jugut tha se raketa balistike me rreze të mesme veprimi fluturoi rreth 4.500 kilometra – që mund të jetë distancë rekord për fluturimet e raketave të Koresë së Veriut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, e quajti “provokim” lëshimin e raketës dhe tha se ky testim përbën shkelje të rezolutave të OKB-së, duke u zotuar për “përgjigje të fuqishme”.

Kishida tha se lëshimi i raketës ishte “akt i dhunës”, ndërkaq kreu i Bashkimit Evropian, Charles Michel, tha se ky veprim i Koresë së Veriut përbën “një agresion të pajustifikuar”.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, vizitoi Seulin javën e kaluar dhe vizitoi edhe Zonën e Demilitarizuar, që ndan Gadishullin Korean.

Rreth 28.500 trupa amerikane gjenden në Korenë e Jugut për t’i ndihmuar këtij shteti që të mbrohet nga Koreja e Veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG