KS i OKB-së mban takim urgjent për Ukrainën

Pamje nga takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kombet e Bashkuara kanë hapur takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit, pas thellimit të krizës në Ukrainë të hënën, 21 shkurt, pasi Rusia ka njohur pavarësinë e dy rajoneve lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse atje.

“Ne po përballemi me një situatë shumë, shumë dramatike”, ka thënë ambasadori francez në OKB, Nicolas de Riviere para se të niste takimi.

SHIKONI EDHE: Putin urdhëron dërgimin e trupave ruse në lindje të Ukrainës

Franca ka qenë në mesin e shteteve që ka bërë thirrje për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit.

Gjatë adresimit në takim, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka hedhur dyshime ndaj pretendimit të presidentit rus, Vladimir Putin se urdhri për të dërguar trupa në dy rajonet ukrainase ka të bëjë me rol paqeruajtës.

“Ai i quan ata paqeruajtës. Kjo nuk ka kuptim. Ne e dimë kush në të vërtetë janë ata”, ka thënë Thomas-Greenfield.

SHIKONI EDHE: SHBA ndalon tregtinë me rajonet lindore të Ukrainës

Urdhri i Putinit është parë si hapje e rrugës për një operacion dhe për angazhim të trupave që ka mbledhur në kufijtë e Ukrainës.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit të hënën duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Thomas-Greenfield ka thënë se fjalimi ka pasur “një mori pretendimesh të rreme”, të cilat kanë pasur synim “krijimin e një arsyetimi për luftë”.

Rusia, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, ka kërkuar që takimi të mbahej me dyer të mbyllura, mirëpo SHBA-ja ka insistuar të jetë takim publik.

Greenfield ka thënë se pasojat e veprimeve të Rusisë do të jenë të llahtarshme për Ukrainën, Evropën dhe botën, dhe se mund të ketë më shumë viktima nëse Moska pushton më shumë.

I dërguari i posaçëm rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka thënë të hënën sa Moska mbetet “e hapur për diplomaci”, mirëpo ka theksuar nevojën për të mbrojtur zonat separatiste nga ai që e ka cilësuar agresion ukrainas.

SHIKONI EDHE: Presidenti i Ukrainës: Kufijtë tanë mbeten të pandryshuar

Ukraina ka kërkuar mbajtjen e takimit pas vendimit të Putinit dhe kërkesa e saj është mbështetur nga tetë vende anëtare të Këshillit, përfshirë, SHBA-në, Britaninë, dhe Francën.

Ky ka qenë takimi i tretë i Këshillit të Sigurimit për të diskutuar rreth Ukrainës në javët e fundit.

Megjithatë aty nuk është marrë ndonjë vendim sepse Rusia ka fuqinë e vetos, ashtu sikurse Franca, Britania, Kina dhe SHBA-ja.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres beson se Rusia ka shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës me vendimin e saj për të njohur lindjen e Ukrainës në entitete të pavarura, ka thënë një zëdhënës i tij.