Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar të hënën, 21 shkurt, trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.
Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar se përshkallëzimi ushtarak do të nxisë pasoja masive për Moskën.
Ky vendim i Putinit ka ardhur disa orë pasi ai ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.
Në dekret është thënë se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.
Në të është thënë se ushtria ruse do të hyjë në Donjeck "me kërkesë të republikës për të siguruar paqen”.
Aty po ashtu i kërkohet Ministrisë së Jashtme të Rusisë të përgatisë “një marrëveshje për miqësi, bashkëpunim dhe ndihmë të dyanshme” me Republikën e Donjeckut dhe që ajo t’i dërgohet Kremlinit për nënshkrim.
Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbesin plotësisht mbështetëse të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë.
Çfarë tha Putin gjatë fjalimit?
Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.
Ndërkohë që Putin ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.
Putin ka bërë supozime gjatë fjalimit – pa ofruar të dhëna – se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane të paspecifikuara për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.
Ai ka thënë se Ukraina është “kukull e regjimit” të udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.
Presidenti rus po ashtu ka thënë se NATO-ja ka “injoruar plotësisht” kërkesat e Moskës për siguri, në të cilat është përfshirë edhe ajo që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës dhe për heqjen e armëve të NATO-s dhe pajisjeve tjera nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.
Putin ka nënshkruar dokumentet dhe i ka kërkuar Parlamentit rus që të ratifikojë vendimin sa më shpejt që është e mundur.
Ai e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se “jam i sigurt se do të kem mbështetjen e popullit rus”.
SHBA ndalon tregtinë me rajonet lindore të Ukrainës
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndalon “investimet e reja, tregtinë dhe financimin e personave amerikanë nga dhe drejt” dy rajoneve në lindje të Ukrainës, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i ka njohur si entitete të pavarura të hënën, më 21 shkurt, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Ky urdhër do të “ofrojë autoritet për të vendosur sanksione ndaj secilit person që vërtetohet se vepron në këto zona të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki përmes një deklarate.
Psaki ka thënë se këto masa janë të ndara nga sanksionet që SHBA-ja dhe aleatët kanë përgatitur nëse Rusia pushton Ukrainën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se shtetet kanë obligim të mos njohin një “shtet” të ri, të krijuar përmes kërcënimit apo përdorimit të forcës, ashtu sikurse kanë obligim të mos prishin kufijtë e një shteti tjetër.
“Vendimi i Rusisë është një tjetër shembull i mosrespektimit flagrant të ligjeve dhe normave ndërkombëtare nga ana e presidentit Putin”, është thënë në deklaratën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Biden i premton presidentit ukrainas se do të përgjigjet “me shpejtësi dhe vendosmëri”
Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden ka telefonuar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky për të dënuar veprimin e Rusisë për të njohur rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.
Biden ka biseduar me të për “të rikonfirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Ai i ka thënë presidentit ukrainas se SHBA-ja planifikon të vendosë sanksione dhe se do të përgjigjet “shpejt dhe me vendosmëri, bashkë me aleatët dhe partnerët” ndaj agresionit të mëtejmë nga Rusia”.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden ka zhvilluar biseda telefonike edhe me presidentin Francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz për të diskutuar rreth koordinimit të përgjigjes.
Reagimi i NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar po ashtu vendimin e Putinit.
“Kjo gjë gërryen përpjekjet për të zgjidhur konfliktin dhe shkel marrëveshjet e Minskut. NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne i bëjmë thirrje Moskës që të ndalë nxitjen e konfliktit dhe të zgjedhë diplomacinë”, ka thënë ai në Twitter.
Marrëveshjet e Minskut janë nënshkruar më 2014 dhe 2015 me qëllim të ndaljes së luftimeve në lindje të Ukrainës, mirëpo nuk kanë arritur t’i ndalin ato plotësisht.
Gjermania dhe Franca paralajmërojnë masa
Rreth vendimit për të njohur këto rajone është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.
Presidenca franceze ka thënë se Macron dënon vendimin e Kremlinit dhe i ka bërë thirrje BE-së të pajtohet për sanksione të reja kundër Moskës.
“Presidenti dënon vendimin… Ai është duke kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ashtu sikurse miratimin e sanksioneve evropiane”, është thënë në deklaratën e presidencës franceze.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka akuzuar Rusinë “për shkelje” të ligjit ndërkombëtar dhe për dëmtim të përpjekjeve diplomatike për të zgjidhur konfliktin në lindje të Ukrainës.
BE: Do të veprojmë me vendosmëri
Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar për pasoja të rënda pas vendimit të Putinit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se njohja e dy rajoneve separatiste në Ukrainë nga ana e Rusisë, përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial të Ukrainës dhe marrëveshjeve të Minskut, duke iu referuar marrëveshjeve për paqe që lidhen me lindjen e Ukrainës.
“Bashkimi Evropian dhe partnerët do të reagojnë me unitet dhe vendosmëri në solidaritet me Ukrainën”.
Ndërkohë që Putin ka qenë duke mbajtur fjalimin, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka përsëritur se Rusia mund të presë “një paketë e sanksioneve”.
Ai e ka konsideruar veprimin e Putinit si “shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”.
Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë menjëherë sanksione.
Kjo gjë mund të jetë vendimtare për Evropën, teksa Kievi dhe liderët e Perëndimit paralajmërojnë se një sulm ushtarak rus ndaj Ukrainës mund të ndodhë shpejt.
Perëndimi thotë që më shumë se 150,000 trupa ruse gjenden afër kufirit të Ukrainës.
Kievi ka thënë më parë se “e gjithë bota” është duke shikuar veprimet e Moskës për njohjen e grupeve të stilit të vet dhe se “secili i di pasojat”.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka vënë në dukje “shumë emocione”, mirëpo ka thënë se “pikërisht tani duhet të fokusohemi në përpjekjet për ulje të tensioneve. Nuk ka rrugë tjetër”.
Më herët gjatë ditës, Kuleba ka thënë se u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mblidhen për të diskutuar të ashtuquajturin memorandum të Budapestit, “për të diskutuar veprime urgjente me qëllim të uljes së tensioneve”, bashkë me “hapa praktikë për të garantuar sigurinë në Ukrainë”.
Putin ka shtuar më herët gjatë ditës se nuk ka “asnjë perspektivë” për plan të paqes që t’i jepet fund konfliktit në lindje të Ukrainës, ku Kievi ka luftuar me separatistë të mbështetur nga Moska prej vitit 2014.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë javën e kaluar se beson që Putin të ketë vendosur për sulm dhe mediat në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se inteligjenca amerikane sugjeron se janë dërguar urdhra te komandantët taktikë të Rusisë.
Liderët separatistë kanë njoftuar për evakuime dhe mobilizime në ditët e fundit në zonat që kanë nën kontroll.
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka paralajmëruar më 21 shkurt “se ne presim që ata (të dërgojnë tanket ruse në kufi me Ukrainën) në orët apo ditët në vijim”.