Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar të enjten, 20 janar, përditësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë – ku ka marrë pjesë Kurti – është thënë se pothuajse të gjitha rastet e infektimit janë me variantin Omicron të koronavirusit.
Kurti ka kërkuar që masat e reja të kenë qëllim ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit.
Sipas masave aktuale, të miratuara më 23 tetor të vitit të kaluar, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga mesnata deri në ora 05:00.
Bizneset e gastronomisë punojnë deri në orën 23:00, derisa muzika ndalet në orën 21:30.
Masat e reja pritet të prekin orarin e këtyre bizneseve.
Më 19 janar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 2,050 raste të infektimit. Kjo shifër paraqet një rritje të madhe krahasuar me një ditë më parë, kur u regjistruan 720 infektime.
Varianti Omicron i koronavirusit përhapet më lehtë se variantet tjera dhe duket se përcillet me simptoma jo shumë të ashpra.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që ky variant të mos konsiderohet i butë.
SHIKONI EDHE: OBSH: Omicron nuk duhet të kategorizohet "i butë"Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet kosovare kanë regjistruar mbi 163.000 raste të infektimit.
Prej tyre 2.995 persona kanë vdekur.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.
Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.
Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.