Pllakatet apo pamfletet me përmbajtje kërcënuese ndaj pjesëtarëve serbë, që janë pjesë e institucioneve të sigurisë në Kosovë, të cilat bartin nënshkrimin e të ashtuquajturës “Armata e veriut”, nuk vërtetojnë ekzistencën e një organizate të tillë paraushtarake në veri të Kosovës, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe njohësit serbë të zhvillimeve politike.
Kërcënimet përmes pllakateve të vendosura në hapësira publike, ka pasur vite më parë për pjesëtarët e komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e Policisë së Kosovës, ndërkaq që gjatë këtij viti, janë kërcënuar pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për ta braktisur këtë forcë.
Besim Hoti, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që policia nuk ka asnjë informacion që e ashtuquajtura “Armatë e veriut” është ekzistuese në territorin e Kosovës.
Sipas tij, individë të ndryshëm, për qëllime të karaktereve të ndryshme, thirren në organizata të cilat nuk janë ekzistuese dhe janë të panjohura për opinionin publik. Kjo për shkak që, siç thotë ai, të sajojnë përmasa më të mëdha të seriozitetit të kërcënimit.
“Kemi pasur letra kërcënuese, në situata të ndryshme, kohë më herët, për arritje të qëllimeve të karakterit politik ose të qëllimeve tjera të karakterit individual. Mirëpo, për ekzistencën e organizatave të tilla, të cilat do të ishin të armatosura ose që do ta rrezikonin sigurinë deri në një nivel të tillë, Policia e Kosovës nuk ka informacion, për ekzistencën e tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Jo vetëm nga policia, por as nga qasjet tjera të burimeve, informacioneve zyrtare nuk kemi për ekzistencën e një organizate të tillë”, tha Hoti.
Rangjel Nojkiq, njohës serb i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se pllakatet me kërcënime, të nënshkruara nga e ashtuquajtura “Armata e veriut” janë fakt. Gjithashtu, sipas tij, në veri ka pasur mjaft incidente ku janë përdorur armë zjarri, janë hedhur bomba dhe mjete tjera shpërthyese, janë djegur vetura dhe pasuri të paluajtshme, si dhe ka pasur kërcënime verbale ndaj individëve të caktuar.
“Por, megjithatë, se a ka të bëjë kjo me ndonjë ushtri të organizuar apo siç e kanë quajtur organizatë paraushtarake, kjo nuk ekziston. Është e mundur që dikush po provon që të dërgojë porosi në këtë mënyrë, se ekziston një organizim i tillë, por unë absolutisht nuk besoj në këtë. Marrë parasysh që nuk ka pasur aksione të caktuara që do të tregonin se ekzistojnë formacione të ndonjë armate në veri. Jam gati se krejtësisht i sigurt se ajo nuk ekziston, përveç që ato janë grupe kriminale, që kanë qenë dhe ekzistojnë edhe sot në veri”, theksoi Nojkiq.
Në ekzistencën e një organizate fantome, të ashtuquajtur “Armata e veriut”, nuk beson as Petar Miletiq, njohës tjetër serb i çështjeve politike.
“Personalisht, nuk besoj në këtë e sidomos nuk besoj që është ndonjë armatë. Se dikush thirret në të, kjo është më shumë se e dukshme, por që pas kësaj mund të qëndrojë ndonjë organizatë e madhe e në veçanti ndonjë armatë, nuk besoj. Madje mund të them se jam i sigurt që diçka e tillë nuk ekziston”, theksoi Miletiq.
Por, a kanë krijuar kërcënimet e tilla, përmes pamfleteve dhe pllakateve, efekte psikologjike ndaj atyre që janë kërcënuar?
Hoti thotë se nga aspekti i studimit psikologjik, kërcënimet bartin si pasojë edhe efektet tek individët.
“Që nga gjenerata e parë e Policisë së Kosovës, kur kemi filluar formimin e kësaj organizate me Policinë e UNMIK-ut, nga 1999, ka pasur kërcënime të tilla të drejtuara me letra, në emër të organizatave të ndryshme, ndaj individëve. Tash, kanë kaluar më tepër se 19 vjet dhe ne jemi duke ekzistuar. Do të thotë, është çështje e përballjes së individëve ose të grupeve të individëve përballë presioneve psikologjike, përmes këtyre letrave që ju drejtohen atyre. Është çështje tjetër se si ato pranohen nga individë të ndryshëm ose nga grupe të caktuara”, u shpreh Hoti.
Nojkiq shpreh mendimin se efekti psikologjik tek komuniteti serb ekziston kur bëhet fjalë për grupet kriminale, por jo nga mundësia e ekzistimit të një organizate të ashtuquajtur “Armata e veriut”.
“Mendoj që pak kush beson në këtë. Përveç në rast se dikush ndoshta dëshiron që në një mënyrë të caktuar të dërgojë porosi, qoftë tek përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, qoftë ndoshta dikujt në anën jugore të lumit Ibër, se mund të ekzistojë një formacion i tillë. Por unë nuk besoj që ekziston”, tha Nojkiq.
Megjithëkëtë, Miletiq thotë se efektet psikologjike nga kërcënimet e tilla janë krejtësisht të mundshme.
“Është e mundshme, veçanërisht tek ata që kanë qenë të kërcënuar. Është e mundshme që ata e i kanë kuptuar seriozisht këto kërcënime”, theksoi Miletiq.
Në Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë qenë 103 pjesëtarë nga komuniteti serb i vendit.
SHIKONI EDHE: Nën presionin e Beogradit, serbët shtrëngohen të braktisin FSK-nëPas thirrjeve të autoriteteve të Serbisë që pjesëtarët serbë ta braktisin këtë institucion të sigurisë së Kosovë, si dhe pas kërcënimeve përmes pllakateve dhe pamfleteve në vende publike në veri të vendit, shumica e pjesëtarëve serbë e kanë braktisur Forcën e Sigurisë së Kosovës.