Një muaj paraburgim për Katica Janevën

Prokurorja speciale, Katica Janeva.

Prokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva është dërguar në paraburgim 30 ditësh, si e dyshuar në rastin “Reket”.

Vendimi është marrë nga gjykatësi i procedurës paraprake duke pranuar kështu kërkesës e Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar për masën e paraburgimit për drejtuesen e Prokurorisë Speciale.

Janeva ka të drejtë të apelojë vendimin përmes avokatit të saj në Këshillin Penal.

Gjykata nuk ka marrë parasysh kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin e Janevës për shkak të vdekjes të nënës së saj. Nga gjykata kanë thënë se ajo do të dërgohet në ceremoninë mortore, por nën shoqërim të policisë

Më herët gjatë ditës, kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, bëri të ditur për mediat se nga dëshmitë e siguruara deri më tani, ka bazë për zgjerimin e hetimit për rastin “Reketi” edhe ndaj Katica Janeva, e cila po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ju informojmë se Prokuroria Themelore e ka zgjeruar hetimin duke përfshirë edhe prokuroren publike që është arrestuar dhe është kërkuar masë paraburgimi. Në bazë të dëshmive të siguruara është vërtetuar se prokurori e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare që e ka fituar në bazë të Ligjit për Prokurori Speciale, duke përfituar kështu për vete dhe për persona të tjerë pronë në sasi të konsiderueshëm”, tha Joveski.

“Njëri nga të dyshuarit në rastin ‘Reketi’,duke shfrytëzuar ndikimin ndaj prokurores speciale, ka kërkuar që të shfuqizohet masa e paraburgimit për njërin ndaj të akuzuarve në rastin ‘Perandoria’. Prokurorja speciale duke marrë shumë të madhe të mjeteve, ka pranuar që njërit nga të akuzuarit t’ia shfuqizojë masën e paraburgimit, duke ia zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak”, bëri të ditur për mediat kryeprokurori Lubomir Jovevski.

SHIKONI EDHE: Prokurorja Speciale merret në pyetje për rastin “Reketi”

Ndërkohë, prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska ka demantuar lajmet të publikuara në disa media se krahas prokurores speciale Katica Janeva, gjatë ditës është udhëruar bastisja e shtëpive të dy politikanëve.

“Nga Prokuroria Themelore Publike nuk është bërë një kërkesë të tillë për bastisje të shtëpive të politikanëve. Nëse ka një kërkesë për bastisjen e shtëpive të politikanëve, ndoshta ajo kërkesë është e ndonjë prokurorie tjetër, por për këtë rast nuk ka”, ka thënë Ruskoska.

Nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar kanë theksuar se për momentin nuk kanë asnjë indice se paratë që kanë të bëjnë me zhvatjen e 1.5 milion eurove nga afaristi Orce Kamçev kanë përfunduar te politikanët në Maqedoninë e Veriut ose jashtë shtetit.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se rasti “Reketi”, ku akuzohet edhe prokurorja speciale Katica Janeva, konfirmon se para drejtësisë dhe ligjit të gjithë janë të barabartë.

“Rezultati nga hetimi duhet të bazohet në dëshmi dhe parimin e së drejtës. Pavarësisht rrjedhës së rastit, Qeveria pret nga të gjitha organet përfshirë edhe Prokurorinë Speciale Publike, në luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Procedurat gjyqësore do të zhvillohen në procedurë të hapur”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë Muhamed Hoxha, duke shtuar se institucionet dhe pushteti ekzekutiv po qëndrojnë në dispozicion me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit.

Ndërkaq, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE pas arrestimit të prokurores speciale publike Katica Janeva, ka theksuar se me këtë po synohet “shpëtimi” i kryeministrit, Zoran Zaev.

“Arrestimi i Katica Janevës nuk duhet të shndërrohet në aksion për shpëtimin e Zoran Zaevit, por duhet të shihet se cili ka qenë roli i të gjithë atyre që kanë qenë të afërt me organizatën humanitare ‘Lidhja ndërkombëtare’. Janeva është vetëm një hallkë e zinxhirit të krimit të organizuar”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-së, Dimce Arsovski.

SHIKONI EDHE: Akuza mes qeverisë dhe opozitës për rastin “Zhvatje”

Arrestimi i prokurores speciale, Katica Janeva vjen vetëm një ditë pas dëshmisë së saj para Prokurorisë lidhur me rasti “Reketi”, që ka të bëjë me zhvatjen e 1,5 milion eurove nga një afarist. Dyshohet se në këtë rast të zhvatjes janë të përfshirë dy persona, që janë të afërt me Janevën.

Prokurorja speciale Katica Janeva bazuar në një video-incizim të publikuar nga një gazetë italiane “La Verita” dyshohet të jetë përfshirë në këtë skandal.

Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski, dy personat që shihen në incizim duke marrë paratë, i premtojnë afaristit, Orce Kamçev se në bashkëpunim me Katica Janevën do t’i lehtësojnë atij procesin gjyqësor në një aferë tjetër korruptive.

Ky skandal ka shkaktuar përplasje të shumta mes partive politike për atë nëse ka ose jo të përfshirë edhe politikanë.