Ndërlidhjet

Akuza mes qeverisë dhe opozitës për rastin “Zhvatje”


Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë se Veriut Radmilla Shekerinska ka thënë se rasti “Zhvatje” dëshmon se ky shtet tashmë ka ndryshuar dhe se tash institucionet reagojnë ndaj krimit.

Shekerinska këto komente i bëri gjatë një konferencë të përbashkët me gjeneralin Gregory Knight i cili kryeson delegacionin e lart të Gardës Kombëtare të shtetit Vermont të SHBA-së, që po qëndron për vizitë në Shkup.

Javëve të fundit, në Shkup ka shpërthyer skandali “Zhvatja”, ku një afaristi i janë marrë 1.5 milion euro për të shpëtuar nga një proces gjyqësor, e në të cilin përveç dy personave të paraburgosur dyshohet të jetë përfshirë edhe prokurorja Speciale në dorëheqje, Katica Janeva.

Shekerinska ka thënë se partia opozitare VMRO DPMNE duhet të përkrahë ligjin për Prokurorinë Themelore Publike në të cilën është e përfshirë edhe e ardhmja e Speciales.

“Çdo kush që dëshiron të ndihmojë që të zbardhet rasti 'Zhvatje', përkatësisht të kërkohet përgjegjësi nga të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin dhe janë të përfshirë në kriminalitet dhe korrupsion duhet këtë ta demonstrojë me mbështetjen e një ligji me të cilin do të formohet Prokuroria Publike e cila do të luftojë jo vetëm krimin e organizuar, por do të këtë në fokus dhe korrupsionin në nivele të larta, e cila nuk do të merret me raste vetëm nga e kaluara, por edhe me raste aktuale".

"Nëse do të kishim diçka për të fshehur, dhe nëse do të donim të bënim kompromis me luftën kundër krimit të organizuar nuk do të ishim të interesuar për një ligj të këtillë dhe për një prokurori të këtillë”, ka thënë Shekerinska.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së .

Antonio Milloshovski nga partia maqedonase në opozitë VMRO DPMNE, thotë se Prokuroria e re e cila duhet të formohet me ligjin e ri nuk duhet të bëhet një strehë për personat që kërkojnë haraç.

“Prokuroria e re nuk duhet të bëhet strehë për prokurorët që “zhvasin” dhe as për bashkëpunëtorët e tyre”, ka deklaruar Milloshovski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG