Jovanoviq: Serbia mund të pretendojë veriun e Kosovës, por s'e thotë dot

Çedomir Jovanoviq, foto nga arkivi

E ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë e qartë, përderisa Serbia nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur, është thënë në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës në Prishtinë, me temën :"Cila është e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi".

Në tryezë kanë folur Lideri i Partisë Demokratike Liberale në Serbi, Çedomir Jovanoviq dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Çedomir Jovanoviq, i cili njihet për një pikëpamje ndryshe nga Qeveria e Serbisë kur është në pyetje shteti i Kosovës, tha se “pranimi i ndërsjellë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është real, pavarësisht që do të ishte zgjidhja e dëshirueshme".

Por, sipas tij, aktualisht shoqërisë serbe nuk duhet t’i imponohet një gjë e tillë.

“Ne marrim pjesë në dialog dhe Prishtina është e qartë se çfarë dëshiron. Por, çfarë dëshiron Beogradi? Beogradi dëshiron diçka, por këtë nuk mund ta thotë pasi që e pamundur”, tha Jovanoviq, duke aluduar në kërkesën eventuale të Beogradit që në shkëmbim të njohjes së Kosovës, të kërkojë Mitrovicën Veriore.

“Në çdo marrëveshje është dikush që humb diçka”, tha Jovanoviq, sipas të cilit, edhe në rast se do të kërkonte Serbia pjesën veriore të Kosovës, atëherë kjo do të mund të përcillej me reagime në rajon.

Shoqëria në Serbi, theksoi ai, nuk është e hapur që të kuptojë në këtë moment dhe të shoh zgjidhje serioze dhe afatgjate.

“Për Serbinë duhet të jetë e mjaftueshme që serbët që jetojnë në Kosovë të ndihen si në shtetin e vet. Por, për fat të keq për këtë deri më tani nuk ka pasur mirëkuptim”, tha Jovanoviq.

“Unë e shoh se ka ndërruar retorika. Shoqëria gjendet në një gjendje që nuk është e aftë të kuptojë realitetin. Nuk është më problem për presidentin (Aleksandar) Vuçiq të tregojë se është dëgjuar dhe takuar me presidentin e juaj (Hashim) Thaçin, por unë nuk besoj në marrëdhëniet e këtyre dy personave. Kjo është kërcënim për Kosovën”, tha ai.

Jovanoviq ka shprehur shqetësim për ndalimin e karateistëve kosovarë që të hyjnë në Serbi duke u pamundësuar pjesëmarrjen në kampionatit evropian në Novi-Sad.

“Ne bisedojmë me Kosovën, por karateistët e saj nuk mund të hyjnë në Serbi. Problem i madh është kur Serbia e pranon (Vojsllav) Sheshelin. Nuk jam i lumtur që e shoh këtë gjë. Duhet ta kemi idenë e paqes dhe t’i zgjidhim mosmarrëveshjet”, thotë Jovanoviq.

Ai shton se "nuk e di në cilën mënyrë Serbia mund të jetë mirë, nëse ajo e kundërshton faktin që Kosova është e pavarur”.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj i pranishëm në panelin e diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se janë shumë marrëveshje të cilat janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që zbatimi i tyre është mjaft i vogël.

Hoxhaj foli edhe për fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që sipas tij, do të duhet të përmbyllet me njohje reciproke

“Kur flasim për fazën finale të dialogut Kosovë - Serbi ne mendojmë që pritja e vetme që ka Kosova është njohja e ndërsjellë. Faza në të cilën po hyjmë është një fazë e vështirë, do të jetë një fazë interesante dhe do të varet se çfarë qëndrimi do të ndjekim ne në Kosovë dhe mbi të gjitha do të varet çfarë qëndrimi do të ndjek Serbia, por do të varet shumë edhe nga konteksti rajonal dhe ndërkombëtar”, tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj shtoi se nuk duhet të mendohet që Serbia të jetë garancë që Kosova të anëtarësohet në OKB ashtu siç kohëve të fundit herë pas herë po flet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi që ky proces, shton Hoxhaj nuk është në dorë të Serbisë.

“Ajo çka ka në dorë Serbia është njohja e ndërsjellë, ndërsa anëtarësimi i Kosovës në OKB është letër që të tjerët e kanë në dorë”, theksoi Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën dhe kjo sipas tij, jo për shkak të dëshirave të Kosovës, por për shkak që BE-ja ka një situatë ku nuk mund të pranojë shtete që nuk kanë marrëdhënie diplomatike që nuk kanë njohje të ndërsjelltë.